PRESIDENTI DHE SHTRËNGIMET FALSE TË DUARVE- OPINION NGA PLATOR NESTURI

PRESIDENTI DHE SHTRËNGIMET FALSE TË DUARVE- OPINION NGA PLATOR NESTURI
Shenjat tregojnë se presidenca dhe qeverisja do të ndeshin brirët. Por në politikë ndodh çdo gjë. Ajo çfarë mbetet dilemë është një tjetër fakt. Gjatë presidencës së Metës, LSI do të largohet edhe më shumë nga PS? Apo pas katër vjetësh në zgjedhjet e reja do të kemi një bashkësi të re interesash? Të shohim

Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Ilir Meta zgjidhet presidenti i 10 në historinë 100 vjeçare të shtetit shqiptar. Një zgjedhje e bërë jo me entuziazëm nga vetë politika, e që pranohet edhe prej vetë kreut të ri të shtetit, se ishte më tepër një vendim me mendje të ftohtë, sesa dëshirë. Sidoqoftë, përkundrejt parashikimeve të disa javëve më parë se ceremonia e betimit të Presidentit mund të kish sjellë ndonjë incident "teknik", gjithçka shkoi mirë. Të paktën nga ana protokollare. Shtrëngimet e duarve nuk munguan, por ato ishin false, së bashku me urimin nëpër dhëmbë. Dhe Meta dukej i qartë për këtë fakt.

Pavarësisht peshës që ka Meta në politikën aktive të 20 viteve të fundit, presidenca e tij gjendet përpara disa sfidave. Meta vetë do të ketë më pak kompetenca si president sesa paraardhësi i tij, dhe shumë herë më pak se presidentët e viteve ’90. Ndryshimet kushtetuese të vitit të kaluar, të cilat i ka votuar dhe Meta e LSI, e kanë ulur peshën e Presidentit, sidomos në sektorin e drejtësisë, përderisa nuk e ka më tagrin si kreu i KLD. Bjerrja e kompetencave nga Kushtetuta e re, e vendos Presidentin në një rol më honorifik dhe me një ndikim jo më të drejtpërdrejtë në çështjet që lidhen me Ekzekutivin dhe institucione të tjera të shtetit.

Pak e vështirë kjo për një nga figurat me peshë të politikës, që të luajë rolin e honorifikut. Sidoqoftë, të shohim. Kjo dhe për një detaj tjetër që e bën shumë më specifike bashkëjetesën e presidencës së re me mazhorancën. Çdo president i zgjedhur në këto 27 vite, të paktën e fillimet e detyrës së tij ka qenë në marrëdhënie të mira e më shpesh të shkëlqyera me mazhorancën që e ka zgjedhur. Përplasjet e krijuara me kreun e qeverisë kanë ardhur më vonë, si në rastin kur kanë ndryshuar mazhorancat gjatë presidencës Moisiu dhe Nishani, por edhe në evoluimin e qëndrimeve drejt antagonizmit brenda të njëjtës maxhorancë, siç ndodhi gjatë ushtrimit të mandatit Topi.

Në rastin e mandatit të tanishëm Meta, është më se e qartë që marrëdhëniet midis kreut të qeverisë dhe Presidentit do të jenë të ndera, pavarësisht mbështetjes me votë të zgjedhjes së tij. Kalimi i LSI në opozitë dhe fushata elektorale e ngarkuar me akuza dhe goditje “poshtë brezit”, kanë lenë vraga shenjash në marrëdhëniet Rama-Meta që zor se mund të fshihen nën petkun ceremonial të presidencës së re. Politika në vetvete është një tentativë e vazhdueshme për grumbullim pushteti, dhe këtë lojë e dinë mirë të dy si Rama dhe Meta. Dhe në këtë tentativë që vijon, kjo nuk mund të kufizohet nga çështje kompetencash. Vërtet, sipas Kushtetutës, Meta ka më pak dosje në duar sesa Nishani. Gjithsesi presidentin e bën dhe statura e kreut të shtetit e, në këtë drejtim, duket e qartë që mekanizmat që ka në dorë, varet edhe se si luhen. Presidenti i ri nuk ka më të njëjtin akses në organet e drejtësisë, por ruan ende kompetenca në emërimin e drejtorit të Shërbimit Informativ, të Kontrollit të Lartë të Shtetit, dekretimet e anëtarëve të Qeverisë dhe ambasadorët jashtë vendit. Të paktën me dy institucionet e para, Presidenti ka një akses të mjaftueshëm në informacione, si për çështje sensitive që kanë të bëjnë me probleme të rendit, krimit e trafiqeve, deri në çështje të korrupsionit në administratë. Dhe informacionet në duart e një njeriu aktiv e me shtrirje të gjerë, mund të kenë më shumë vlerë përdorimi sesa në rastin e Nishanit, p.sh.

Ndonëse nuk ndërhyhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, për çështjet më sensitive mund të thirret Këshilli i Sigurisë Kombëtare, ku dhe jepen detyra konkrete në qëndrim dhe zbatim. Po ashtu mund të përdoren dhe për fushata me ndikim të tërthortë. Në fjalën e tij, Presidenti i ri e vuri theksin e vëmendjes tek media dhe shoqëria civile. Dy pushtete që deri më sot janë të keqpërdorura, por që, gjithsesi, mund të jenë problematike për çdo pushtet në rast të një angazhimi të koordinuar.

Përtej këtyre, çdo parashikim do të ishte i pasaktë. Shenjat tregojnë se presidenca dhe qeverisja do të ndeshin brirët. Por në politikë ndodh çdo gjë. Ajo çfarë mbetet dilemë është një tjetër fakt. Gjatë presidencës së Metës, LSI do të largohet edhe më shumë nga PS? Apo pas katër vjetësh në zgjedhjet e reja do të kemi një bashkësi të re interesash? Të shohim.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: