NË PD KA LUFTË CIVILE-NGA FRROK ÇUPI

NË PD KA LUFTË CIVILE-NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

M’u bë shkas, biseda nga larg me një mik, gazetar holandez, të cilin e kam njohur kur ka ndjekur, minutë pas minute, ngjarjet e vitit ’90 dhe ’91, këtu në Tiranë. “Çfarë bëhet aty? Po në PD?”- pyeti ai.

Ka kohë që nuk ka ardhur, ndoshta edhe nga mosha - dhe Lulin nuk mund ta njihte. Por i thashë se, kryetari i PD-së ka ngrirë. Fillimisht nuk kuptoi, pastaj pyeti prapë, si i shastisur:

“Në këtë temperaturë politike të lartë, ka ngrirë kryetari?!”

Miku im gazetar, bëri një shtesë për bisedën:

“Aha... Mund të ketë ngrirë për t’u veçuar nga lufta”, - tha.

... Lufta e Partisë Demokratike sapo ka nisur. Ajo humbi zgjedhjet në një paqe të admirueshme, pa u përballur me armikun. Armikun e bëri mik dhe PD-ja e PS-ja shkuan bashkë në zgjedhje. Të dy partitë e mëdha “hodhën përdhe” partitë e vogla dhe iu sulën partisë së tretë, - LSI-së. Por PD-ja u tërhoq shpejt prej atij drejtimi, pasi e pa se anëtarët demokratë nuk pajtoheshin me një luftë me të tretin.

Lufta ka nisur brenda Partisë Demokratike dhe i ngjan krejtësisht një lufte civile:

Cilat janë shenjat e Luftës Civile brenda PD-së?

1.

Lufta e “hiç”-ëve, me ata që kanë bërë hije mbi tokë prej vitesh. “Hiç’-ët guxuan të luftojnë, sepse perceptuan se kishin me vete kryetarin. Me sa kam vërejtur, këta vijnë sa nga kuvendi i kaluar, aq edhe nga të zgjedhurit në kuvendin e ri që nuk është mbledhur ende. Të kaluarit që nuk kishin mundur të lënë gjurmë, deshën të ishin edhe pastaj. Mjeti i vetëm për të “qenë” është lufta kundër atyre që iu bëjnë hije. Praktikisht, këta janë ngritur në sulm kundër figurave të njohura të PD-së, deri te themeluesit. Gjithnjë në luftën “e të barabartëve” ose “civile”, kështu ka ndodhur: Një pjesë kërkon t’i hajë kokën pjesës tjetër, me qëllim që të marrë përfitime për vete. Kjo është lufta poshtë ose lufta në mjerim. Prandaj më paska thënë miku im gazetar se, kryetari është ndarë nga lufta.

2.

Lufta mes servilëve dhe të tjerëve

Sa fort ka plasur kjo luftë tani! Kurrë nuk është parë, as në ditët më të zeza të PD-së! Servilizmi, - kjo mortje e njeriut, - duket se e ka ndarë grupin, familjen dhe individin në dy pjesë: Gjysmën e trupit këndej dhe gjysmën andej; gjysmën e kokës këndej dhe gjysmën e kokës andej. Kështu ka ndodhur në Luftën Civile të periudhës që u quajt edhe partizane, nacional çlirimtare, të viteve 1942-’44. Atëherë, njëri vëlla u bë ballist, ndërsa tjetri partizan. Pas vitit 1945, nisi lufta e vërtetë mes tyre, - spiunllëku, përfitimi, etj. Kësaj here, po shikoj se brenda PD-së, babai është pro Basha, djali është anti Basha dhe deklarohen në media. Po shikoj që kryetari i forumit rinor të PD-së, është anti Bashë, zëvendësi është pro Bashë. I humburi në garë u dekorua si deputet i PD-Së, ndërsa i fituari u hodh poshtë... Përplasja e vlerave është kthyer në luftë me shoqi- shoqin.

3.

Lufta mes të pasurve dhe të varfërve. Këta që mbajnë anën e kryetarit janë të varfrit që do të thotë të ndershmit. Ndërsa të tjerët janë të pasurit. Jozefina është quajtur lorde, Bode superpasanik, Imami gjeneral, të tjerët janë futur në thesin: “A, prapë doni të vidhni? s’u ngopët?”. Po pse e kanë nisur kështu sulmin? Jo pse këta që shajnë nuk kanë përfituar, por e kanë vënë veten në rolin e të varfrit, d.m.th., në rolin e të ndershmit. Qëllimi është që t’ua marrin pasurinë të pasurve përmes ushtrisë së të ndershmëve. Pastaj të plaçkitin për vete..., njësoj si në Luftën e Dytë Botërore, - d.m.th., pas mbarimit të saj, - partizanët i rropën për vete bejlerët dhe pronarët...

Lufta kundër fisnikërisë

Fisnikëri po quajmë, me të drejtë, radhën e inteligjencies, shkrimtarë e gazetarë, intelektualë të pavarur, njerëzit më nobel... Më ka tmerruar sot, RD-ja se si i sulej ish- kryeredaktorit të saj, Patozi. Më erdhën në sy situatat e Luftës së RD-së në vitet 1996-’97, kundër Azem Hajdarit, kundër Pashkos, e kundër kryeredaktorit të RD-së. Sa e poshtër! Sot, u sulmua edhe një shkrimtar nga radhët e PD-së. Do të vazhdojë lufta, derisa në PD të mbetet vetëm kocka e injorantëve dhe e shërbëtorëve. Këta do ta hanë pjesën tjetër. Kjo është luftë...

Kryetari është ngrirë larg nga “civilja” e nxehtë ku “të shkrirët” po hanë njëri-tjetrin, në emër të kryetarit.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

 Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: