Rrethi

Rrethi
 

Nga Juela Meçani

Kam lexuar se njeriu, sipas studimeve gjermane, është në karakter ai ose ajo që formohet deri në moshën 4 vjeçare. Në këto pak vite jetë thith në mënyrë të pavetëdijshme informacione që nguliten dhe më pas sigurisht zhvillohen, për mirë ose për keq. Por sado i ose e vogël, vitet më pas tregojnë që një pjesë e njerëzve këto katër vite i kanë të vetmet kur kanë karakter të besueshëm dhe fisnikëri.

Gjërat ndryshojnë kur fillon dëshira për pushtet, pushtet i parë në të gjitha format. Aty rrugët njerëzore ndahen, jeta sociale kërkon rrethin, strukturimin e tij, kërkon tarafin, kreditet e tua shoqërore, miqësitë, vartësit, ndihmësit, këshilluesit, frymëzuesit. Merr informacion e krijon bazat. Ose “blen” jetë ose “vjedh” jetë. Kur “blen” bëhesh njeri dhe respekton si i tillë, kur “vjedh”  je pa bosht e përpiqesh ta krijosh.

Pra çfarë e bën një pjesë të  njerëzve të preferojnë të rrethohen nga njerëz të paaftë, mediokër, servilë, më pak të shkolluar se ata, me karakter të dobët, që thurin lavde e bëjnë fresk, që mitizojnë çdo gjë e çdo figurë?

Letërsia na sjell shumë “uriahipë” por realiteti edhe më shumë. Por përse të vegjël njerëzit kryesisht duhen edhe pse zihen, thonë të vërtetën pa droje, vendosin të rrethohen e të mësojnë nga më të rriturit e më të mençurit, e kur rriten kërkojnë vetëm disa satelitë që tu vijnë rrotull, mundësisht tipikë “uriahipë”?

Kjo tendencë është ajo që më së shumti ndodh tek njerëz ambiciozë, që duan të ngjiten shpejt, që e kanë me nxitim majën e karrierës, njerëz që dikur janë “shtypur” nga shefat, njerëz që kanë parë t’u parakalojnë me vite paratë, luksi, pushteti, e kanë lëpirë buzët si një fëmijë i vogël kur do një akullore që mëma nuk ja blen dot.

Sa herë hedh sytë e shikoj, gjej shumë raste kur vajza ose djem të njohur lëvizin në tufë, me një rreth që dukshëm shpreh inferioritet, është si ata mbajtësit, suportuesit e balerinës soliste tek “Liqeni i mjellmave”, që ngrenë “mjellmën” që të dallohet. E njëjta dukuri “dashamirëse” ndodh edhe në cirk. Si mbretëreshat që dikur zgjidhnin të rrethoheshin nga zonjushat që ishin të tilla që vetëm mbretëresha të dukej “më e bukura” e më “më e mira”.

Rrethi, tarafi, ky çark që ngre disa syresh, edhe pa meritë, disa që dikur kanë qenë vetë rreth, enturazh, fresk-bërës. Roli social i tyre është i rrezikshëm, sepse nuk lejon të mbizotërojnë elitat e vërteta dhe i japin komfort e përshtatshmëri servilizmit dhe paaftësisë. Për të paaftin jeta është një xhungël, lufta e tyre për mbijetesë i bën të bashkohen, të përzgjidhen, të nuahaten. Të përdorin çdo mjet për protagonizëm. Të përfitojnë nga cilado luftë mes “të aftëve” dhe elitarëve. Derisa rrethi pasuron jo-elitën dhe bëhet “kuadrat” pa dritare, një burg ku elitat mbyllen me pamundësinë për të dalë në sipërfaqe.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: