Partizani në gjurmët e “Zonjës së Vjetër”, Skënder Gega joshet nga oferta e Kukësit

Partizani në gjurmët e “Zonjës së Vjetër”, Skënder Gega joshet nga oferta e Kukësit
Nesër prezantohet trajneri i ri, ish-juventini Mark Juliano, i cili do t’i bashkohet Luciano Moggi në stafin e të kuqve kryeqytetas, ndërkohë pas tyre zbulohet projekti i ekipit ambicioz për të fituar trofe me qëllim dominimin e kampionatit shqiptar të paktën për pesë vitet e ardhshme

Aranit Muraçi

Mark Juliano është trajneri i ri i Partizanit. Ai do të prezantohet të mërkurën nga klubi kryeqytetas, bashkë me një ndihmësin e tij italian, Dosena. Në kryeqytetin shqiptar Jualino do të gjejë një tjetër ish-drejtues të shquar bardhezi ndër vite: Luciano Moggi. Të kuqtë kryeqytetas synojnë të fitojnë sa më tepër eksperiencë nga skuadra italiane e Juventus, e cila konsiderohet “Zonja e Vjetër” për shkak të trofeve të shumtë dhe dominimit historik që ka pasur në futbollin italian. Por cili është plani i mëtejshëm i klubit të Partizani, sa i përket ndërtimit të ekipit dhe rikthimit te trofetë? Partizani numëron që nga themelimi 15 tituj kampion dhe po kaq trofe të Kupës së Shqipërisë, por ndryshe nga Juventus në Itali që kryeson bindshëm, të kuqtë renditen pas dy ekipeve të tjera kryeqytetase, Dinamo (18 tituj kampionë) e Tirana (24 tituj kampionë). Dy rivalët historikë të kryeqytetit, Tirana dhe Dinamo kanë fituar disa tituj kampionë gjatë dy dekadave të fundit, ndryshe nga Partizani që nuk e njeh këtë trofe prej vitit të largët 94’. Mirëpo Tirana e Dinamo po kalojnë momentet më të vështira në histori. Ato ndodhen aktualisht në Kategorinë e Parë e nga kjo situatë tashmë kërkon të përfitojë Partizani, që ka një plan, jo vetëm të fitojë trofe këtë sezon, por kërkon të vazhdojë suksesin me qëllim që të cilësohet brenda dekadës së ardhshme “Zonja e Vjetër” e Shqipërisë.   Burime të sigurta konfirmojnë për “Albanian Free Press” se për këtë projekt pas trajnerit fshihen rreth 7-8 blerje të tjera cilësore, kryesisht emra të huaj lojtarësh. Ata do të prezantohen brenda ditëve të para të muajit gusht. Pas dy sezoneve të fundit kur garoi për titullin kampion me Kukësin dhe Skënderbeun, Partizani synon të futet në garë si favorit kryesor për të fituar këtë vit medoemos titullin kampion. Marrëveshjet me disa nga blerjet e reja janë arritur, por ato do të prezantohen njëri pas tjetrit nga trajneri i ri i të kuqve, Juliano. Në listë janë edhe disa nga futbollistët më të spikatur të Tiranës e të Kukësit. Më 19 gusht konfirmohen një ndeshje miqësore e Partizanit me ekipin e Ternana në Itali, ku edhe do të testohen blerjet e sezonit të ardhshëm. Në fund të dhjetorit, Partizani inauguron kompleksin e ri, me synimin që deri atëherë të jetë në krye të kampionatit dhe tifozët të mos kenë më dyshime për rikthimin e titullit të munguar prej dy dekadash.

Mediat italiane i kanë kushtuar gjithashtu vëmendjen faktit se Partizani kërkon të ndjekë modelin e Juves. Shqipëria në futboll gjithnjë e më tepër  duket se po ecën me moton “Made in Italy”. Pas Gianni De Biasi që drejtoi për pesë vjet e gjysmë ekipin kombëtar, duke e kualifikuar atë në finalet e Euro 2016, në stolin kuqezi emërohet një tjetër italian, Cristian Panucci. Pës eksperiencës pozitive në kombëtare, përvojë nga Italia tashmë po marrin klubet shqiptare. Sipas asaj që raporton “La Gazzetta dello Sport”, Iuliano e ka zgjedhur këtë eksperiencë për të lënë pas zhgënjimin me Como. Ai ka pranuar menjëherë ofertën e Partizanit, pasi është kontaktuar nga Luciano Moggi, i zgjedhur konsulent i klubit kryeqytetas për tre vitet e ardhshme. Duket një bashkim i tëri juventin te Partizani. Iuliano ka qenë pjesë e Juventus në ciklin fitues të këtij ekipi gjatë fundit të viteve  ’90 (ka veshur fanellën e Zonjës së Vjetër mes viteve  ’96 e 2005). I njëjti cikël kërkohet të arrihej nga Partizani në dekadën e ardhshme. Tifozët e këtij ekipi kanë në fakt plot 24 vjet që presin.

 

Demollari i befasuar nga situata me tre ekipet e kryeqytetit

Pavarësisht këtij riorganizimi të Partizanit, Sulejman Demollari, ish-kapiten i famshëm i Dinamos në fund të viteve 80’ e ka pasur të vështirë të gjejë fjalët e duhura, për të shpjeguar situatën e ekipeve kryeqytetase në këto momente. Për “Albanian Free Press”, ai tha se është krejt i paqartë për të analizuar gjendjen ku ndodhen tre ekipet kryeqytetase, sidomos gjendja aktuale e Dinamos. Nuk u mundësua as këtë sezon derbi Dinamo-Tirana, ndërkohë për derbin e vetëm kryeqytetas të mbetur nëse e quajmë kështu, “Partizani-Kamza”, që do të luhet në Superligë, ai tha se duhet pritur zhvillimet e tjera deri në fillim të sezonit.

Vllaznia

Ikën Shtubina i revoltuar: Merrni Mesin në Shkodër

Kur tifozët e Vllaznisë prisnin ndonjë blerje kapiteni Ndriçim Shtubina deklaron largimin.  - “Nga ky moment jam lojtar i lirë, shpresoj që Vllaznia të blejë Messi në vendin tim, s’kam ca flas më,” - është shprehur dje Shtubina në profilin e tij Facebook. Pas këtij largimi mësohet se fshihet pakënaqësitë e lojtarit mbi të projektin e së ardhmes. Në këtë situatë, kur te ky ekip pritej rikthimi i Gilman Likës, largohet një ndër emrat më të spikatur të viteve të fundit me fanellën e skuadrës së drejtuar nga Armando Cungu.

Kukësi

Gjici takim me kandidatin për stol, Skënder Gega 

Kukësi, pas eliminimit me Sherif Tiraspol nga Champions League, po riorganizohet duke nisur nga trajneri. Ernest Gjoka i mbetur pa kontratë pas eliminimit nga Europa, ka bërë që drejtuesit e klubit verilindor të nisin bisedimet me emra të tjerë trajnerësh. Ish-trajneri i ekipit U-21 të kombëtares, Skënder Gega, është parë në një takim gjatë ditës së djeshme me drejtuesit e Kukësit, teksa po negociojnë për të ardhmen. Gega shihet si favorit për të pasuar Gjokën në stol, ndërsa mësohet se ai e ka pranuar paraprakisht ofertën.

Skënderbeu

Treshe malteze në Çeki, Jorgji gjykon në Poloni

Ndeshjen e raundit të tretë të Europa League, Mlada Boleslav-Skënderbeu, e enjte ora 18:00 do ta drejtojë një treshe malteze me gjyqtar kryesor Alan Mario Sant, 36-vjeç. Gjyqtari maltez nuk konsiderohet i ashpër në vendime, çka për Skënderbeun është fakt pozitiv. Sakaq gjyqtari elbasanas, Enea Jorgji, 32-vjeç, është vlerësuar pas ndeshjes së raundit të dytë kualifikues, Champions, mes Bate Borisov dhe Alashkert, 1-1. Jorgji i cili mban stemën e FIFA-s si gjyqtar i është besuar një tjetër ndeshjeje ndërkombëtare, ajo e Europa League, mes polakëve të Arka Gdynia dhe danezëve të Midtjylland.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: