NGA REPUBLIKA E RE TEK PD-ja E RE!- OPINION NGA ALFRED PEZA

NGA REPUBLIKA E RE TEK PD-ja E RE!- OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Ajo që, pak muaj më parë, u nis për t’u bërë "Republika e Re" e Lulzim Bashës, nuk është çudi që, brenda këtij viti, të përfundojë duke sjellë si të vetmin produkt të saj, krijimin e një Partie Demokratike të re. Një forcë të re politike të djathtë, si fundi më normal logjik i asaj çka po ndodh brenda Partisë Demokratike aktuale. Të asaj partie që prej 27 vjetësh, ka bërë historinë e pluralizmit në Shqipëri, që sot, pas humbjes katastrofike në zgjedhjet e 25 qershorit, nën drejtimin e Lulzim Bashës, po shkon drejt rënies pa kthim, sepse në vend të një procesi analize të thellë, ndjese dhe katarsisi që vijon më pas me bashkimin, riorganizimin dhe ringjalljen, ai zgjodhi ikjen nga përgjegjësia, duke përfunduar në pengmarrje. Duke mos i lënë asnjë mundësi demokratëve të vërtetë dhe kundërshtarëve të tij të shumtë, që ta shihnin veten pas kësaj, pjesë të këtij projekti në të ardhmen.

Janë këto dhe shumë arsye të tjera që i kanë bërë bashkë nën drejtimin e ish-kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Astrit Patozi, shumë demokratë kudo nëpër Shqipëri, të cilët kanë marrë pjesë në tubimet masive të zhvilluara prej tij dhe ish-ministrit të Jashtëm, Besnik Mustafaj, në Durrës, Korçë dhe Vlorë. Për të vijuar me takimin e madh të Tiranës, në sallën e Universitetit të Arteve ku pritet të jenë të pranishëm edhe ish-ministrat Majlinda Bregu, Ridvan Bode dhe Arben Imami. Ende e papërcaktuar mbetet prania e ish-kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, dhe e ish-ministrit Genc Ruli, të afishuar në ballë të listës së kundërshtarëve të Lulzim Bashës. Jo vetëm për shkak se i la të gjithë jashtë listës së kandidimit për deputetë, por edhe për shkak se ata kanë qenë me kohë ndër zërat më kritikë, për mënyrën dhe filozofinë e drejtimit të PD-së në katër vitet e fundit, pas tërheqjes së Sali Berishës më 2013.

Ka patur shumë individë, apo grupe të vogla dhe fraksione që i janë kundërvënë pothuajse rregullisht, kryetarëve të PD-së, liderit historik apo lidershipit kryesor të kësaj partie që nga dita e parë e themelimit të saj e deri më sot. Një pjesë e tyre, pas përplasjes finale, ikën në heshtje. Disa të tjerë me zhurmë, të madhe madje. Një pjesë tjetër, pasi e nxorën mllefin e tyre, për të ikur e për t’u harruar pas kësaj. Disa duke qenë prezentë gjithnjë e më zbehtë në publik, dikush duke krijuar partinë e tij; disa të tjerë, të gjithë bashkë, duke dashur të krijojnë një alternative të re, e duke i mbetur deri në fund besnik idealit të dhjetorit. E disa të tjerë akoma, duke punuar ngushtë me të majtën, për ta shkatërruar e për t’i marrë gjithçka tjetër veç vulës, e për t’u rikthyer e lulëzuar sërish, duke qenë ende krah Berishës e Lulzim Bashës. Ashtu siç ka prej atyre që ikën si armiq, e u rikthyen si djemtë plangprishës. E sot, janë përsëri përballë Berishës dhe Bashës.

Nga të gjitha këto ndarje dhe bashkime, vetëm grupi i madh i themeluesve që u nda në fillimet e krijimit të PD-së, e që krijuan më pas Partinë Aleanca Demokratike, mbahet mend si përpjekja më serioze për të qenë realisht një alternativë e vërtetë force demokratike, përfaqësuese e të djathtës liberale e moderne në Shqipëri. Siç bëri, së fundi, deri diku, edhe Partia "Fryma e Re Demokratike" e ish-presidentit Bamir Topi, që solli një freskim të ëndrrës për një parti e cila do të përfaqësonte aspiratat e të djathtëve të papërfaqësuar dhe të zhgënjyer gjatë këtij, mbi një çerekshekulli nga PD-ja.

Përpjekja e tretë reale dhe serioze për t’u bashkuar rreth një grupi politikanësh me kontribute reale në PD, si në opozitë dhe në mazhorancë, si në jetën parlamentare ashtu edhe në atë të qeverisjes së vendit, është kjo që po formësohet sot. Në krye të së cilit, është një ndër figurat më të pa përfolura që ka Partia Demokratike, Astrit Patozi, i cili u përjashtua nga mundësia për të qenë një nga kandidatët realë për kreun e ri të partisë përballë Lulzim Bashës dhe ku sot në garë është vetëm Eduard Selami. Fakti që Patozi nuk u pajtua me këtë arbitraritet, por hodhi dorashkën e sfidës duke zhvilluar një tur tjetër, i dha atij kredite të reja politike dhe shumë avantazhe publike.

E para, nëpërmjet turit të tij paralel të takimeve me demokratët nëpër Shqipëri, ai delegjitimoi turin e kryetarit Basha.

E dyta, i dha mundësinë të kenë një alternativë të re dhe reale jo vetëm atyre mbi 200 mijë demokratëve të zhgënjyer që nuk votuan në zgjedhje, por edhe gjithë demokratëve të tjerë që nuk e shohin më veten në PD-në me Lulzim Bashën kryetar.

E treta, Astrit Patozi me anë të kësaj lëvizje, e rriti edhe më shumë profilin e tij politik, duke e rritur stekën drejt krijimit të një alternative reale për të qenë kryetari i forcës së re politike që pritet të krijohet pas kësaj. Një pikë shumë e rëndësishme referimi, për të gjithë ata që besojnë se Shqipëria ka nevojë për një të djathtë ndryshe, në kushtet e reja.

E katërta, kjo lëvizje shndërrohet në një pol shumë të rëndësishëm për të ndaluar rrjedhën e rrënimit të PD-së që nisi më 2013, e që arriti pikën më të ulët historike një muaj më parë, kur humbi edhe 13 mandate të tjera përfaqësimi. Duke u bërë një forcë që ka vetëm 50% më shumë deputetë në Parlamentin e ri, sesa LSI që kishte vetëm 4 mandate kur ata së bashku qeverisnin bashkë Shqipërinë.

E pesta, PD-ja ka pësuar një metamorfozë të jashtëzakonshme përgjatë historisë së saj. Ajo që u nis si partia e ëndrrës europiane të shqiptarëve, është katandisur në një parti pa identitet. Ndërkohë, Sali Berisha që u bë dikur djepi, duket se sot po bëhet edhe varri i kësaj partie. Duke mos u ngritur në këto vitet e fundit, sidomos në garën aktuale të 22 korrikut për kreun e ri të PD-së, në lartësinë e "liderit historik" që gëzon autoritetin e padiskutueshëm për të thënë fjalën e tij prej arbitri të paanshëm, me zërin e ndërgjegjes morale të "babait" të partisë. Duke u bërë, në këtë mënyrë, e shkuara e PD-së. Me nuhatjen e një gazetari të vjetër dhe intuitën e një politikani të pjekur, Astrit Patozi duket se e ka kuptuar këtë. Ndaj po udhëheq një lëvizje që grupon shpresë për të ardhmen.

E fundit, e gjitha çfarë ka ndodhur deri tani, duket të jetë një përpjekje serioze dhe e sinqertë e drejtuesve të kësaj lëvizje të re për të parandaluar më të keqen që duket se nuk u shmang dot. Ndaj, gara e tyre e vërtetë, nis një ditë më pas. Vetëm të nesërmen e asaj dite kur Lulzim Basha do t’i shkojë deri në fund skenarit të tij dhe do ta rrëmbejë edhe për katër vjet të tjera, drejtimin e PD. Pas kësaj, fillon misioni i vërtetë i Astrit Patozit, figurave të tjera politike që e mbështetin, e shumë drejtuesve politikë të çdo niveli dhe e çdo demokrati të vërtetë në gjithë Shqipërinë, për shpëtimin e së djathtës shqiptare.

Këto dhe shumë arsye të tjera, të bëjnë të besosh se lëvizja e re që ka nisur brenda PD-së, ndryshe nga të gjitha lëvizjet e derisotme të nisura brenda gjirit të kësaj partie, do të këtë vijimësi. Do të ketë të ardhme. Jo thjeshtë dhe vetëm se është "e treta, e vërteta", por për shumë më tepër arsye se kaq. Mbi të gjitha, për shkak se përfaqësuesit e së djathtës historike, asaj tradicionale dhe të së djathtës së re në spektrin politik shqiptar, nuk ka kush i përfaqëson.

Më shumë sesa një mundësi e thjeshtë teorike, më shumë sesa një parti e re e radhës, më shumë sesa dëshirë të majtësh që kërkojnë rrënimin e së djathtës, më shumë sesa ëndërr e një nate vere e ca ish deputetësh të inatosur me një Kryetar që i la jashtë Parlamentit të ri, ky është një mision. Deri më sot, kjo përpjekje ka rezultuar thjeshtë një mision i pamundur. Ndërsa nesër, me shumë gjasë, një mision i mundur. Nga ato lloj mundësish që të vijnë vetëm një herë në jetë, për ta bërë kërkesën e demokratëve, nevojën politike të momentit dhe ëndrrën e tyre të së mundshmes, të realizueshme.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: