Pas falimentit të bursës shtetërore, Shqipëria provon bursën private

Pas falimentit të bursës shtetërore, Shqipëria provon bursën private
Eglantina Nasi

Shqipëria tenton t’i rikthehet tregut të kapitaleve, ose siç ai njihet ndryshe, bursës. Kështu, pas falimentimit tre vjet më parë të së vetmes dhe shtetërore që ka ekzistuar deri tani, ajo licencon të parën bursë private. Konkretisht, fjala është për shoqërinë “Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE" sh.a., (Albanian Stock Exchange), së cilës Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare i ka dhënë ligjërisht, të drejtën e ushtrimit të aktivitetit si bursa e parë shqiptare me kapital privat. Dhe siç sqarojnë ekspertët e AMF-së, me një kapital regjistrimi prej 50 milionë lekësh, ajo do të ketë si aktivitet kryesor tregtimin e letrave me vlerë, por edhe përdorimin e sistemit elektronik “Quick Trade”, i cili mund të kryejë deri në 100.000 transaksione në ditë. Ndërsa në vitin e parë, transaksionet e bursës do  përqendrohen në tregtimin e titujve të qeverisë, si dhe tregtimin e aksioneve të shoqërive të dala nga privatizimi. “Parë në këndvështrimin makroekonomik për Shqipërinë, krijimi i një burse titujsh paraqet tregues konkretë dhe të qartë për nivelin e pjekurisë që ka arritur tregu financiar shqiptar”, vlerësojnë ekspertët e AMF-së. Duke pranuar në këtë mënyrë se ndoshta ky i fundit nuk e ka patur një pjekuri të tillë, teksa në fakt vendi ynë e kishte një bursë prej vitesh. Mjafton të kujtojmë faktin se “Bursa e Tiranës”, e financuar prej shtetit u mbyll në dhjetor të vitit 2014, pikërisht sepse pranë saj nuk u listua asnjë kompani. Por pas tre vitesh, sipas AMF-së, gjërat duket se kanë ndryshuar dhe tregu financiar shqiptar mund të jetë gati për funksionimin e një burse reale,brenda së cilës tashmë kompanitë të investojnë kapitalet e tyre. E në këtë mënyrë, t’i jepet fund informalitetit që ka ekzistuar deri tani për vlerën e vërtetë që ato kanë dhe transaksionet e shit-blerjes së tyre. Kjo, edhe pse biznesit shqiptar në fakt, prej vitesh, nga ana e shtetit iu dha shansi që ta bënte një gjë të tillë, por e refuzoi, duke çuar kështu në falimentimin e bursës. Duke refuzuar në të vërtetë “daljen në dritare” të potencialeve reale të tij para tregjeve vendase dhe të huaja. Gjë që mesa duket tashmë është gati ta bëjë tani, përderisa ka kërkuar vetë që të ndërmarrë nismën e ngritjes së një burse dhe shteti ia ka miratuar.

HISTORI

Bursa e Tiranës” ka qenë e para dhe e vetmja bursë që ka ekzistuar në Shqipëri. E hapur që në fillim të viteve ‘2000, ajo u mbyll në fund të vitit 2014, duke mos arritur të realizonte dot misionin e saj për të cilin ishte ngritur, pikërisht atë të shitblerjes së kapitaleve apo zgjerimin e bizneseve. Dhe duke lënë në këtë mënyrë vetëm bankat si ndihmëse të sistemit financiar në vend, por edhe të kompanive.

Edhe Turqia ofroi ndihmën e saj

Bursa e Stambollit, e cila mbahet si më e zhvilluara dhe më likuidja në Ballkan, prej vitesh ka shfaqur interesin e saj për ta ndihmuar Bursën e Tiranës. Por mesa duket, as përvoja e ofruar prej saj nuk arriti dot t’i bindte komoanitë shqiptare të kuotoheshin në të. “Shqipëria jo vetëm që e ka mundësinë për të pasur një treg kapitalesh, por prej kohësh, duhet që ta kishte atë. Nuk duhet te mendohet të rrisësh ekonominë dhe të zhvillosh biznesin vetëm nëpërmjet tregut bankar. Dhe Shqipëria, duke pasur një burse, do të jetë në gjendje të tërheqë më shume investitorë të huaj”, kujtojmë të ketë thënë presidenti i kësaj burse, Ibrahim Turhan.

INTERVISTA

Flet për “Albanian Free Press”, ish-drejtoresha e Bursës së Tiranës, Anila Fureraj

“Duket se tani erdhi koha për Bursën”

“Ndoshta nuk ishte koha...”. Kështu e komenton gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Pres”, licencimin e të parës bursë private në vend, vetë ish-drejtoresha e bursës shtetërore e cila u mbyll pak kohë më parë, Anila Fureraj. Duke shtuar se “tashmë erdhi koha” dhe se një nismë të tillë po e kërkon vetë biznesi e kjo është një gjë shumë e mirë sipas saj. Sepse i shërben tregut, por edhe biznesit, duke e shfaqur atë më transparent, më konkurrent, por edhe me më shumë prestigj në tregjet e kapitaleve...

***

Znj.Fureraj. Besoj jeni njohur me lajmin e fundit të licencimit të bursës së parë private në vend nga ana e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare. Si do ta komentonit atë?

Absolutisht që është gjëja më e mirë që mund të ekzistojë për tregun shqiptar. Kjo është e para. Dhe e dyta, po e kërkon vetë biznesi. Fakti që po bëhet diçka të cilën e kërkon vetë tregu, duhet thënë se mbetet një gjë shumë e mirë për atë vetë.

Këtë e thoni edhe pse kjo është një nismë e ndërmarrë nga privati, kur ajo e shtetit kohë më parë rezultoi që nuk funksionoi për fat të keq?

Çdo gjë që ndodh për tregun është një gjë pozitive. Domethënë, realizimi i diçkaje që e kërkon koha, është mirë të bëhet.

Keni pritshmëri që kjo lloj burse mund të funksionojë. Pasi ju e keni drejtuar vetë atë dhe patë që s’ishte e mundur e kjo jo për fajin tuaj, pasi nuk u ofruan shumë biznese në listime etj.

Eshtë risi, pasi realisht i mungon tregut, pavarësisht se bursa e mëparshme u mbyll ngaqë nuk u listuan kompani. Pra, meqë është një institucion që e kërkon vetë sistemi financiar në vend që të jetë i pranishëm, le ta shfrytëzojë edhe shteti, edhe privati, pse jo.

Përse dështoi në praktikë funksionimi i Bursës së Tiranës?

Ndoshta nuk ishte koha. Tashmë erdhi koha, po e kërkon vetë biznesi.

Pra, ju mendoni se ai tani është bërë i vetëdijshëm se duhet të listohet në bursë? Se i duhet atij vetë një e tillë.

Po edhe kjo është. Normale. E kërkon tregu. E kërkon koha.

Si është situata në rajon sa u përket bursave private?

Shumë e mirë. Shumë vende fqinje në rajon kanë bursa dhe ka një bashkëpunim mes tyre. Ata kanë praktika të ekzistencës si të bursave shtetërore, edhe të atyre private. Përshembull, bursa e Kroacisë është krijuar si e tillë dhe bëhet fjalë për shumë vite më përpara. Apo Bursa e Stambollit, është shumë e mirë dhe ka ofruar bashkëpunimin e saj për Bursën e Tiranës, e kam nënshkruar unë vetë. Por ndërkohë që kam nënshkruar edhe me bursat e rajonit.

Tashmë mesa duket edhe biznesi shqiptar është ndërgjegjësuar se i duhet bursa, si edhe fqinjët, për t’u reklamuar në tregjet ndërkombëtare.

Po, absolutisht që është biznesi i i cili është i interesuar për këtë gjë, për të treguar se është vërtet transparent dhe ka mundësinë për t’u bërë vizibël në tregun e kapitaleve. Pasi, ai tashmë ndihet edhe konkurrent me fqinjët, absolutisht. Ne sot kemi goxha kompani të mëdha, prestigjioze dhe potenciale, të cilat kanë treguar se kanë emëtuar tituj të borxhit të cilat tregtohen jo në bursë, psi nuk ka një të tillë, kuptohet, por fakti që kanë emëtuar dhe janë të suksesshëm në tregun shqiptar, besueshmëria që ata kanë treguar, potenciali që ato kanë për të emëtuar letra me vlerë tregon se tregu dhe vetë biznesi po kërkon diçka dhe atëherë përse mos t’i jepet mundësia që të jetë i aksesueshëm edhe në tregjet e kapitaleve.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: