QË NGA PD ECËN TOKA…- OPINION NGA FRROK ÇUPI

QË NGA PD ECËN TOKA…- OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

...Në lashtësi, filozofi Ibid pat thënë se "Që nga anija ecën Toka".

Partia Demokratike e sfilitur prej humbjes së 25 qershorit, tani po sfilitet prej delirit dhe marrëzisë. Askush nuk e priste gjendjen e mjeruar të një grupi njerëzish që po priste t’i kishte në anijen e qeverisjes.

Pas humbjes në zgjedhjeve parlamentare, Partia Demokratike humbi të drejtën qytetare për të thënë ‘ah sikur t’i kishim në pushtet’. Më duket se tani njerëzia po thotë: ‘Ah sa mirë që shpëtuam”. Zgjedhjet e fundit në PD ishin një shëmtim aq i madh dhe devijacion demokracie, saqë njerëzit mbeten "pa mend".

Ibid i lashtë, nga më të lashtit e fjalës ka shkruar një vjershë profetike:

“Kush udhëton me anijen mbi ujë/

Sheh tokën që rrëshqet, jo anijen e tij”.

Çfarë po rrëshqet për anijen e PD?

1.

Po rrëshqet toka e “të marrëve”. Të marrët janë të gjithë ata që panë me sy se Partia Demokratike pësoi humbjen “më të thellë në historinë e saj”. Sali Berisha, që tha këto fjalë menjëherë pas humbjes, (edhe dje), duket sikur është në “Anije”, por në fakt, edhe ky që udhëhoqi PD-në në 20 vjet, shikohet si “Toka” prej anijes së PD. Të gjithë që kanë kuptuar se sa shumë humbi PD, që nga anija duken “të marrë”. Entuziazmi që shpërtheu sot pas fitores së Lulzim Bashës si kryetar i PD, e ka bërë zero humbjen në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Ata që ndodhen në anije po thonë se ‘ajo nuk ishte humbje’; vetëm 'të marrët' në Tokë thonë se humbi. Me rastin e fitores së bujshme të kryetarit humbës, Basha, del se një pjesë e mirë e popullit ndodhet në marrëzi, të paktën ata që e votuan dhe që numërohen diku te 50 mijë. Me 50 mijë të marrë, një komb ndodhet në momentin më të vështirë të ekzistencës... Psikoza në anijen e Ibidit të lashtë, është se fitorja është në parti, nuk është në popull. Edhe udhëheqësi legjendar i Partisë Komuniste Shqiptare kishte aplikuar ‘fitoren e Partisë” si gjithçka.

...Populli në anije vuante nga sfilitja, nga dhuna, nga izolimi, por Partia ishte fitimtare e përjetshme... Ne që jemi në Tokë “po rrëshqasim” në fatalitet, ndërsa PD është 'mirë'.

2.

Që sot, PD ndodhet në Anijen e Vetëdijes Kritike. Psikologët e famshëm e kanë paraqitur ‘sëmundjen e vetëdijes kritike’ si nga më të rrezikshme e njerëzimit. Një pjesë themelore e marrëzisë është "Vetëdija Kritike", shkruan Mishel Fuko (Michel Foucault), ajo është "vetëdija që nuk përkufizon, por denoncon". PD denoncon armiq brenda radhëve të saj, denoncon të dytin e të tretin për humbjen. Vetë nuk ka asgjë për të përkufizuar. Sëmundja e Vetëdijes Kritike i ka bërë të mendojnë se “ne nuk jemi ne”. Partia Demokratike bëri gjithçka për të dëshmuar se PD nuk është PD. Që në momentin kur hyri në protestën popullore 3 mujore, PD bëri ‘lavazhin’ e madh:

Ndryshoi simbolet e partisë, me të cilat PD kishte ngadhnjuar mbi komunizmin në vitin 1990; ndryshoi filozofinë djathtiste dhe konservatore; hutoi publikun duke iu thënë se ‘iu ofrojmë Republikë të Re’; paraqiti një flluskë si Rilindja dhe iu tha se aty është Republika; ofroi një program, por në fakt nuk e dimë, ‘e dinë gjermanët”; ofroi doktrinën e Donald Trump por aplikoi porositë e George Soros…, dhe më në fund ofroi ‘Opozitë”, por hyri në një marrëveshje të fshehtë me qeverinë e Majtë, fshehurazi edhe prej luftëtarëve të vet të sfilitur…

3.

PD nuk ka frikë, sepse në anije nuk ka frikë. Anija e PD po largohet pa pushim prej Tokës. Në Tokë ka njerëz dhe tokësorë, ka ndërgjegje, ka frikë, ka ndryshim, ka vuajtje dhe jo- vuajtje. Ndërsa lidershipi i PD është i zhveshur prej këtyre cilësive, është steril dhe prandaj nuk ka lidhje me të tjerët. Sa ishin në Tokë, këta organizuan zgjedhje farsë. Udhëheqësi që i dërgoi në humnerën e 25 qershorit, u rizgjodh me mbi 90 për qind të votave. Ra principi i zgjedhjeve të lira brenda partisë; e si mund të instalohet ky princip brenda shtetit sikur të tilla parti të vijnë në qeverisje... Ra vetëqortimi dhe spastrimi i ndërgjegjes. PD tanimë e ka marrë damkën si një grupim pa kujtesë dhe pa mend; ndryshe nuk mund të zgjedhësh humbësin si fitimtar… A keni parë një familje që përparon kur kryefamiljari fiton vetëm mbi fëmijët në familje dhe gjithmonë humb në përpjekjet e jashtme për të siguruar bukën e fëmijëve?... Po një gjeneral lufte që fiton çdo betejë brenda ushtrisë, ndërsa humb çdo betejë me kundërshtarin? PD e “Vetëdijes Kritike” tani pret edhe katër vjet për të provuar ‘humbjen më të thellë”. Sëmundja më e rëndë e PD është se e ka kapluar pushteti pa pasur pushtet. Në anije ka njerëz dhe minj që i mbushin mendjen liderit se ‘kemi pushtet’. Ai bërtet dhe i dukjet se në atë moment Toka zvogëlohet para tij. Ideja se do të qeverisin bashkë me PS, është ideja më fatale. Mund të ndodhë që nesër të jenë në qeverisje, por do të jenë si deri tani: Disa ministra të fyer e poshtëruar, një përgjegjësi e mbartur kot së koti për qeverisjen e tjetrit ku demokratët pastrojnë hambarët e anijes; dhe, në fund- për njerëzit në Tokë nuk do të ketë më PD.

Por vendi po mbetet pa konservatorë politik, pa aleatë të Europës që po ndryshon. PD i punoi një rreng edhe doktrinës “Trump- Brexit”. Kryetari Basha rrëmbeu një foto me Trump dhe iu afrua liberalëve; citoi Brexit dhe u pajtua me universitetin e Soros; e zhveshi Kuvendin nga kapacitetet parlamentariste për t’i hapur rrugë një qeverie pa pengesa të kundërshtarit…

…Tani janë në anije, i kanë hyrë detit.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: