PRESIDENCA, SI NJË POL I MUNDSHËM PUSHTETI!- OPINION NGA ALFRED PEZA

PRESIDENCA, SI NJË POL I MUNDSHËM PUSHTETI!- OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Pas polemikave për rizgjedhjen e Lulzim Bashës në krye të PD, lajmi më i rëndësishëm politik i muajit u bë, hyrja e Ilir Metës në Presidencë. Betimi i tij formal si Presidenti i ri Republikës në Parlament dhe ceremonia e ndërrimit të stafetës me paraardhësin, Bujar Nishanin, dominuan skenën mediatike. Një eveniment ky, që e pasuroi paksa menynë e gjellës së varfër politiko-mediatike të kësaj vere të nxehtë, me pak "mish të freskët". Duke i dhënë më shumë lëndë debatit publik dhe rrjeteve sociale në arenën virtuale shqiptare. Një debat për të cilin vetë Ilir Meta kishte investuar para zgjedhjeve të 25 qershorit, kur me deklaratat dhe polemikat e ashpra me PS dhe Kryeministrin Rama, e tejkaloi profilin e një kryetari partie të dorëhequr dhe të një Presidenti të sapo zgjedhur, në pritje të marrjes së detyrës së re.

Ky ridemensionim i profilit të Ilir Metës përballë mazhorancës së vetme që do të krijojë qeverinë e re pas mbledhjes së Parlamentit në shtator, pas katër vitesh bashkëqeverisje me PS dhe i zgjedhur në krye të shtetit me votat e saj, ka shtuar jo vetëm kërshërinë momentale publike. Por edhe dilemat e ardhshme politike. Pyetja që shtrohet pas kësaj është: Çfarë Presidenti do të jetë Ilir Meta në pesë vitet e ardhshme, në raport me qeverinë e Kryeministrit Rama dhe opozitën e Bashës, por edhe të bashkëshortes së tij-kryetare të LSI? A është gati ai, që pasi të mbyllë si askush tjetër më parë në këto vite pluralizëm ciklin e drejtimit të tri posteve më të larta shtetërore (Kryeministër, Kryetar Parlamenti dhe tani President) në moshën 53-vjeçare të dalë në pension politik? A do të ndjekë ai shembullin e Sali Berishës me PD, për t’u rikthyer edhe ai në krye të LSI pasi të lërë Presidencën? Apo do të ndjekë shembullin e Ramiz Alizë dhe Rexhep Meidanit, për t’u tërhequr nga jeta aktive publike?

Pra, në fund të fundit, çfarë modeli presidencial pritet të krijojë një politikan me kaq shumë përvojë, me kaq shumë ekuilibra për të ruajtur e për të mbajtur, por edhe me kaq shumë kufizime që Kushtetuta e një vendi krijon në një republikë parlamentare dhe jo presidenciale, si kjo e jona?

Një gjë është e sigurtë që sot. Nisur nga mënyra sesi Ilir Meta e ka bërë shumë vite më parë Kryeministrin dhe në katër vitet e fundit, Kryetarin e Kuvendit, ai do të jetë një President serioz. Më shumë institucional, sesa konfliktual. Një katalizator zgjidhjesh, sesa nxitësh krizash. Një garant jo vetëm i Kushtetutës, por edhe i seriozitetit të përfaqësimit ndërkombëtar të Shqipërisë. Një njeri që gjithsesi do t’i duhet të sforcohet shumë për t’u ngritur mbi emocionet e veta njerëzore, personale politike në raport me partitë parlamentare në përgjithësi dhe LSI-së në veçanti. Mbi të gjitha, për hir të kërkesës kushtetuese, për të qenë një njeri mbi palët dhe përfaqësues i unitetit të popullit.

Por përtej kësaj, shqetësimi më i madh në gjithë këtë diskutim, nuk lidhet me detajet. As me procedurën, teknikalitetet e formalitetet protokollare, qofshin ato të shkruara ose të pashkruara.

Shqipëria ka patur shumë kryetarë shtetit dhe disa profile presidenciale. Ka patur president totalisht politik, siç ka qenë Sali Berisha. President konsensual si Alfred Moisiu. Presidentë partiakë si Rexhep Meidani dhe Bamir Topi, por që në zyrën e kreut të shtetit bënë përpjekje për t’u ngritur në lartësinë e detyrës duke qenë pothuajse të baraslarguar nga interesat e palëve politike në momentet e krizave që kaloi vendi. Sikundër edhe presidentë si Ramiz Alia dhe Bujar Nishani të cilët, edhe pse formalisht i dorëzuan teserat e partive që i zgjodhën, vazhduan që të bënin partiakun në kushte e me mjete të tjera.

Unë nuk mund të parashikoj dot sot me saktësi inxhinierike, projeksionin e profilit presidencial që do të këtë Ilir Meta nesër. Ajo që mund të them me siguri që tani, është se ai nuk do të jetë i njëjtë me asnjërin prej profileve të paraardhësve të tij. Për shkak se edhe kurba e karrierës së tij politike, deri në detyrën e kreut të shtetit, ka ndjekur një trajektore tjetër nga ajo e gjithë paraardhësve të vet. Shenjë e qartë se edhe në këtë detyrë, për shkak edhe të një përvoje çerek shekullore politike tashmë, do të mundohet që të jetë vetvetja. Një profil origjinal. I cili, nuk di të them nëse do të jetë më produktiv apo jo për të, vendin dhe për qytetarët, në raport me tjerët. Por e sigurtë është që aktiviteti i tij nuk është i parashikueshëm dhe as fundi i një filmi të parë deri më sot.

Për aq kohë sa LSI për 8 vjet me radhë u shndërrua në një "kingmaker" i pushtetit, pa të cilën asnjëra nga dy partitë kryesore nuk arrinte që të krijonte e vetme qeverinë dhe ta ushtronte mandatin deri në fund, Ilir Meta ia doli që të ishte në krye të një poli të tretë politik. Duke e prishur bipolaritetin e dy partive të mëdha PS e PD, i ndihmuar në këtë rast edhe nga sistemi zgjedhor shqiptar, që ia ka vështirësuar në maksimum punën partive për të fituar të vetme 71 e më shumë mandate deputetësh. Kjo e kishte vendosur atë dhe LSI në kushtet më komode të mundshme në raport me votuesit. Pasi nga ndarja e tortës së pushtetit, kjo parti arrinte të siguronte në praktikë më shumë poste, funksione dhe vende pune në administratën qendrore e lokale, sesa kishte "de facto" nevoja. Pra, LSI arriti të kishte luksin për të patur më shumë ofertë, se kërkesë elektorale.

Pas zgjedhjeve të 25 qershorit, ku PS dhe Kryeministri Rama siguruan një mandat të dytë, duke fituar të vetëm 74 mandate, LSI jo vetëm u detyrua që të kalojë në opozitë, por bashkë me pushtetin, ajo rrezikon që të humbasë edhe pozicionin e lakmueshëm të një poli të tretë politik. Pra, në këtë mënyrë, rrezikon të shpërbëhet edhe tripolariteti i politikës shqiptare. Ky zhvillim i ri, ia vështirëson jetën në praktikë një partie politike, pasi jo vetëm ndjekësit dhe përkrahësit e tyre pragmatistë kërkojnë të gjejnë alternativa të reja politike për të siguruar benefitet e fituara deri më tani, por edhe drejtuesit e saj nuk do të jenë më në kushtet e imponimit apo të diktimit të zgjidhjeve të ndryshme, në raport me dy partitë e tjera politikë. Qoftë me PS në pushtet, e qoftë edhe me PD në opozitë. Kjo e fundit, rrezikohet nga ana e vet që të garantojë në vijimësi pozicionin e partisë së dytë më të madhe në Shqipëri.

Ky momentum që pritet të krijohet në vijimësi, e që pritet të testohet fillimisht në zgjedhjet lokale të vitit 2019, është prova më e madhe dhe e vërtetë e zjarrit që do të duhet të kalojë Presidenca e Ilir Metës. Për të kuptuar nëpërmjet saj se çfarë Presidenti do të jetë ai në të vërtetë.

A do të jetë një President i ftohtë, që do t’i përballojë sfidat që do t’i dalin përpara "me qetësi dhe dashuri"?

Apo do të jetë një President që në momentet kur i prishen ekuilibrat apo i rrezikohet interesi personal dhe i partisë që ai vetë ka krijuar e që tani drejtohet nga bashkëshortja e tij, do të rikthehet tek përplasjet si ato të dikurshmet në sallën e Kuvendit me PD dhe si ato të fundit gjatë fushatës elektorale me PS?

A do ta shndërrojë ai Presidencën në një pol të ri pushteti, për ta rikthyer skenën politike shqiptare sërish e artificialisht në tripolare në favor të LSI, në kompensim të bipolaritetit mazhorancë-opozitë?

Apo do të na tregojë se është ende i gatshëm që të lëshojë pushtet, apo më mirë, mundësi për më shumë pushtet, për të patur të gjithë më shumë shtet? Kjo mbetet për t’u parë. Për aq kohë sa në intervistën e tij të parë me kostumin e ri të kreut të shtetit, Ilir Meta deklaroi se nuk mund ta fuste dot në rresht, bashkëshorten-kryetare të LSI!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: