QYTETARI, KY I BRAKTISUR I MADH! - NGA SONILA MEÇO

QYTETARI, KY I BRAKTISUR I MADH! - NGA SONILA MEÇO
Nga SONILA MEÇO

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Zgjedhjet e përgjithshme përfunduan. Shqiptarët zgjodhën me votë të mjaftueshme, që Partia Socialiste të formojë qeverinë e vetme. Nën paradigmën e fituesit i cili nuk gjykohet dhe humbësit që nxjerr justifikime, askush nuk është ende i qartë se si do të qeveriset vendi, katër vitet e ardhshme. Për herë të parë, dëgjesa me qytetarin bëhet pas zgjedhjeve e jo para tyre, për të kuptuar se ç’duan ata, duke u shndërruar në një përpjekje për të legjitimuar atë që një proces zgjedhor, nuk mundi ta siguronte moralisht, - proces i veshur nga dyshime dhe hamendësime. Nëpërmjet një sistemi i cili i përzë rregullisht qytetarët, jashtë perimetrit nga ku mund të kontrollojnë e ndihen të përfaqësuar nga ata që zgjedhin, por me një ecuri të njohur nga kombëtarët e ndërkombëtarët.

Në një moment historik për Shqipërinë, në një rikonfigurim influencash gjeopolitike në rajon, zëvendëndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, në intervistën e tij në të përjavshmen NIN të Beogradit, ndërsa thekson se vendet e Ballkanit Perëndimor, nuk do të arrijnë mesataren ekonomike të Bashkimit Europian as për 30 vjet, kujton se SHBA-të nuk e mbyllin njërin sy ndaj politikanëve të korruptuar në Ballkan, porse për zgjedhjen e tyre, përgjegjës janë qytetarët.

Kjo deklaratë që zhbën një premisë të shëndetshme të këtyre zgjedhjeve për të mundësuar avancimin e proceseve integruese, - duke vendosur si kusht vullnetin politik për të dëgjuar këshillat e komunitetit të përbashkët euroatlantik, - ka brenda saj edhe një dorëzim të fateve në duart tona, në kohën kur çdo analizë, arsyetim e debat publik, ka krijuar përshtypjen se fijet e teatrit politik, me marioneta që flasin shqip, luhen në qendrat e Brukselit e Washingtonit. Qartas na pohohet se jemi përgjegjës ne, qytetarët, për elitat tona politike, për stacionin e trenit të integrimit ku kemi ndalur dhe situatën ku ndodhemi. Pra, në përfundim të një procesi zgjedhor që u shënjua nga një marrëveshje me firmën McAllister+, vulosur me bekimin e përtej Atlantikut, rezulton se pasojat janë produkt i sjelljes sonë si qytetarë, i vendimeve tona, i zgjedhjes sonë dhe se pavarësisht tyre, më shumë se çerekshekulli, nuk do të mjaftojë për të na çuar nga ku jemi nisur prej më shumë se çerekshekulli.

Pa të ndalojmë ca këtu, sepse deklarata është tejet e rëndësishme për nga statura e Brian Yee, momenti i përzgjedhur për t’u bërë dhe mesazhet e drejtpërdrejta që ajo përmban.

Në të njëjtën ditë, Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e tij për Shqipërinë, thekson se investitorët e huaj janë sfiduar nga korrupsioni i shfrenuar dhe vijimi i praktikave të biznesit informal. Pra, me këtë pushtet të fortë të parasë së jashtëligjshme, korrupsionit të shfrenuar, përgjegjësia për zgjedhjen e udhëheqësve të korruptuar, i takon qytetarëve, sipas SHBA-ve.

Në demokraci, vullneti i qytetarëve ushtrohet direkt, ose nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në parlament, nëpërmjet zgjedhjeve të lira e të ndershme, me pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në politikë dhe shoqëri civile, në shtetin e së drejtës ku të gjithë janë të barabartë para ligjit.

Pra, më së pari, të biem dakord për marrëveshjen e fjalës “demokraci” e “qytetarë” sepse, - me gjithë vëzhgimin e saktë të diplomatit amerikan, - ngjan se nuk po flasim për të njëjtën cilësi demokracie e qytetarësh ku pohimi se këta të fundit zgjedhin ata që i drejtojnë, do të ngjante i saktë.

E para, duke nisur nga zhvillimet më të fundit, vota nuk është e barabartë; jo në këtë sistem. Nuk vlen njëlloj vota e një banori të Tiranës me atë të Dibrës. Për më tepër që, demokracia edhe në formën e saj më të kulluar, nuk vendos me anë të votës se kush ka të drejtë, kush është më i saktë, por kush thotë atë që njerëzit duan të dëgjojnë, a të kenë. Për këtë, politikanët tentojnë të plotësojnë nevoja emergjente e afatshkurtra, ndërsa marrin votën e nuk realizojnë përmirësimet afatgjata. Alibitë ndërtohen rrugës dhe nën makinerinë e propagandës bëhen bindëse, ngacmuese emocionesh që luajnë me ndjeshmërinë e njerëzve. Emocioni vepron mbi arsyen e vendimet merren nën efektin përdëllues të manipulimit.

Vijojmë me mënyrën ende tribale të gjykimit. Ne kundra jush,- si në një luftë, përbuzje, përleshje, - ku secili identifikohet në një grup ose në një tjetër, ku përkatësisht gjen aleatët apo armiqtë e vet. E në këtë demokracinë tonë, vota shndërrohet në një sjellje tribale, - unë votoj grupin tim. Kësisoj edhe lideri nën sigurinë e faktit se ti do të votosh symbyllur, besnikërisht grupin, pa e vrarë mendjen për interesat e tua, do të ndjekë interesat e veta.

Për të cituar edhe Koalicionin e Vëzhguesve Vendorë në fund të procesit zgjedhor: Vota blihet! Në funksion të votës ofrohen vende pune. Në funksion të saj shpërndahen edhe fondet për projekte lokale. Në një vend të varfër ku ekzistenca sigurohet prej lidhjeve me politikën, ku përkushtimi ndaj pushtetit siguron të ardhura, punë e mirëqenie.

Dasitë politike, mënyra e ndërtimit të koalicioneve, sistemi zgjedhor me formulën e vet, e kanë bërë votën të brishtë, të çuar dëm në disa raste, të përçudnuar në të tjera. Duke i bërë parlamentet gjithnjë e më pak përfaqësuese e qytetarin gjithnjë më të pa llogaritur. Duke e bërë të pamundur ndërrimin e klasës politike, futjen e kandidatëve të rinj, fytyrave e programeve të reja.

Pra, nuk është se qytetari ka përgjegjësinë e plotë në zgjedhjen e udhëheqësve.

Por, le të vijojmë analizën:

Shqipëria e dha votën e saj dhe ajo i siguroi një mundësi të artë Partisë Socialiste të qeverisë e vetme. Në vendin ku kontrolli e balanca si mekanizma garantues të funksionimit të pushteteve demokratike, janë ndryshkur nga mospërdorimi i rregullt a keqpërdorimi. Ndarja e pushteteve dhe funksionimi i tyre i pavarur, nuk janë as kujtime, sepse vështirë të mbahet mend një periudhë kur gjyqësori, media, apo legjislativi të kenë mundësuar kontrollin e ekzekutivit për degradimin e tij në autoritarizëm.

Ndërsa tek njerëzit kërkohet përgjegjësia për zgjedhjen e pushtetarëve, madje atyre të korruptuar, le të kujtojmë se sa vërtet qytetari shqiptar ka mundësi të zgjedhë. E nëse një sy mbahet i hapur ndaj pushtetarëve të korruptuar, duhen të dy fort të kthjellët për të mos lejuar korruptimin e “qytetarit” deri në shuarje.

Qytetari sot, është i braktisur nga shoqëria civile, humbur mes betejash të forta për të mbijetuar financiarisht e përballë një pushteti korruptues. Ata që dje protestonin, sot janë shpërblyer me një projekt, duke mos protestuar më. Të tjerë infiltrohen mes kauzash të drejta për t’i dobësuar, vjedhur vëmendjen, çorientuar. Vështirë të llogariten betejat e fituara të shoqërisë civile, të mjaftueshme për të krijuar besimin.

Qytetari sot, është i braktisur nga media që zgjedh të mos transmetojë protestën e tij, por propagandën e pushtetit. Media e marketingut politik ku nyjëzohen interesa biznesi me ato politike, ku qytetari pagëzohet konsumator dhe pronarët ndërtojnë opinion publik.

Qytetari sot, është i braktisur nga i ngjashmi që endet në zgjedhjen e emigracionit prej mungesës së shpresës. Diku në një lotari amerikane, diku duke iu përgjigjur sondazheve të Gallup për të artikuluar një 56%-ësh të gatshëm për të ikur, të paralizuar për të sfiduar klasën vendase politike. Pra, vullneti i shumicës i nënshtrohet atij të pakicës me ndihmën e ngordhjes së shpirtit të reagimit e protestës.

Qytetarin e ka braktisur kushtetuta që në gjendjen aktuale nuk njeh më as veten. E arnuar, bjerrë, sakatuar, një bashkim nenesh e ligjesh për të përligjur pushtet e jo për të garantuar shtet. Në emergjencë reformimi, sot, themelet e asaj copë demokracie iluzive që kemi ndërtuar, janë aq të brishtë sa nuk garantojnë dot një votë e jo më një shtet.

Qytetari sot, është i braktisur nga sistemi elektoral që nuk e lejon të vendosë fatin e pushtetit me votë të lirë. Një sistem që ngurtëson kastën, duke mbrojtur pluralizmin në fasadë nëpërmjet rotacionit, por duke zhbërë demokracinë nëpërmjet pamundësisë së votës së lirë, për të çmontuar pushtetet okulte të monizmit absolut të një klase sunduese. Pavarësisht ngjyrave e logove partiake.

Qytetari është i braktisur sot, nga një ndarje territoriale që e ka larguar nga i zgjedhuri i vet, duke ia bërë të pamundur njohjen me hallet e veta e kërkesën e llogarisë. Nuk ka demokraci lokale, sepse qytetari nuk ka mundësi pjesëmarrjeje për të vendosur për asnjë projekt lokal.

Qytetari është i braktisur nga kontrolli ushqimor, nga shërbimi sanitar që duhet t’i garantojë se nuk ha më ushqimin me pesticidet e hormonet e harlisura frutave, perimeve dhe kafshëve. Qytetari po sëmuret masivisht, po i nënshtrohet një cilësie mizerabël jete. Si mund të mendojë e gjykojë drejtë, kur cilësia e jetës ndikohet drejtpërdrejtë nga cilësia e mendimeve dhe ajo është e përqendruar ende tek nevojat bazike?

Qytetari është i braktisur nga referendumi, e drejta e tij për të votuar direkt mbi çështje që e prekin. Kur është thirrur referendum i fundit? Për çfarë çështje në interes publik, pa u manipuluar nga faktorë partiakë?

Qytetari është i braktisur nga politika dhe kaq e vërtetë është kjo gjë, sa vetë kryeministri në detyrë i vendit, kreu i partisë që ka fituar e vetme shumicën për të krijuar qeverinë, do të deklaronte se nëse nuk kthejmë pushtetin tek qytetarët, disfata ka për të qenë e rëndë. Njeriu që bëri shumëçka për të mos dëgjuar qytetarët, për t’i shpërfillur e manipuluar nëpërmjet artilerisë së rëndë propagandistike.

Qytetarët janë braktisur nga opozita, përfshirë në një luftë të brendshme që duan ta shndërrojnë në konsum mbarëkombëtar. Me një servirje të paepur të dialogut të brendshëm partiak, ku ata që kontribuuan në ndërtimin e një sistemi që mbron liderin absolut, tashmë pasqyrat i kanë thyer duke u shfaqur si shpëtimtarë të demokracisë partiake. Askush nuk po mendon se vrasja e opozitës në një vend ku ka kaq shumë korrupsion e padrejtësi, veç i shumëfishon ato. Qytetarët u ndjenë të braktisur nga opozita pasi u thirrën të protestojnë në emër të një Republike të Re, për ta e me ta. Braktisur rrugës elektorale në emër të një marrëveshjeje politike që akomodon udhëheqës, por lë të papërfaqësuar qytetarët.

Qytetarin e braktisur nga partitë e reja që, megjithëse u jep votën, nuk e përfaqësojnë dot në Kuvend. Dhe destinohen të shuhen në hirin e katërvjeçarit, për t’u ndezur në shkëndijat e varfra të shpresës çdo katër vjet. Në një përpjekje titanike me një sistem elektoral që i shuan pa u ndezur, por me një dëshirë thuajse naive, se një votë masive do t’i faktorizojë. Por nuk ka ndodhur, qytetari sheh sesi vota e tij shkon dëm zgjedhje pas zgjedhjesh, në përpjekjen për të rrëzuar fasadën, e kështu braktisja bëhet reciproke.

Qytetari është i braktisur edhe nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar që përshëndesin votën e tyre, megjithëse asnjë nga rekomandimet e shkuara të OSBE-ODIHR nuk u realizua, duke sjellë një proces zgjedhor që nuk respekton votën, ligjshmërinë e saj, barazinë, vlerën. Çuditërisht, qytetari nuk përfillet nga raporti në raport, ku i thuhet se përmbushja e rekomandimeve është kusht për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen europiane. Atëherë, si do të shërbejnë këto zgjedhje për aspiratën, kur kushti themelor nuk plotësohet? Shaka është kjo?

Qytetarin e ka braktisur demokracia që i ka lënë stabilitetin si kurë të një sistemi që bën varavingo nga njëri tranzicion në tjetrin.

Qytetarin po e braktis hapësira publike, vënë në shërbim të interesave private. Pa të drejta në mes, pa dinjitet. Po mbushet me beton në dëm të oksigjenit, pa e pyetur, duke ia shkelur çdo premtim të dhënë e për të cilin i ka besuar votën. Dhe e orienton bindshëm me marketingun agresiv politik se punë po bëhet në respekt të hapësirës publike, megjithëse sa vjen e ajo zvogëlohet.

Qytetarin e ka braktisur komunikimi, debati, toleranca në pranimin e mendimit të kundërt, të ndryshëm, duke iu nënshtruar censurës e vetëcensurës, apo agresivitetit që nuk i shërben interesit publik, por shënjestron atë privat. Duke fyer, shantazhuar, lënduar njëri-tjetrin, për t’i lënë hapësirë politikës të sillet si të dojë në raport me interesin publik. Qytetari nis e markon privaten, duke u përpjekur të gjuajë me të njëjtën forcë që e godasin privatisht, personalisht, e kjo i merr çdo energji për të kuptuar se hapësira e përbashkët që ndan me tjetrin, është ajo që nuk mbron dot më; nuk ka sesi, përqendruar në luftën më sho-shoqin.

Qytetarin e ka braktisur rezistenca, diku mes shkëputjes së vështirë nga e shkuara totalitare dhe presionit të lartë të premtimit të demokracisë që nga yshtja ka prodhuar anarki, ku qytetari ngjan edhe më i vogël e i parëndësishëm përballë madhështisë arrogante të pushtetit, të çdo ngjyre.

Qytetarin e ka braktisur sindikata, organizimet në mbrojtjen e të drejtave të punës, duke u zhveshur prej tyre në hyrje të sipërmarrjes private a administratës shtetërore. Qytetarin e ka braktisur organizimi në shoqata, klube, në grupime shoqërore ku mund të ndajë interesa të përbashkëta, t’i japë zë kauzave, të ndërtojë ide, programe e politika jashtë interesave të politikanëve e atyre të propagandës dhe marketingut politik.

Qytetarin e ka braktisur mendimi i lirë që buron prej njohjes, aftësia arsyetuese që mund të prodhojë fuqi në vendimmarrje e politika nëpërmjet opinionit publik.

Qytetarin e ka braktisur lajmi. Ai nuk transmetohet, por kalon në parafabrikatet e hapësirave mediatike, në portalet online, duke u shndërruar në një inflacion informacioni të pastrukturuar, të pavërtetë, shpifës e që u shërben interesave të pronarëve të tyre, biznesit, apo lidhjeve të tjera të errëta të atyre që duan të orientojnë e formojnë opinionin. Por, qytetarin e ka braktisur edhe lideri i opinionit publik që, megjithëse në titull duhej të qe shkoqitës në favor të publikut, është shndërruar në manipulues në funksion të medias, politikës, partive, apo interesave të biznesit.

Qytetarin e ka braktisur vetja, ajo vete që endet mes hipokrizisë e servilizmit, nevojës për të mbijetuar e frikës së linçimit, pasivitetit e presionit, mungesës së shpresës e lodhjes prej të shpresuarit, mes kapjes së pushtetit e konformizmit, mes së voglës së vet për t’u ruajtur e së madhes së kapur prej rojtarëve të paepur të jetëve tona, të pasurisë publike.

Ngjan sikur qytetari është përpjekur të zhduket gjithë këtë kohë, në fakt çfarë do ethshëm është të gjendet. Përpara se t’i japim rëndësinë e zgjedhjes, duhet ta rikthejmë, rindërtojmë a rizbulojmë. Përndryshe nuk do të ketë recetë euroatlantike që do të mund të gatuajë demokracinë në vendin ku nuk ka kush e konsumon. Pa prit pak…, mos po nxitohem? Ndoshta qytetari ka nevojë të zhduket. Një pjesë e tij, ajo që pas këtij shkrimi do të merret me mua, një ndër qytetarët e këtij vendi - që nuk dua assesi të harrohem fletëve të votimit si një X që përligj kastat dhe raportet optimiste të ndërkombëtarëve! Që mbajnë njërin sy hapur, teksa ka shqiptarë që i kanë mbyllur të dy!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: