Selami Xhepa: Shqipëria nuk do që të integrohet në ish-Jugosllavi, por në BE

Selami Xhepa: Shqipëria nuk do që të integrohet në ish-Jugosllavi, por në BE
Intervistoi për “Albanian Free Press”: Eglantina Nasi

Flet eksperti i njohur i ekonomisë: “Krijimi i një zone ekonomike rajonale, një hap me domethënie jashtëzakonisht të rëndësishme politike. E afron më shumë Shqipërinë drejt integrimit evropian”

***

Z. Xhepa, si do ta komentonit ju konkludimin në Samitin e Triestes së projektit për krijimin e një zone rajonale ekonomike në Ballkan, pjesë e së cilës do të jetë edhe Shqipëria?

Natyrisht që unë e shikoj si një zhvillim pozitiv dhe mendoj se është i tillë. Në fakt, që në vitin 2006 kur Bashkimi Evropian filloi procesin e Stabilizim-Asociimit dhe të bashkëpunimit të rajonit, nëpërmjet rrjetit bilateral të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, mendoj se projekti do të kishte qenë që në atë fazë shumë më ambicioz. Duke nënkuptuar realisht mënyrën sesi vetë Bashkimi Evropian e filloi procesin e integrimit në vetvete, duke hyrë drejtpërdrejt në krijimin e një zone bashkimi doganor në radhë të parë dhe pastaj të një zone ekonomike të përbashkët. Mua më duket një zhvillim i natyrshëm dhe pa asnjë dyshim që është një zhvillim pozitiv. Por nga ana tjetër, e duhet thënë kjo, duke e përshëndetur këtë, nuk ka asnjë dyshim që aspirata e Shqipërisë nuk është të integrohet në ish-Republikën Federale të Jugosllavisë. Por aspirata e saj është që të integrohet në Bashkimin Evropian, së bashku me vendet e tjera anëtare të rajonit. Kështu që unë besoj, që ndoshta ky mund të jetë një model sesi vendet e rajonit tonë duhet të shkojnë drejt Brukselit, drejt Bashkimit Evropian.

Në praktikë, çfarë sinjifikon në vetvete përfshirja e Shqipërisë në një zonë ekonomike rajonale? Heqje taksash, barrierash? Ç’përfitime do ketë ajo realisht?

Kjo nënkupton në vetvete që të gjitha vendet tona anëtare duhet të kenë një politikë të unifikuar tregtare, që do të thotë efektivisht që vendet tona nuk kanë më politika kombëtare tregtare. Politikat tregtare bëhen në funksion të një komisioni, (besoj duhet të krijohet një strukturë), një Komisioner për Tregtinë le të themi i vendeve të gjithë rajonit, njëlloj siç ka qenë në vendet e Bashkimit Evropian. Së dyti, me të gjitha vendet tona të rajonit, ndërsa brenda  nesh nuk duhet të kemi asnjë lloj tarife dhe barriera jotarifore, në raport me pjesën tjetër të botës duhet që të kemi një tarifë të unifikuar. Ky është një hap revolucionar në njëfarë pikëpamje, sepse siç e thashë edhe njëherë, kjo nënkupton që vendet tona anëtare e humbasin sovranitetin e tyre mbi politikat tregtare dhe kjo bëhet nën funksionin e një strukture që besoj se do të krijohet komunitare, në rastin konkret komunitare që do të përfshijë vendet e rajonit anëtare të kësaj nisme.

e pak fjalë, Shqipëria përfiton nga kjo lloj nisme.

Këtu nuk bëhet fjalë në fakt nëse fitojmë apo humbasim, por ky është një hap i rëndësishëm politik, që merr një domethënie të madhe politike, sepse të gjitha vendet tona të rajonit ne duhet të biem dakord për një tarifë të përbashkët në raport me vendet e pjesës tjetër të botës. Që do të thotë pra që ne duhet të sheshojmë në radhë të parë gjithë problematikën që kemi midis vendeve tona, për të identifikuar produkte apo sektorë të caktuar që vendet anëtare i kanë kritike, e ky pastaj të jetë një instrument i rëndësishëm negociate me pjesën tjetër të botës. Ndërsa në këndvështrimin e përfitimeve, këto janë përfitime normale që çdo proces integrimi i presupozon që realizon, në kuptimin e një tregu më të madh, konkurrence më të fortë, që për rrjedhojë presupozohet të çojë në ristrukturime ekonomike dhe në përfitime të mëdha për konsumatorin. Në tërësinë e tyre, proceset integruese gjithmonë, edhe në historinë e ekonomisë janë dëshmuar që të jenë me efekte pozitive, por kjo do të varet gjithmonë nga fakti sesi ato do të shërbejnë për një ri-industrializim të rajonit, sepse rajoni ynë ka problematika serioze të zhvillimit të vetë-brendshëm dhe të gjendjes së konkurrueshmërisë së tij në raport me pjesën tjetër të botës. Ky është një instrument, por nuk do të thotë që si i tillë dhe apriori duhet marrë si një indikator suksesi.

A mund të shërbejë ai edhe si një mjet rikuperimi për raportet ekonomiko-tregtare që ne kemi me fqinjët?

Në fakt ne kemi, që nga viti 2006, efektivisht është pothuajse një zonë e shkëmbimit të lirë mes vendeve të rajonit, një që ka vazhduar që nga ky vit me krijimin e CEFTA-s, pasi rrjeti bilateral u konsolidua në një rrjet, e shumë nga rregullat e tregtisë, përfshirë këtu edhe ato të origjinës së mallrave etj, që janë disa teknikalitete të teorisë tregtare ndërkombëtare, disa janë materializuar. Kështu që në njëfarë kuptimi, kemi dhjetë vjet gati që ne i eksplorojmë këto përfitime të regjimit të tregtisë së lirë. E gjithashtu, përsëri teoria thekson që një dekadë është e mjaftueshme që këto lloj “goditjesh”, ekstremitetesh pozitive, në rastin konkret eliminimi i tarifave të japë efektin e vet e të materializohet plotësisht në efektet e veta mikro, por edhe makro-ekonomike. Kështu që kjo do të jetë një lloj tjetër “goditje” apo “shok”-u ekonomik pozitiv, të cilin nëse vendet e rajonit do të dinë ta konkretizojnë me plane dhe me politika e instrumente konkrete, kjo mund të shoqërohet më tej me më shumë investime të huaja direkte në rajon, me një lloj përmirësimi të strukturave industriale, një lloj modernizimi të ekonomive dhe që së bashku si rajon, ne të rrisim aftësitë tona konkurruese në raport me pjesën tjetër të botës. E të jemi më të përgatitur nga thellimi i proceseve të mëtejshme të integrimit. Ose më mirë të themi, të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Në këtë këndvështrim, përfshirja e Shqipërisë në zonën ekonomike rajonale sipas Samitit të Triestes, është një hap që do ta përshpejtojë procesin e integrimit të saj drejt BE-së?

Absolutisht po. Pa asnjë dyshim. Ky është një nga hapat më të rëndësishëm politikë duhet thënë. Sepse fakti që vendet humbasin një instrument të rëndësishëm të politikave të tyre kombëtare siç janë politikat tregtare, është besoj një hap me domethënie jashtëzakonisht të rëndësishme politike. Mos harroni që edhe Evropa, funksionin e parë të rëndësishëm që ka deleguar në nivel komunitar kanë qenë pikërisht politikat tregtare. Sepse edhe sot e kësaj dite, ju e shikoni që përpjekjet po bëhen për të unifikuar politikat fiskale, ato monetare, por në fakt, politikat tregtare kanë qenë hapi i parë i rëndësishëm dhe në këtë kuptim, unë mendoj që është pa asnjë dyshim nga pikëpamja politike, le të themi hovi më cilësor drejt integrimit të rajonit. Të mos harrojmë gjithashtu, që në teorinë e tregtisë ndërkombëtare ka disa modele të gravitetit dhe nisen nga teoria e famshme e Njutonit, që vendet shkëmbejnë me ato që janë më pranë, pra me ato kufitare e në këtë kuptim, ne do të rrisim gjithmonë shkëmbimet me vendet në kufijtë tanë, ku janë treva shqiptare kryesisht, siç kemi edhe me Italinë apo Greqinë. Pra, këtu bie pesha e gravitetit. E mendoj se e njëjta gjë do të vazhdojë që të ruhet, pavarësisht nga këto lloj përpjekjesh. Ndoshta gjeografia do të vazhdojë të ndryshojë falë prirjes që do të kenë investimet e huaja direkte, pra nëse rajoni do të thithë investime për t’u shërbyer trevave të Ballkanit, atëherë në këtë rast gjeografia e tregtisë së jashtme ndoshta nuk do të ndiqte linja të tilla, por do të kishte një dimension të mirëfilltë rajonal.

PROCESI

“Ballkani po integrohet mbi baza nacionale”

“Shqipëria ka një veçanti në rajon në fakt, sepse po të shikojmë edhe tipologjinë se çfarë ka ndodhur pas krijimit të zonës së tregtisë së lirë, në fakt kemi një integrim të rajonit mbi baza nacionale. Pra, Shqipëria ka zgjeruar shumë aktivitetin e saj tregtare me zonat shqiptare, ndërkohë që zonat e ish-Jugosllavisë kanë rritur shkëmbimet tregtare midis tyre. Në njëfarë kuptimi, rritja apo intensifikimi i proceseve tregtare ka ndjekur më shumë linjat nacionale le të themi”.

VENDIMI

Zona ekonomike rajonale, ja ç’parashikoi Samiti i Triestes

Samiti i Triestes konkludoi krijimin në parim të zonës së përbashkët ekonomike të Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria, e cila do të ketë si qëllim pikërisht zhvillimin e një hapësire të përbashkët ku mallrat, shërbimet, investimet dhe punëtorët e kualifikuar të mund të lëvizin pa hasur në pengesa. Një treg prej 20 milionë banorësh i gjithi në total që do funksionojë si një i vetëm dhe që synon kështu të thithë sa më shumë investime në Ballkan. Nga ana e tij, Bashkimi Europian do të ofrojë mbështetje politike, teknike dhe financiare për krijimin e kësaj hapësire. Ky projekt është cilësuar edhe si një hap i parë konkret i integrimit sa më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian. Plani që u firmos në Trieste përmban katër dimensione: Tregtinë, investimet, lëvizshmërinë dhe tregun dixhital.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: