Samiti i Triestes: Ballkani në BE, tani integrim përmes ekonomisë

Samiti i Triestes: Ballkani në BE,  tani integrim përmes ekonomisë
Politika tani duket se nuk ka më edhe aq rëndësi. Ajo që do t’i çojë vendet e Ballkanit Perëndimor vërtet para dyerve të Bashkimit Evropian, me siguri ka për të qenë ekonomia. Kështu rezulton të paktën nga konkluzionet e takimit të radhës që Bashkimi Evropian zhvilloi me krerët e këtij rajoni, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Në vazhdën e një plani të ri ndihme të tipit “Marshall”, duke i ulur në të njëjtën tavolinë shtetarët e Ballkanit Perëndimor e duke folur drejtpërdrejt me ta mbi projekte dhe ndarje parash, Samiti i Triestes ka ravijëzuar në këtë mënyrë idenë se tashmë konfliktet politike të këtyre vendeve dikur problematike nuk kanë më rëndësi. Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi, tashmë shfaqen nën “ombrellën” e një tregu të përbashkët rajonal, si një zonë e vetme ekonomike, por edhe si i njëjti komunitet transporti. Të unifikuar kështu si një “njësi ekonomike”, e sponsorizuar kjo pikërisht nga vetë BE-ja për ta patur më të lehtë rrugën e tyre drejt dyerve të tij, me një vlerë projektesh e cila në total kap shumën e 1 miliardë eurove, përfituese e të cilave është edhe Shqipëria. Vetë kjo e fundit, përmes kreut të qeverisë së saj, ka raportuar në Trieste, dakordësimin mbi idenë e integrimit ekonomik të rajonit dhe konkretisht, krijimin e një Zone Ekonomike Rajonale. Sikundër ka pranuar të nënshkruajë edhe traktatin e komunitetit të transportit, për ta bërë Shqipërinë përfituese të projekteve infrastrukturore që do të financohen nga Bashkimi Evropian. Njëri prej tyre, i sigurt, siç ka bërë me dijeni vetë komisioneri për Zgjerimin e BE-së, do të jetë pikërisht Korridori VIII, i njohur dhe i promovuar prej vitesh nga politika vendase për publikun shqiptar, por deri tani ende i parealizuar.

 

Firma e parë e BE-së, ajo për ndihmën prej 48 milionë euro

Firma e parë që është vendosur në Samitin mbi Ballkanin Perëndimor të zhvilluar në Trieste ka qenë pikërisht ajo gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për asistencën financiare nga Bashkimi Evropian për gjashtë partnerët e tij ballkanas: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Mali i Zi. Në tërësi, bëhet fjalë për një marrëveshje që vlen 48 milionë euro, e destinuar kjo ndaj firmave, start-up dhe infrastrukturave, e që i shtohet shumës prej 200 milionë eurosh të caktuar nga BE-ja për rajonin e Ballkanit Perëndimor, nga të cilat përfiton edhe Shqipëria. Marrëveshje kjo e kryesuar nga vetë komisioneri evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn. Në tërësi, Bashkimi Europian do të akordojë për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, një fond  prej 250 milionë eurosh, nga të cilat një pjesë do të jepet në formën e grantit dhe një pjesë si kredi. Fond ky i cili do të shkojë për financimin e projekteve madhore në infrastrukturë dhe në energjetike, ndërsa për projektet konkrete do të diskutohet mes anëtarëve të qeverive të vendeve përkatëse.

Procesi i Berlinit, Trieste si stacioni i katërt i ndihmës

Samiti i Triestes mund të quhet fare mirë si “stacioni i katërt" i ndihmës evropiane të parashikuar nga BE-ja ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ku kjo e fundit, është konceptuar nën të ashtuquajturin “Proces i Berlinit”, një iniciativë kjo e palës evropiane pikërisht për të ndihmuar bashkëpunim mes gjashtë vendeve Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Mali i Zi. E kjo jo vetëm në parim, por edhe duke e financuar atë me miliona euro. Kujtojmë sakaq, se “stacioni i parë” i lançimit të kësaj nisme ka qenë Samiti i Berlinit zhvilluar në vitin 2014. Pasuar nga ai i Vjenës, zhvilluar një vit më pas, në 2015-ën dhe ai i vjetshëm i Parisit. Që të gjitha këto, vente të cilat janë marrë në mënyrë direkte me ndarjen e 1 miliardë eurove të caktuara nga BE-ja për Ballkanin Perëndimor, përmes grantesh dhe projektesh të ndryshme.

Shqipëria, jo projekte konkrete për përfitimin e fondeve nga BE

Pala shqiptare nuk ka bërë me dije zyrtarisht ndonjë projekt konkret për përfitimin e fondeve të caktuara nga Bashkimi Evropian, në kuadrin e Samitit të Triestes, para se të nisej për të marrë pjesë në punimet e tij. Porse ajo që dihet me siguri është se ajo ka për të përfituar në kuadrin e atyre që janë caktuar të realizohen si pjesë e komunitetit rajonal të transportit, ku ajo tashmë bën pjesë, si firmëtare e tij, bashkë me pesë vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ku njëri prej tyre, kujtojmë se është ai i Korridorit VIII. Sikundër, Shqipëria do të përfitojë edhe nga projektet e përbashkëta energjetike rajonale, teksa tashmë ajo do figurojë me ballkanasit e tjerë, si një zonë e përbashkët ekonomike.

Alfano për Ballkanin: Aty ku kalojnë tregjet, s’mund të kalojnë dhe ushtarët

“Aty ku kalojnë tregjet, nuk mund të kalojnë edhe ushtarët”. Kjo thënie e ministrit të Jashtëm të Italisë, Angelino Alfano, në emër të shtetit mikpritës të Samitit për Ballkanin Perëndimor, mbeti simbol i diskutimeve eventit të Triestes. Thënie kjo, e cila u pasua nga një tjetër për sqarimin e përfitimeve të këtij rajoni nga projekti evrioian i të funksionuarit tani e tutje si një zonë e lirë ekonomike: “Atje ku ka integrim ekonomik, nuk ka më luftë”. Për të shtuar më tej, se është pikërisht në interes të Bashkimit Evropian që ta integrojë sa më parë rajonin e Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë edhe Shqipëria brenda strukturave të tij. “Tashmë ka një axhendë ekonomike të qartë sa i përket perspektivës së integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE”, sqaroi ai.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: