Rritja e çmimit të ujit, përplasje “treshe” PD-LSI-PDIU

Rritja e çmimit të ujit, përplasje “treshe” PD-LSI-PDIU
Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi akuzojnë njëri-tjetrin për votimin që çoi në rritjen e çmimit të ujit në Tiranë. Dorëhiqet nënkryetarja e Bashkisë dhe shkarkohen tre zyrtarë të LSI-së. Përjashtohen dy këshilltarët që votuan pro Veliajt

Ndërsa rritja e çmimit të ujit është fakt pas vendimit të fundit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, PD dhe LSI kanë akuzuar njëra-tjetrën për pazare me Partinë Socialiste.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka akuzuar dy forcat e tjera politike për “pazare me Edi Ramën”.

“Pazareve të Edi Ramës dhe veglave të tij në krye të Bashkisë Tiranë për të dyfishuar çmimin e ujit dhe për të miratuar koncesionet klienteliste të shkollave iu bashkuan dje edhe PDIU dhe LSI. Është i njëjti grusht politikanësh të kapur dhe të korruptuar që nuk ka asnjë mëshirë për të rrëmbyer çdo qindarkë nga xhepat e qytetarëve”, shkruan Basha në Facebook.

Monika Kryemadhi, ka kthyer mbrapsh akuzat e Bashës, duke i cilësuar fajtorë demokratët për rritjen e çmimit të ujit. “Dua t’i them zotit Basha se këshilltarët e tij dje qëndruan në sallë për të votuar listat me emrat e tyre, që përfitojnë nga kreditë e buta”, shkruan kryetarja e LSI-së, e cila i kërkon Bashës gjithashtu të sqarojë “marrëveshjen e dyshimtë” të 18 majit me Ramën.

Një reagim i fortë ka ardhur edhe nga deputetja e PDIU-së, Mesila Doda, e cila i konsideron deklaratat e tij si “pjesë të teatrit”. “Sot vazhdon ende teatri i radhës, ashtu si gjatë gjithë fushatës nuk godet ata që janë në qeveri, por ata që nuk janë në qeveri dhe, në fund fare, si gjithmonë… fajin e kanë të tjerët…”, shkruan Doda.

Por përplasja ka vijuar edhe ndërmjet PS dhe LSI. Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, përfaqësuese e LSI-së, Brunilda Paskali, ka dhënë dorëheqjen. Ajo njoftoi se dorëheqja erdhi pas vendimit të fundit të Këshillit Bashkiak dhe votës pro të dy këshilltarëve të LSI-së. “Misioni opozitë i LSI më obligon në aktin e dorëheqjes”, tha Paskali.

“Furtuna” ka vijuar me tre shkarkime zyrtarësh të LSI-së në Bashkinë e Tiranës. Fillimisht u njoftua shkarkimi i drejtorit të Ndërmarrjes së Punëtorëve numër 3, Artjon Çaushllari. Më pas u konfirmua largimi nga detyra i administratorit të njësisë së Farkës, Mateo Shaba si dhe i drejtoreshës së Qendrës Sociale të Shkozës, Kajame Sinani.

Përplasje ka patur edhe brenda LSI-së. Në një konferencë për mediat, koordinatorja e anëtarëve të Këshillit Bashkiak të LSI-së në Bashkinë e Tiranës, Erjona Bixha, ka lajmëruar përjashtimin e dy këshilltarëve që dhanë votat për rritjen e çmimit të ujit. /a.a/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: