Nis rikonstruksioni i Amfiteatrit, Inva Mula: Një projekt që e kam shumë për zemër

Nis rikonstruksioni i Amfiteatrit, Inva Mula: Një projekt që e kam shumë për zemër
Amfiteatri te kodrat e Parkut të Liqenit do të shndërrohet në Teatrin e Hapur të Tiranës. Rikonstruksioni i Amfiteatrit është kërkuar vazhdimisht edhe nga një sërë artistësh të njohur shqiptarë, si sopranoja me famë botërore, Inva Mula.

Më tej Amfiteatri nuk do të jetë thjesht një arenë natyrore për artistët, por edhe një mjedis ideal për fëmijë, të rinj e jo vetëm, që dëshirojnë të shijojnë artin në natyrë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falendwroi artistët për mbështetjen, ndërsa theksoi se pas investimit ky mjedis do të marrë rëndësinë e merituar. “Siç thonë, një histori e mirë sjell një histori tjetër të mirë dhe propozimi i Invës për të bërë një shfaqje këtu, solli një avancim të idesë për ta transformuar Amfiteatrin e Liqenit. Sot është një hapësirë e degraduar, ndonjëherë ngjan me disa rrënoja antike, por që në fakt nuk ka moshë aq të madhe sa të hyjë në antikitet. Por, sigurisht ndonjëherë mungesa e kulturës, aktet e vandalizmit, mungesa e kujdesit për pronën e përbashkët ka sjellë këtë degradim. Sot jemi në një situatë tjetër, ku jo vetëm kemi vendosur që të marrim përsipër këtë financim, por do ta përfundojmë në kohë rekord”, tha kryetari Veliaj.

Ai u shpreh se Tirana me një skenë të re në natyrë do të ofrojë mundësi për të ndjekur art edhe për ata që nuk mund ta ndjekin atë në skena apo teatro të mirëfillta. “Nuk mund të vazhdojmë të kemi vetëm politika kulturore elitare të paaksesueshme nga një publik, i cili ndoshta nuk e ka traditë vajtjen në opera, në balet dhe në teatër, por kur vjen nga Liqeni fiton një opera, balet, teatër në natyrë. Kështu, demokratizojmë pak politikën tonë të artit që mund të aksesohet nga shumë më shumë njerëz, që në të kundërt nuk do t’i çonin këmbët kurrë në një nga institucionet tradicionale kulturore. Ndaj, shkon me filozofinë e APR-së, ku nuk është gjithmonë njeriu që shkon te arti te kultura, ndonjëherë është arti dhe kultura që shkon aty ku janë njerëzit”, u shpreh Veliaj.

Sopranoja shqiptare Inva Mula the se, “Është një projekt që e kam shumë për zemër dhe jam shumë e lumtur. Që në momentin që erdha për të krijuar një spektakël këtu, e pamë që nga ana teknike nuk shkonte. Falë Erionit, falë Blendit menjëherë kjo gjë po konkretizohet, saqë më duket si e pabesueshme që mund të ndodhin këto gjëra në mbështetje të kulturës. Meqë parku është bërë një mushkëri shumë e mirë ku njerëzit kanë mundësi të ecin dhe të jenë në ajër të pastër, mendoj që do të jetë një aortë shumë e rëndësishme e kulturës së Tiranës.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: