NJË HISTORI KUR OPOZITA EMËROHET- OPINION NGA PLATOR NESTURI

NJË HISTORI KUR OPOZITA EMËROHET- OPINION NGA PLATOR NESTURI
Kur opozitarët e vërtetët ndaj Bashës, mbeten jashtë lojës, dhe kur përkujdesja që në garë të mbetej vetëm Selami me mendimin se ballafaqimi me të do të ish i lehtë, vështirë të mendosh jo vetëm për garë por dhe për demokraci të brendshme. Dhe kur kjo ndodh në opozitë, kur duhet të japësh shembuj se ke marrë mesazhin e bjerrjes së votave, duke ndërtuar një opozitë të re e jo një loje pasqyrash, vështirë të mendohet se do të kemi ndonjë panoramë të dinamizmit demokratik në parlamentin e ardhshëm. Pasi dhe opozita nuk varet nga numrat që ka, por nga idetë dhe këmbënguljen që shpreh. Me këtë prognozë që shohim, nuk mbetet tjetër, do t’i takojë Ramës të emërojë dhe opozitën.

Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Kur Qemal Ataturku ish në kulmin e pushtetit të tij, i gjithë parlamenti turk ish një ngjyrësh. Të gjithë deputetët ishin pjesëtarë të partisë në pushtet, e nuk kish shans për ndonjë variacion tjetër. Në fakt, kështu kish qenë që kur Ataturku kish marrë në dorë frenat e Turqisë, dukë qenë timonier i vetëm.

Pikërisht pra, kur ndodhej në apogjeun e vet, ndoshta pse ia sugjeruan miqtë evropianë, apo për një trill të tij si europeist që ish, Ataturku vendosi të emërojë një Opozitë. Për këtë thirri një nga miqtë e vjetër të armëve duke e porositur që së bashku me disa deputetë të tjerë, të bënin opozitën në parlament. Kështu dhe Turqia u bë me opozitë. Filluan kritikat, dhe pjesa e deputetëve që vijonin të ishin pjesë e partisë shtet, ndiheshin të çoroditur nga kritikat e akuzat që po bënin ish shokët e tyre. Pati konfuzion, mëri, sharje dhe deri në përleshje e dhunë në parlament. Të gjithë turfullonin, vetëm Ataturku mbetej njësoj i qetë e mospërfillës. Por me ndezjen e gjakrave midis palëve, akuzat e lëshuara nga "opozita" e emëruar u bënë më të ashpra, si për korrupsion zyrtarësh ashtu dhe për paaftësi të drejtuesve të sektorëve të veçantë. Të emëruarit për të qenë opozitarë, e kishin marrë më seriozisht seç duhet rolin e tyre për të kritikuar sistemin.

Pas gjithë kësaj rrëmuje dhe tallavitjeje, atëherë Ataturku, i bezdisur dhe nga kërkesat e shumta të mbështetësve për të mos i toleruar më këta bukëshkalë, vendosi që opozita të mos ekzistojë më. Eksperimenti mori fund. Zërat kritikë u shuan dhe deputetët që menduan se po hapnin një faqe të re të demokracisë në Turqi, thjesht u kthyen në radhët e partisë nga kishin dalë. Të gjithë mbetën të kënaqur...

Këto shembuj historikë ku gjithçka emërohet nga i Pari i vendit, qoftë edhe kur e quajnë Baba, Lider, autoritet Suprem a çfarëdolloj epitetesh anë e kënd botës, e për më tepër edhe kur është ai që emëron edhe opozitën, dëshmon se demokracia nuk është dukje. Nuk është një ceremonial apo teatër ku aktorët bëjnë rolin e përcaktuar nga regjisori i madh. Nëse i mungon dinamika, përplasja e ideve, lirshmëria për të ngritur një çështje apo një kauzë të cilën ia shpalos qytetarit e ku është ai që të vendosë nëse duhet të të besojë apo jo zbatimin e këtij projekti me pushtetin e votës që të jep, atëherë nuk jemi në demokraci. Mund t’i vëmë çfarë emri të duam, qoftë edhe demokraci hibride, por gjithsesi mbetet larg të qenit shoqëri demokratike.

A kemi ardhur në atë pikë që tashmë kryeministrit Rama, përveç të tjerave çka i takon të bëjë, i duhet të emërojë dhe opozitën? Në fakt, me këtë gjendje që gjendet PD, vështirë është të mendosh se ajo mund të behet dot opozitë funksionale. Kjo për faktin se ndërsa është në një proces elektoral për zgjedhjen e kryetarit të ri të saj, vërehet se ajo vetë e ka të emëruar opozitën që po i bën vetvetes. Në një proces që vështirë të mendosh se do të ketë garë, sado interesante të duken tezat dhe deklaratat në intonacion ngjitës te Selamit, vështirë të mendohet se zgjedhjet në 22 korrik në selinë blu do të jenë të drejta e transparente siç thuhet. Do të bënte surprizë e kundërta, e jo më të të mendosh përmbysje e që Basha të dilte i humbur qoftë edhe i ngrirë. Kur opozitarët e vërtetët ndaj Bashës, mbeten jashtë lojës, dhe kur përkujdesja që në garë të mbetej vetëm Selami me mendimin se ballafaqimi me të do të ish i lehtë, vështirë të mendosh jo vetëm për garë por dhe për demokraci të brendshme. Dhe kur kjo ndodh në opozitë, kur duhet të japësh shembuj se ke marrë mesazhin e bjerrjes së votave, duke ndërtuar një opozitë të re e jo një loje pasqyrash, vështirë të mendohet se do të kemi ndonjë panoramë të dinamizmit demokratik në parlamentin e ardhshëm. Pasi dhe opozita nuk varet nga numrat që ka, por nga idetë dhe këmbënguljen që shpreh. Me këtë prognozë që shohim, nuk mbetet tjetër, do t’i takojë Ramës të emërojë dhe opozitën.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: