PROVA E ZJARRIT PËR LSI-në - NGA EDUARD ZALOSHNJA

PROVA E ZJARRIT PËR LSI-në - NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga EDUARD ZALOSHNJA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Kur LSI-ja u bë për herë të parë pjesë e pushtetit (në 2009-ën), mori 75 mijë vota në rang vendi. Gjatë tetë vjetëve që ndenji në pushtet (një herë me PD-në e herën tjetër me PS-në), ajo arriti t’i shtojë votat nga një palë zgjedhje në të tjetrën – si në ato lokale edhe parlamentare. Kështu, në zgjedhjet lokale të 2011-ës, LSI-ja mori 110 mijë vota në rang vendi; në zgjedhjet e 2013-ës mori 180 mijë vota; dhe e arriti rekordin në zgjedhjet lokale të 2015-ës, me 260 mijë vota.

Deri në zgjedhjet e 2015-ës, ky progresion statistikor i LSI-së ka patur një koeficient mesatar rritjeje prej 1,52, nga një palë zgjedhje në tjetrën. Kjo rritje e LSI-së, sidomos nga zgjedhjet lokale në ato parlamentare, ishte e ndryshme nga ajo e partive të tjera të vogla që zakonisht e kanë rritur numrin e votave në zgjedhjet lokale, por u është zvogëluar pastaj në zgjedhjet parlamentare të radhës.

Duke patur parasysh koeficientin e progresionit statistikor të LSI-së, nga një palë zgjedhje në tjetrën, drejtuesit e saj argumentonin në studiot televizive para zgjedhjeve të 25 qershorit, se progresioni do të vazhdonte edhe në 25 qershor. Sipas tyre, pas kuotës së 260 mijë votave që LSI-ja arriti në zgjedhjet e 2015-ës, do të vinte natyrshëm kuota 400 mijë e sipër.

Por në 25 qershor, progresioni statistikor nuk vazhdoi; LSI-ja mori vetëm 225 mijë vota – 35 mijë më pak se sa para dy vjetësh (shihni grafikun shoqërues).

Arsyeja është e qartë. E vënë mes dy zjarresh të mëdha, PS-së e PD-së, LSI-ja jo vetëm që nuk e zmadhoi dot thesin e saj elektoral, por ai iu zvogëlua. Drejtuesit e saj në administratën qendrore e lokale, u shkarkuan me nxitim pas marrëveshjes Rama-Basha, ndërkohë që këta dy udhëheqës u bënin thirrje votuesve, të mos shpresonin për një bashkëqeverisje të partive të tyre me LSI-në.

E rikthyer në opozitë pas tetë vjetësh, LSI-në e pret tani një provë edhe më e fortë. Në zgjedhjet e ardhshme lokale, ajo nuk do të jetë në gjendje të fitojë e vetme në bashkitë që fitoi në 2015-ën me ndihmën e PS-së. E vetme mund të fitojë Skraparin, kurse në bashki të tjera, mund të fitojë nëse bën koalicion opozitar me PD-së.

Por në qoftë se PD-ja i qëndron marrëveshjes me PS-në, për të vendosur duopolin elektoral në Shqipëri, LSI-ja do ta ketë vështirë në zgjedhjet lokale të 2019-ës. Dhe pas tyre, mund të mbetet pa njerëz të saj, si në pushtetin qendror, edhe në atë lokal.

Një zbritje, pas dy vjetësh, poshtë kuotës së 225 mijë votave (që LSI-ja e kapi në 25 qershor), do t’i jepte mesazhin publikut, se kurba e saj po vazhdon rënien. Gjë që mund ta kthejë një ditë në kuotën e vitit 2009.

Me pak fjalë, këta katër vjet në opozitë, do të jenë vërtetë një provë zjarri për LSI-në. Ajo duhet të provojë se është një parti që nuk rritet vetëm kur është në pushtet, por edhe kur është në opozitë.  Përndryshe…

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e "Albanian Free Press".

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: