Pas zgjedhjeve, monedha euro po e merr veten

Pas zgjedhjeve, monedha euro po e merr veten
Një dukuri që u vu në pah menjëherë pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, e lidhur kjo direkt me ekonominë dhe xhepin e qytetarit shqiptar, ishte pikërisht ajo e rritjes së vlerës së këmbimit të monedhës evropiane, euro, në tregun e brendshëm valutor. Duke thyer në këtë mënyrë trendin negativ që u shënua prej muajsh lidhur me të, i cili e “katandisi” euron të bjerë deri në nivelin minimal të saj, të këmbimit me vetëm 131 lekë.

Por mesa duket, periudha pas-zgjedhore solli një erë të re për euron si të tillë, duke e bërë që ajo ta kapërcejë këtë nivel ekstrem për të fituar pak e nga pak përditë pikë të reja në tregun shqiptar të këmbimit valutor. Dhe konkretisht, siç referojnë të dhënat zyrtare më të fundit të Bankës së Shqipërisë, monedha evropiane është këmbyer dje me nivelin e 132.41 lekëve. Duke tentuar t’i afrohet kësisoj nivelit të këmbimit prej 133 lekësh, i cili ka qenë edhe ai që e ka shoqëruar së fundmi në pjesën më të madhe të kohës atë, në ballafaqimin në treg kundrejt monedhës vendase.

Ndërkaq, ekspertë të ndryshëm kanë dhënë edhe versionet e tyre lidhur me këto zhvillime që janë vënë re në tregun e këmbimit valutor, duke pohuar se kryesisht njëri nga faktorët kyç që ka ndikuar në ekstremin më të ulët që euro njohu para zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, ka qenë pikërisht procesi elektoral si i tillë. Për të shtuar se në kuadrin e përgatitjeve për këtë të fundit, shumë shpenzime janë kryer pikërisht në monedhën evropiane, duke ia ulur së tepërmi vlerën asaj para lekut.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: