PD vendos: Kryetari zgjidhet mes Bashës dhe Selamit

PD vendos: Kryetari zgjidhet mes Bashës dhe Selamit
Mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike rrëzoi me votim të hapur kërkesën e grupit anti-Basha për anulimin e procedurës së shpallur për zgjedhjet e 22 korrikut. Miratohen dy kandidatët zyrtarë. Reagimi i Jozefina Topallit

TIRANË

Mbledhja e mbrëmshme e Kryesisë së Partisë Demokratike ka zbardhur edhe emrat e kandidatëve që do të garojnë zyrtarisht për postin e kryetarit të partisë më 22 korrik. Ata janë vetëm dy: Lulzim Basha dhe Eduard Selami. Njëri kryetari aktual dhe tjetri ish-kryetar i Partisë Demokratike.

Mbledhja u drejtua nga dy nënkryetarët, Edi Paloka dhe Edmond Spaho, si dhe Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani. Në mbledhje mungonte kryetari i vetëngrirë, Lulzim Basha, Genc Ruli, Jorida Tabaku dhe Ridvan Bode.

Gent Malko lexoi kërkesën për ndryshimin e rendit të ditës dhe anulimin e procedurës për zgjedhjen e kryetarit të partisë, çka u shoqërua me debate të ashpra. Kërkesa u rrëzua, pasi mori vetëm 11 vota. Votimi u bë i hapur.

Përpara fillimit të mbledhjes, ishin depozituar kërkesat për garim nga kryetari aktual, Lulzim Basha, ish-kryetari, Eduard Selami, që shpalli i pari kandidaturën, ish-nënkryetari i partisë, Astrit Patozi dhe disa anëtarë të PD-së: Ibsen Elezi, Astrit Sinanaj, Erion Piciri, Sabri Hoxha dhe Vladimir Mula.

Astrit Patozi u tërhoq nga gara, ndërsa të tjerët u skualifikuan nga një votim i dytë në Kryesinë e PD-së.

Eduard Selami kishte kërkuar që Basha të jepte dorëheqjen, për të siguruar një garë të ndershme dhe votimi të kryhej në shtator. Ndërsa Astrit Patozi, përveç këtyre dy kushteve, kishte edhe 5 të tjera, por në pasdite, përpara mbledhjes, deklaroi se Lulzim Basha zgjodhi farsën dhe jo garën e ndershme në PD.

Ndërsa Jozefina Topalli, ish-nënkryetare e PD-së dhe ish-Kryetare e Kuvendit, tha se ndjen neveri për grupin që mbështet Lulzim Bashën dhe se tashmë në PD nuk ka garë. “Selami nuk është kandidat i vërtetë”, tha Topalli.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: