NJË GOZHDË E ARTË NË NDËRGJEGJEN E PD!- OPINION NGA ALFRED PEZA

NJË GOZHDË E ARTË NË NDËRGJEGJEN E PD!- OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Me Eduard Selamin, përgjatë këtyre 27 viteve jetë politike e publike, mund të mos jesh dakord për shumëçka, por për një gjë besoj se shumëkush mund të bëhet në një mendje. Madje, edhe në këtë vend ku, siç thoshte Konica, bën më kollaj bashkë një jastëk me pleshta, sesa dy shqiptarë. Emëruesi i përbashkët mund të jetë për shembull fakti, se e gjithë jeta dhe aktiviteti i tij politik, meriton diçiturën: Gozhda në trurin e PD-së!

Eduard Selami ka qenë dhe vazhdon të jetë një gozhdë e ngulitur thellë në koshiencën e kësaj partie e cila sa herë ka patur nevojë për një figurë alternative dhe një lider ndryshe, njerëzit brenda dhe jashtë saj, media dhe shoqëria civile, kanë kërkuar që të thirret në skenë apo i kanë bërë apel për t’u rikthyer, pikërisht atij, - edhe kur ishte, edhe kur nuk ishte fare në Shqipëri. Edhe atëherë kur u detyrua të kalonte oqeanin e të riniste një jetë të re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe kur u duk se u harrua përgjithmonë atje. Edhe atëherë kur e idealizonin më shumë se ç'duhej, edhe kur e përbuznin e anatemonin siç dimë veç ne, - kur dikush kërkon të na futet në zonën e padëshiruar apo të na prishë interesin.

Partia Demokratike ka patur disa kryetarë përgjatë historisë së saj 27-vjeçare. Që nga Azem Hajdari, Sali Berisha, Eduard Selamin vetë, Tritan Shehun, Genc Pollon (i komanduar përkohësisht në vitin 1997), e përsëri Sali Berishë dhe, së fundi, Lulzim Bashën. Sikundër ka patur edhe shumë kandidatë zyrtarë në garën për kryetarë që nga Neritan Ceka, Azem Hajdari përsëri, Arben Imami, Ylli Vejsiu, Ferdinand Xhaferri, Pjetër Arbnori, Uran Butka e deri tek Sokol Olldashi. Ka patur gjithashtu, edhe disa palë zgjedhje pa patur fare asnjë kandidat alternativ, qoftë edhe formalisht në garën për kreun e partisë. Pa llogaritur këtu, shumë e shumë emra të tjerë që kanë patur dëshirën, ëndrrën dhe që kanë tentuar apo janë tërhequr në fund, por pa mundur për t’u bërë pjesë zyrtare e kësaj gare.

Askush prej të gjithë radhës së kësaj liste, - jo të shkurtër për një pozicion si ky, - nuk kanë patur në vijimësi apo në mënyrë konstante përgjatë gjithë këtyre viteve, tërheqjen, joshjen dhe miklimin e krijuar nga emri dhe figura e Eduard Selamit i cili, në mënyrë permanente, thirrej në skenë sa herë dukej se edhe harrohej më shumë. Sa herë që PD-ja ishte në momentet e saj më kyçe dhe kritike. Sa herë që ajo dhe opinioni, mediat e opinionistët ndjenin se në krye të PD-së duhej një zë, figurë, portret, një lider, një kryetar dhe alternativë ndryshe nga ajo e Sali Berishës. Momente të tilla kanë qenë jo të pakta.

Megjithëse, lidershipi zyrtar dhe ata që i kanë rrethuar, bënin sikur nuk e vinin re këtë gjë, sikur nuk i bënte përshtypje. Apo thjeshtë e shpërfillnin, duke dashur ta injoronin si situatë. Por, thellë-thellë, e gjitha nuk kishte si të mos i shqetësonte, t’i nervozonte e t’i "gërricte" nervat. T’i bënte të luanin gjithnjë e më shumë, me lojën e mundimshme të harresës së diçkaje që ishte prezent. Deri në ndërmarrjen e fushatave denigruese në media e në tryezat informale të thashethemeve të elitës së kryeqytetit. Me shpresën se, në këtë mënyrë, do të dekurajonin çdo zë, çdo mendim e ide, si dhe çdo mundësi për një rikthim të Eduard Selamit nga SHBA, drejt e në lojën e madhe të politikës aktive të Tiranës.

Në fakt, pavarësisht se si hiqeshin apo sesi donin ta paraqisnin, realiteti ishte krejtësisht i kundërt, sepse e vërteta ishte se ata i frikësoheshin rikthimit të tij në Shqipëri, si djalli temjanit. Madje, këtë e kam edhe të provuar. Jo vetëm për shkak se kur isha në media, të gjithë drejtuesit e emisioneve të debateve televizive të asaj kohe, shfrytëzonim çdo prezencë të tij në Tiranë, për ta ftuar në studio. Por kam patur mundësinë të isha i fundit ndër ata që e ftuan si një zë gjithnjë e më i fortë kundër PD-së dhe qeverisë së kryeministrit Berisha në vitet 2005- 2013. Intervista e tij tek emisioni im në TV "Ora News", më 15 dhjetor 2010, ka qenë një nga më të ndjekurat, duke arritur rekord audience. Një fakt që tronditi jo pak oborrin dhe enturazhin e pushtetit. E mbaj mend shumë mirë atë natë, sepse ishte edhe e fundit në karrierën time të gjatë si themelues dhe drejtor i përgjithshëm i atij televizioni...!

Pas kësaj, për Eduard Selamin pasoi një heshtje e gjatë në oborrin dhe nga oborrtarët e pushtetit. Ndaluan si me komandë sulmet, ironia, hipokrizia. Goditjet poshtë brezit. E kështu vijoi për gati dy vjet të tjera me radhë, derisa të dy u takuam sërish në Shqipëri. Por këtë radhë, jo për një tjetër intervistë. Por si kundërshtarë politikë në garën për deputetë në të njëjtin qark, në atë të Elbasanit, në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Unë si kandidat për PS-në e ai kuptohet se nuk kishte se për kë tjetër, veçse për PD-në e cila, pas intervistës sonë, por edhe ndonjë dalje të tij në "Zërin e Amerikës", e kuptoi se nuk mund ta shmangte përjetësisht atë. E si në atë thënien e njohur të Nelson Mandelës se "në politikë, miqtë mbaji pranë, por armiqtë edhe më pranë", Sali Berisha dhe PD-ja u detyruan ta mbanin edhe më pranë, sesa mund ta kenë menduar gjatë atyre gati 15-20 vjetëve kur ai ishte gjithnjë e më shumë i pranishëm me mungesën e tij.

Eduard Selami u rikthye për të mos patur gjatë mandatit të katër viteve të shkuara, profilin dhe sharmin në lartësinë e të gjitha këtyre dhe shumë pritshmërive të tjera ndoshta. Por, protagonizmi për protagonizëm, me sa duket, nuk është fare në stilin e tij, sepse ai vazhdoi t’i qëndrojë besnik mënyrës së tij të të bërit protagonistin e përjetshëm. Duke qenë gjithmonë, ashtu si pa u ndjerë, në kohën  e duhur, në vendet e duhura, me qëndrimet dhe vendimet e tij të duhura.

Ai ishte aty, sa herë që më shumë se kujtdo, kjo i duhej vetë PD-së. Ai ishte aty, edhe atëherë kur PD-ja e bojkotoi pa arsye parlamentin; edhe kur PD-ja e bojkotoi reformën e ndarjes administrativo-territoriale; edhe kur PD-ja nuk donte të votonte reformën në drejtësi; edhe kur PD-ja u ngujua në çadër; edhe kur PD-ja nuk donte të futej në zgjedhjet e 25 qershorit. Por edhe tani kur PD-ja është në udhëkryqin më kritik të historisë së vet, në zgjedhjet për kryetarin e ri, pas humbjes më katastrofike që ka pësuar ndonjëherë në zgjedhje.

Ishin të shumtë ata që e paragjykuan kur ai u vendos i vetëm përballë Lulzim Bashës, në këtë proces të paracaktuar. Sikundër ishin të shumtë ata që e cilësuan kandidat fals, të sajuar, të futur, të blerë apo të manipuluar. Por, si gjithnjë, ai vazhdoi rrugën e tij, duke i qëndruar besnik mënyrës, stilit dhe filozofisë së tij. Duke i bërë të gjithë, sa më shumë kanë kaluar ditët e sa më shumë i afrohemi votimit të 22 korrikut, që të ndryshojnë qëndrimet ndaj tij. Duke i dhënë edhe më shumë vlerësime dhe pëlqime nga sa do të donte ndoshta edhe vetë ai; duke e quajtur deri edhe "një kandidat me diskurin e një sfiduesi ekselent".

Sikundër ka patur plot të tjerë që kanë rënë dakord që në fillim se, Eduard Selami po bën garën e tij, duke i qëndruar Lulzim Bashës përballë, ashtu urtë e butë, por me qartësinë e një pasqyre ku gjithkush si në përrallën e Borëbardhës, e bën "shtrigën" e kësaj gare, të duket ashtu siç është në të vërtetë. Me të gjitha rrudhat dhe shëmtinë e vet, pavarësisht mollës së kuqe me helm që mban në dorë. Në fund fare, të gjithë e dimë se Lulzim Basha do të jetë përsëri kryetari "de jure" i PD-së, ndërsa Eduard Selami fituesi real i kësaj gare të shëmtuar, i kësaj shfaqjeje që nuk i bën aspak nder një partie që ka lindur nga ëndrra "për Shqipërinë si gjithë Europa".

Ai nuk është vetëm një fitues moral, as edhe vetëm një fitues mediatik, apo një fitues i nderit të humbur të rregullave të lojës demokratike brenda PD-së. Ai është më shumë se kaq. Eduard Selami si do që të shkojë karriera e tij pas kësaj, ka fituar një status që askush tjetër nuk e ka patur dhe nuk ka për ta patur me sa duket, - edhe për shumë kohë në atë parti. Atë të gozhdës së artë jo vetëm në trurin, por edhe në ndërgjegjen e PD-së dhe të çdo demokrati të vërtetë në këtë vend. Shenjë e sigurt se, edhe për Partinë Demokratike, është e vërtetë thënia se shpresa vdes e fundit!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: