Ramona Tullumani: Unë, mes “Lauretës së vogël” dhe “Violetës së fortë”

Ramona Tullumani: Unë, mes “Lauretës së vogël” dhe “Violetës së fortë”
Kur e shikon aq elegante dhe të brishtë, e ke të vështirë të besosh se është një Violetë që vuan gjatë në skenë, me një zë të fuqishëm e që në skenat ndërkombëtare publiku skeptik i operës që ka parë e dëgjuar shumë, ngrihet disa herë në këmbë. Ramona Tullumani Metaj është sot një nga talentet e mëdha të operës shqiptare, nga ata zërat e bukur që mbajnë lart emrin e këtij vendi që jo gjithmonë mban pas vetes talentet e tij. Është e kuptueshme se mbesa e baritonit më të madh shqiptar, Ramiz Kovaçi, me baba artist e një nënë publiciste, të kishte talent. Por Ramona punoi fort për të arritur aty ku është sot, me krenari për rrënjët e me shumë pozitivitet për të ardhmen që e pret në panoramën e operës shqiptare dhe botërore.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Je rrethuar nga një familje pjesë e kulturës shqiptare. Kur e kuptuan ata që kishe talent?

Unë kam kujtime të zbehta, por kam qenë 4 vjeç e gjysmë kur nisa me pianon, e isha shumë e vogël. Në fakt, nuk kisha ende atë përqendrimin që duhet të ketë një artist pianist. Në shtëpinë time, tërë ditën, këndohej e studiohej në dhomën e studimit. Ishte një dhomë plot e përplot me partitura, me ato disqet e mëdha të asaj kohe, ku qëndronte edhe pianoja. Aty vetëm studiohej, për rrjedhim unë u linda dhe u rrita me këtë lloj muzike, atë klasike, të cilën e dëgjoja gjatë gjithë kohës. Kur e dëgjon diçka aq shumë edhe fillon ta duash shumë. Të shkojnë vetë duart që të fillosh t’i biesh pianos, fillon këndon pjesë të vogla të cilat i ke dëgjuar. Aty pikërisht, fillojnë dallohen ato dhuntitë e spikatura, ai talenti i fshehur del në pah. Mua, personalisht, më është formuar atëherë një nevojë e jashtëzakonshme për t’u bërë këngëtare.

E fillova me pianon në moshë të njomë, e fillova edhe shkollën e muzikës për piano. Aty edhe duhej bërë ndarja në fund të sistemit, - do të shkoja tek gjuhët e huaja në shkollën e mesme apo në liceun artistik ku do të studioja për muzikë dhe kanto?

Kujtoj se kam bërë debat goxha të gjatë me babanë. Ai si njeri që vinte prej fushës së artit, më thoshte se arti ishte tepër i lodhshëm, donte mjaft përkushtim, punë të palodhur, sakrifica të shumta. Madje më thoshte se do më shkatërrohej jeta nëse nuk do të isha ekselente në art. “Ose duhet të jesh në majë, të jesh më e madhja, ose duhet ta lësh fare artin, sepse ke rrjedhur nga një familje me arritje të mëdha dhe nuk mund të dalësh pa qenë ekselente”, - më thoshte im atë. Unë ngulja këmbë se do të kisha sukses e luftova ta bindja tim atë se nuk do të bëhej kurrë pishman për zgjedhjen time.

Si përfundim, ia dola! Hyra në Lice për piano dhe kanto, - pianon e shikoja si një nevojë për të mësuar partiturat e kantos. E kisha shumë më të thjeshtë ashtu, e kisha më të lehtë të studioja për kanto, duke njohur mirë partiturat.

Pas Liceut Artistik, unë vazhdova Akademinë e Arteve për kanto. Gjithë këto vite, - që në fund të klasës së tetë e deri në diplomim, - kam qenë nën drejtimin dhe leksionet e pedagoges time, artistes së njohur, Suzana Frashëri.

E kujton herën tënde të parë në skenë?

Është interesante! Kam dalë në skenë, për herë të parë, duke luajtur në piano, sepse studioja në mënyrë profesionale e jo për qejf. Madje, kam fituar disa konkurse për piano në atë kohë. Kënaqesha pa masë kur merrja çmim! Ndërsa, si këngëtare kam marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të fëmijëve. Qesh kur e kujtoj, sepse të gjithë këndonin këngë për fëmijë, ndërsa unë duetin nga opera “Don Giovanni” të Moxart, përshtatur si për fëmijë, por ishte tepër e bukur!

Pas diplomimit, si vazhdoi rruga juaj?

Jam e lumtur sepse, pas diplomimit, kam kryer dy specializime të cilat janë mjaft të rëndësishme për karrierën e një këngëtareje lirike. Mendoj se, po të mos i kisha bërë këto dy eksperienca, nuk do të kisha pasur këtë lloj ecurie që kam tani. Artisti, këngëtari në veçanti, kanë nevojë të jenë në punë të vazhdueshme. Nuk mund të thotë një këngëtar lirik se ja, unë mbarova shkollën e lartë, do të filloj një punë dhe jeta vazhdon. Jo, nuk është ashtu. Gjatë gjithë kohës, ne jemi në punë e sipër.

Pas leksioneve të vyera që Suzana Frashëri më dha për tetë vjet, unë pata nderin të punoja me Raina Kabaivanska, sopranon e famshme bullgare, e cila ishte tepër kërkuese dhe e rreptë. Iu nënshtrova një konkursi jo të thjesht, por konkurs për master me të. Konkursi zhvillohej në Sofje dhe, nga mbi 100 konkurrues, do të zgjidheshin vetëm pak prej tyre. Këngëtarja me famë botërore, jetonte në Modena të Italisë dhe vinte vetëm për këtë master në Bullgari. Isha e bindur se nuk do ia dilja të hyja, të fitoja, por u gëzova pa masë kur hyra në 12 fituesit. Sot e kësaj dite, falë teknikës së saj, arrij të përballoj me sukses opera të nivelit botëror që kanë lodhje të jashtëzakonshme. Të arrish tre orë opera e të mos ndjesh lodhje, këtë e arrin vetëm nga teknika.

Nga një sy publiku nuk njihet, nuk dallohet kjo sakrificë juaja; nuk kuptohet se si një shtat kaq i brishtë sa juaji, të ketë një zë të tillë...

Publiku arrin ta dallojë kur këngëtari lodhet, kjo ndjehet edhe prej tij. E di si është kjo puna e zërit? Është si puna e një femre të vogël me duar të mëdha, kështu thonë. Për shembull, Edith Piaf, këngëtarja e madhe, ka qenë me shtat të vogël, me gishta të gjatë. Kështu është edhe për kordat vokale, mund të kesh shtat të vogël, por me korda të fuqishme.

Por ju keni kryer një specializim edhe me të madhen Katia Ricciarelli...

Po. Pata fatin, madje, që pas specializimit me të, të punoja për një kohë me agjencinë që realizonte shfaqjet operistike ku ajo ishte regjisore. Kam luajtur nën drejtimin e saj disa opera nga më të njohurat. Ishte shumë e vështirë të punoje me të si regjisore, sepse nuk merrej vetëm me teknikë skenike. Ajo shikonte në detaje çdo gjë, imtësisht, sepse ishte pjesë e profesionit. Merrej edhe me presjen e rolit, sepse vetë kishte qenë një DIVA. Nuk ishte e thjeshtë por mësova shumë!

Imazhi për solistet e operës është që ato janë si DIVA në jetë e në skenë, - perfekte, mendjemëdha, gati të paprekshme. Ti, ke diçka prej kësaj?

Perfeksionizmin e kam kur jam në skenë. Madje, mund të them se kam pasur diçka nga kjo, por përpara se të bëhesha nënë. Tani, më pas, as që më bën përshtypje të ndihem apo jem DIVA! Po të shikosh, të gjitha këngëtaret më të njohura të brezit të sotëm, jashtë skene janë të thjeshta. Po ju marr si shembull dy prej tyre që janë nga më të mëdhatë në botë, Anna Jur'evna Netrebko dhe Sonya Yoncheva, këndojnë në SHBA dhe Itali. Në rrugë nuk i njeh, janë të thjeshta në maksimum, por në skenë e në prova shndërrohen në DIVA. Përditshmëria jonë është e thjeshtë.

Çfarë je më shumë, një Violetë, një Xhildë? Cili personazh të personifikon më shumë?

Drejtori i Operës së Sofjes, i njohur në skenën operistike, kur kam bërë një rol të Lauretës, më thoshte se ishte e pamundur që një “Lauretë” e vogël të bëhej një Violetë, pra, një grua e fortë. Unë kisha bindjen që do ta realizoja atë Violetë të fortë. Pas suksesit të Traviatës, më shprehu admirimin për faktin që arrita të bëja një personazh kaq të fuqishëm. Vetëm nga ky sukses, pata nderin të hap dy herë sezonin operistik në Sofje. Vetëm me Traviatën, në një sallë të mbushur plot.

Çfarë i ka shtuar djali ndjeshmërisë tuaj artistike?

Së pari, më ka shtuar zërin. Kur më thoshin se pas lindjes do t’kisha një zë më të fortë nuk e besoja, por ja që ishte e vërtetë. Unë jam bërë më e plotë e më e fortë si femër nga lindja e Borisit, djalit tim. Shumë gjëra që më parë më dukeshin të vështira apo të pamundura, tani nuk më bëjnë më përshtypje. Im bir më ka falur krejt botën, më duket vetja e pathyeshme!

Nga u njohët me partnerin? Si u lidhën rrugët e një këngëtareje lirike me një gazetar?

Jemi njohur në Facebook. Shkruam gjatë, më pas u njohëm e u lidhëm.

Sigurisht që të përkrah, po ti i ndërhyn në punën e tij?

Unë kam një hobi, më pëlqen që, në kohën e lirë, të ndjek vështirësitë e politikës, konfliktet, emisionet politike. E di që janë fusha ekstreme, por kjo më çlodh. Ndaj shpesh diskutoj me Eltonin për ndonjë shkrim të tij që ma jep ta lexoj.

Po linjat kaq elegante, si i ruan?

Vendosa të mbaj dietë të rreptë kundrejt brumërave. Pas lindjes shtova shumë në peshë dhe në një nga rolet e mia në Itali, kur më duhej të luaja një rol mbi piano, vura re sa qesharake isha bërë kur interpretoja disa role, - duke qenë e kolme. Aty vendosa të tregohesha e disiplinuar e të arrija linjat që edhe skena i kërkon.

Mes karrierës tënde dhe atë të bashkëshortit, gjeni kohë për njëri-tjetrin?

Shpesh arratisemi diku për të ndenjur bashkë. Por ka edhe raste kur ai vjen në koncertet e mia, jashtë shtetit. Për shembull, vitin që shkoi shijova shumë ditëlindjen time që qëlloi të ishte premiera në Bullgari. Ishte 5 korrik dhe e kaluam bashkë familjarisht atje. Ishte mrekulli, kujtim shumë i bukur!

Çfarë ke marrë nga prindërit me vete?

Nga mami, pamjen. Ajo është shumë më e bukur, por unë i ngjaj. Nga ajo kam marrë edhe zotësinë në komunikim, më ka mësuar të flas në publik, në media. Ka qenë si zysh për mua. Nga im atë kam marrë këtë që jam sot, të qenit artiste, sepse ai është artist. Ai është kritiku im më i rëndësishëm dhe më reali, pavarësisht se është baba. Shpesh i vjen keq, sepse është prind, por më thotë gjithmonë të vërtetën!

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: