Përballë Sheriff sot në Elbasan, për mrekullinë në Champions Kukësin e trembin shqiptarët

Përballë Sheriff sot në Elbasan, për mrekullinë në Champions Kukësin e trembin shqiptarët
Kampionët e Shqipërisë do të luajnë sot përballë kampionëve të Moldavisë, Sheriff Tiraspol, ora 19:30, në “Elbasan Arena”, teksa synojnë të shkruajnë historinë e tyre evropiane. I pranishëm pritet të jetë edhe trajneri i ri i kombëtares sonë, Christian Panucci. Kjo ndeshje do të gjykohet nga një treshe boshnjake me kryesor, Irfan Peljto. Fitorja minimale 1-0 e Sherif Tiraspol një javë më parë në Moldavi jep mjaftueshëm shpresë për të besuarit e Ernest Gjokës, që të përmbysin shifrat në Elbasan, me qëllim kualifikimin në raundin e tretë. Ekipi moldav mbërriti dje në Tiranë e më pas iu drejtua Elbasanit, ku edhe qetësia.

Nëse Kukësi kalon Sheriff Tiraspol, më 25 ose 26 korrik, do të ndeshet ne raundin e tretë kualifikues ndaj Qarabağ (Azerbajxhan), që eliminoi dje Samtredia (Gjeorgji). Përballë ekipit azer të Ansi Agollit, kualifikimi shihet edhe më i vështirë. Ndeshjet e kthimit do të luhen më 1dhe 2 gusht. Kalimi i mundshëm edhe i ekipit të Agollit do ta çojë Kukëson në zonën “Play-off”, zona që ndan fituesit nga faza e grupeve e Champions League dhe humbësit nga faza e grupeve e Europa League. Kjo mbetet ëndrra e çdo klubi shqiptar, por që e arrijnë përgjithësisht ato që kanë një buxhet 10 herë më të madh se Kukësi. Trajneri Ernest Gjoka i tha “Albanian Free Press” se, “synojmë dhe besojmë se mund ta kalojnë këtë raund.

Raundi tjetër bëhet edhe më i vështirë. Faza e grupeve e Europa League (arrihet nëse Kukësin kalon raundin e tretë Champions), do të ishte maksimumi ynë i mundshëm” . Kjo për faktin se përballë Kukësit në “play-off” mund të jetë një nga ekipet fituese të raundit të tretë si: Nice-Ajax, Dynamo Kyiv-Young Boys, AEK-CSKA, apo  Club Brugge-İstanbul Başakşehir.  Por ende nuk kanë arritur në raundin  e tretë ekipe si BATE Borisov e  Legia Varshavë, që kanë qenë vitet e fundit në fazën e grupeve. Legia për të mos cenuar objektivin sapo bleu sulmuesin e kombëtares sonë Armando Sadiku.  Kopenhagen e Malmo, Celtic apo Rosenborg gjithashtu, ashtu si Kukësi, garojnë për të arritur kualifikimin për në raundin  e tretë, por ndryshe nga kampionët shqiptarë e kanë arritur më herët fazën e grupeve.  Ludogorets,  Salzburg, Rijeka, Qarabağ janë gjithashtu kandidatë për “Play-off”. Partizani i Beogradit shihet si kundërshtar i mundshëm i Olympiacos të Greqisë, në raundin tjetër, por nëse Kukësi kalon ekipin e Agollit, mund të vihet përballë kampionëve grekë të Besnik Hasit, në një përballje tjetër historike ballkanase. Sigurisht ky do të ishte maksimumi i Kukësit, pra zona “play-off”, sepse në letër kampionët e Shqipërisë kanë thuajse zero shanse të kapërcejnë përtej kësaj zone. Besnik Hasi ka një kontratë sa buxheti i Kukësit me Olympiakos ndërsa Armando Sadiku paguhet sa gjysmë e Kukësit te Legia.

A.Muraçi

Shpërndajeni me miqtë tuaj: