Seedorf e sheh veten favorit ndaj Panucci e De Canio...Duka e ka marrë vendimin

Seedorf e sheh veten favorit ndaj Panucci e De Canio...Duka e ka marrë vendimin
Seedorf mund të kthehet në postin e  trajnerit, këtë herë për të drejtuar Kombëtaren e Shqipërisë. Por është një nga tre mundësitë, megjithëse tashmë jo më me shanse më të pakta se dy të tjerët.

Pas largimit të Gianni De Biasi, përfaqësuesit e FSHF-së mësohet se kanë mbyllur bisedimet me tre kandidatët e mbetur duke krijuar paqartësi për përzgjedhjen, ndonëse besohet gjerësisht se Armand Duka e ka marrë tashmë vendimin.

Armando Duka, president i Federatës Shqiptare, pasi ka zhvilluar bisedime edhe gjatë dy ditëve të para ta javës me tre kandidaturat e përzgjedhura: De Canio, Panucci dhe Seedorf, pritet të shpallë zyrtarisht pasuesin e Gianni de Biasi.

Panucci e De Canio kanë pasur kërkesa gati të njëjta dhe kanë një profil po ashtu të ngjashëm. Christian Panucci nga karriera e kaluar me Rusinë si ndihmës i Capello ishte një kandidaturë serioze, po jo më pak mund të konsiderohet edhe ajo e trajnerit tjetër, De Canio.

Nga kjo dilemë duket se përfiton ish-holandezi i Milan, Seedorf.

Seedorf, emër i madh dhe i njohur si futbollist ndonëse pa ndonjë karrierë të spikatur si trajner, mësohet se është pëlqyer nga bisedimet e fundit me presidentin Armand Duka, çka ka shtyrë vendimin e tij.

Edhe pse mësohet se fillimisht Seedorf ka pasur kërkesa financiare më të mëdha se Gianni de Biasi, ai më pas ka hequr dorë nga kërkesat financiare duke shfaqur interes për të zhvilluar karrierën si trajner. AI ka garantuar edhe suksesin që kërkohet në drejtim të ekipit tonë kombëtar.

Duka insistoi fillimisht me kandidaturën e Pippo Inzaghi, i cili vendosi të drejtojë Venecian.

Nga pritja për Inzaghin, i cili vonoi edhe përzgjedhjen e trajnerit kuqezi, Duka ka insistuar vazhdimisht që të marrë në stolin kuqezi një emër tjetër të madh e të njohur nga tifozët shqiptarë, çka Sedorf përbënte  avantazh ndaj dy kandidatët e tjerë.

”Sportmediaset” në Itali, si dhe media të tjera italiane të merkatos, që i referohen burimeve pranë ish-lojtarit të famshëm të Milan dhe Holandës, konfirmojnë gjithashtu sot se Seedorf e sheh veten si favorit në stolin kuqezi.

Megjithatë, FSHF pritet të komunikojë së shpejti vendimin për emrin e ri të trajnerit.

Deri këtë të premte besohet se vendimi për pasuesin e Gianni de Biasi do të merret zyrtarisht nga FSHF. Objektivi i trajnerit të ri do të jetë pozicioni i vendit të tretë në kualifikueset e Kupës së Botës, Rusi 2018, si dhe kualifikimi i Shqipërisë në finalet e Euro 2020.

Pas mbylljes së bisedimeve të dyta me kandidatët, Clarence Sedorf, tashmë i vetëshpallur si kandidat kryesor për vendin e mbetur bosh te Shqipëria, ka arsye të besojë suksesin, nsiur nga eksperienca e madhe si lojtar i kombëtares holandeze.

Si lojtar Seedorf ka luajtur me ekipe të mëdha: Ajax, Sampdoria,  Real Madrid,  Inter,  Milan. Ai e mbylli karrierën te ekipi brazilian,  Botafogo de Futebol e Regata, si dhe ka luajtur 87 ndeshje me kombëtaren e Holandës duke shënuar edhe 11 gola. Seedorf u rikthye te Milan si trajner dy sezone më parë, për të vijuar një eksperiencë edhe në Kinë. Holanda gjatë kohës së Seedorf ka qenë pjesë e finaleve të Europianit dhe Botërorit, çka ndonëse jo trajner i ndonjë ekipi tjetër kombëtar, ai e ka eksperiencën e duhur si lojtar për të shpresuar te suksesi apo të paktën vazhdimësia e nisur nga Gianni de Biasi.

/a.m/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: