Partizani merr trajner ish-mbrojtësin e Juves, por ky profesion në rrezik për shqiptarët!

Partizani merr trajner ish-mbrojtësin e Juves, por ky profesion në rrezik për shqiptarët!
Artan Mërgjyshi flet për “Albanian Free Press” mbi peripecitë e shumtë që hasin trajnerët e futbollit në vendin tonë, që nga problemet me kontratat dhe deri te koha e pritjes, kur shpesh u ndodh të shkarkohet pas një ndeshjeje edhe me fitore, për gjetjen e ekipit të ri

Intervistoi: Aranit Muraçi

Të jesh trajner në Shqipëri do të thotë je sot, nuk je nesër. Nëse mund të mos jesh nesër, por rrezikon të mbetesh fare pa ekip për një kohë të gjatë. Si funksionon puna e trajnerit, cili është kriteri i përzgjedhjes së tyre, çfarë bëjnë ata gjatë kohës kur mbeten pa ekip? Koha mund të zgjasë një vit, ndoshta edhe më shumë. Puna e trajnerit në Shqipëri ngjan me një pritje drejt ndryshimit të profesionit.  Artan Mërgjyshi, 49-vjeç, është momentalisht një ndër trajnerët e shumtë shqiptarë ende pa ekip. Mërgjyshi drejtoi gjatë sezonit të fundit Bylis të Ballshit, por u largua papritur para mbylljes së kampionatit, rreth tre muaj më parë kur Bylis diskutoi me Lushnjën ngjitjen në Kategorinë Superiore. Mërgjyshi më herët ka drejtuar ekipeve të tjera të Kategorisë së Parë dhe të asaj Superiore, si Kastrioti, Besa, Apolonia e Korabi. Në një intervistë për “Albanian Free Press” Mërgjyshi flet për pritjen e gjatë të një trajneri, problemin që ai ka me kontratat dhe mosrespektimin e tyre, apo të ardhmen shpesh të pashpresë të këtij profesioni në Shqipëri:

Mërgjyshi, ju jeni një nga trajnerët e shumtë ende pa ekip. Keni pasur ndonjë ofertë konkrete gjatë kësja periudhe?

Deri tani nuk ka pasur shuam zhvillime. Jam në pritje sepse profesioni im është futbolli. Nga koha që kam mbetur pa ekip po presim ndonjë telefonatë, si të gjithë trajnerët e tjerë.

Ofertat deri kur mund të vijnë?

Deri në shtator besoj, kur edhe nis kampionati. Ekipet e Kategorisë Superiore janë më të konsoliduara, i kanë trajnerët, dhe vështirë se mund të vijë ndonjë ofertë. Ekipet e Kategorisë së Parë nuk kanë filluar ende me organizimin. Kjo vonesë nga ana tjetër do të thotë për ne trajnerët se ato nuk kanë ndonjë plan serioz për të ardhmen.

Në rast se deri në shtator ju nuk gjeni një ekip të ri për të drejtuar...

Do të pres dhjetorin, e tillë është puna jonë. Pastaj të shohim ç’mund të bëjmë tjetër.

A ka seriozitet të respektimit të kontratave në marrëdhëniet mes klubeve dhe trajnerëve?

Deri diku kanë nisur t’i respektojnë disa klube të Kategorisë Superiore. Por kanë ende probleme ato të Kategorisë së Parë dhe sigurisht ato më poshtë. Personalisht kam ende të pazgjidhur çështjen me Kastriotin. E kam çuar prej dy vitesh në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF, por edhe pse kam fituar të drejtën, nuk kam marrë ende shpërblimin që më takonte.

As roli i FSHF-së nuk i jep zgjidhje këtij problemi?

Jo, sepse Kastrioti mund të penalizohet nga FSHF me hiqje pikësh nëse ngjitet në Superiore, sipas rregullores.  Në Kategorinë e Parë ku ndodhet prej dy vitesh FSHF nuk ia ka dalë që ta detyrojë këtë klub të më rikuperojë dëmin që më ka shkaktuar. Kjo histori u ka ndodhur edhe lojtarëve dhe trajnerëve të tjerë. I tillë është futbolli në Shqipëri.

Armando Cungu dhe Mirel Josa, nga Vllaznia te Tirana

Armando Cungu, është aktualisht trajneri i Vllaznisë. Ai ia doli të mbante ekipin e tij në Kategorinë Superiore, por një tjetër histori pati trajneri i Tiranës, Mirel Josa. Ai nuk është më trajner i Tiranës, gjithashtu ai ende nuk e ka gjetur ekipin e sezonit të ardhshëm. Braziliani Ze Maria ka marrë drejtimin e këtij ekipi para Europa League dhe do të drejtojë bardhebluë me synimin rikthimin në elitën e futbolli shqiptar.

Edhe pse Bashkia Shkodër ia besoi Cungut sërish Vllazninë që ta drejtojë për sezonin e ri, ai i ka kërkuar klubit investime për ndërtimin e një skuadre më të fortë. Në të kundërt Cungu u shpreh para drejtuesve të klubit se do të rishohë pozicionin e tij. Në Shkodër janë në pritje, ndërsa administratori Gjyrezi premton se baza do të jetë akademia por në ditët në vazhdim kuqeblutë do të konkretizojnë edhe disa blerje. Deri tani është afruar në provë vetëm mbrojtësi malazez, Martinoviç, por nga ky ekip ka më shumë të larguar.

[caption id="attachment_38941" align="aligncenter" width="2048"] Gjoka nga Kukësi te çështja “Flamurtari”  [/caption]

Eliminimi dramatik i Kukësit në raundin e dytë kualifikues të Champions League, pavarësisht fitores 2-1 ndaj Sheriff Tiraspol (Kukësi humbi 1-0 ndeshjen e parë), mund të ketë pasojë mbi të ardhmen e disa lojtarëve të ardhur gjatë merkatos së verës. Serran dhe Naser kanë zhgënjyer tifozët me vetëm dy ndeshje, ndërsa kanë mbetur pa kontrata Koliçi, Emini, Pejiç, Shameti, apo edhe Lena.

Më kryesorja është e ardhmja e trajnerit Ernest Gjoka, të cilit i ka përfunduar gjithashtu kontrata pas aventurës evropiane. Edhe pse ishte trajneri që shpalli për herë të parë kampion në histori Kukësin, kjo nuk mjafton. Emra të tjerë kanë kohë që qarkullojnë për të pasuar Gjokën, ku më i mundshmi shihet ish-trajneri i ekipit shpresa, Skënder Gega. Gjoka është gjithashtu në gjyq me Flamurtarin, për pagesat e prapambetura kur ishte trajner i këtij ekipi, madje çështjen e pazgjidhur në FSHF e ka çuar deri në KAS. Kjo çështje ka mbetur pezull, madje ekipi vlonjat që drejtohet aktualisht nga Shpëtim Duro rrezikon t’i hiqen gjashtë pikë nëse Ernest Gjoka fiton të drejtën dhe nuk likuidohet.

Tirana dhe Partizanin injorojnë “produktin vendas”  

Gugash Magani, trajneri i Teutës, do të vijojë punën tek i njëjti ekip edhe për këtë sezon. Po ashtu Nica, trajneri i Laçit, Bano i Lushnjës, Ndreu i Kamzës. Luftëtari nuk ka ende trajner, pasi i është larguar pas mbylljes së këtij sezoni serbi Milinkoviç dhe është në pritje të rikthimit të tij. Tirana ka gjetur një brazilian Ze Maria, i emëruar para ndeshjeve të Europa League, dhe do të jetë ai që do të nisë ndërtimin e skuadrës përpara sezonit të ri. Ekipet e tjera të Kategorisë së Parë nuk dihet “se ku janë”. Për ta është herët. Sopoti që ra këtë sezon në Kategorinë e dytë emëroi trajner një 25-vjeçar, Klajdi Kënga, sinjal ky i qartë për të ikur lojtarët më të vjetër në moshë se trajneri në ekip.

Ish-mbrojtësi i Juventus, Mark Juliano, është zyrtarisht trajner i ri i Partizanit. Klubi i të kuqve zyrtarizoi emrin e ish-mbrojtësit juventin, i cili do të drejtojë Partizanin për edicionin e ri, bashkë me ndihmësin e tij, Alessandro Dossena.

Stafi i ri i Partizanit do të prezantohet të mërkurën, ora 10:00. Operacioni u krye me pëlqimin e Luciano Moggi, ish-drejtues bardhezi, i cili aktualisht është konsulent teknik i Partizanit.

Pas stafit të ri,pritet të ketë blerje të bujshme në kampin kryeqytetas, që sezonin e ri do të nisë me objektiv titullin kampion.

 

Drejtuesve dhe trajnerëve për një vend pune u ka ardhur në ndihmë në disa raste FSHF. Alban Bushi dhe Erjon Bogdanin drejtojnë aktualisht kombëtaren U-21 dhe U-19, ndërsa Armir Grima dhe Nevil Dede ekipet kombëtare të futbollit të femrave.

Disa trajnerë për një periudhë të shkurtër kanë drejtuar ekipet të ndryshme gjatë viteve të fundit, të tillë si Luan Zmijani, Alpin Gallo, Artur Lekbello, Klodian Duro, Bledar Devolli. Asnjëri prej tyre nuk është i impenjuar momentalisht në ndonjë ekip.

Disa emra të njohur trajnerësh janë tërhequr me kohë, si ish-trajnerët e kombëtares Neptun Bajko, Astrit Hafizi etj. Disa drejtojnë ekipet e të rinjve dhe fëmijëve, si Sulejman Mema. Shkëlqim Muça, Agim Canaj, Hasan Lika etj, ndër më të njohur në vend nuk drejtojnë asnjë skuadër.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: