SI TË MOS E LEMË QEVERINË E RE PUSHIM?- OPINION NGA ALFRED PEZA

SI TË MOS E LEMË QEVERINË E RE PUSHIM?- OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Nga dita e zgjedhjeve të përgjithshme Parlamentare më 25 qershor, deri më 9 shtator kur pritet të mblidhet dhe të zyrtarizohet formalisht Kuvendi i ri, kalojnë jo pak, por plot dy muaj e gjysmë. Nga ky çast, deri në betimin e ministrave dhe fillimin e punës nga ana e qeverisë së re, kalojnë përafërsisht edhe dy javë të tjera, - në total, plot 90 ditë. Pra, një tremujorësh i plotë apo çereku i këtij viti kalendarik. Një histori kjo që përsëritet e përsëritet një herë në katër vjet, për çdo vit elektoral. Duke na e shpërdoruar pa arsye dhe duke na e çuar "dëm", një nga periudhat më të rëndësishme dhe më kyçe për jetën e vendit. Kjo kohë tranzitore që shërben për kalimin e stafetës së pushtetit nga njëra mazhorancë tek tjetra. Nga njëri kryeministër, tek tjetri; nga njëra qeveri, tek tjetra; nga njëri parlament, tek tjetri.

Për gati 13-14 javë, vendi mbetet "de facto" pa qeverisjes 100% efektive, duke krijuar një situatë që çon në uljen pa arsye të ritmit të punëve dhe reformave të vendit. Për rrjedhojë, administrata qendrore vendoset në një moment stanjacioni të detyruar, duke ulur sasinë dhe mbi të gjitha cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarit. Nuk ka rëndësi në këtë rast, nëse zgjedhjet sjellin rrotacion apo vijimësi pushteti. Më e rëndësishme se kjo është të kuptohet se një vend me stad demokratik zhvillimi si Shqipëria, e ka jetik që të mos ketë frenime dhe humbje të panevojshme kohe. Gjë që siç tregohet edhe nga raportet e Bankës së Shqipërisë, ndikon në uljen e ritmeve të rritjes ekonomike, stabilitetit makroekonomik dhe standardit social të jetës së qytetarëve. Por, edhe tek parametrat e rendit dhe sigurisë publike në vend.

Ky shqetësim nuk vjen vetëm nga militantët e PS, padurimi i të cilëve përveç të tjerave, është lehtësisht i shpjegueshëm nisur nga arsyet e tyre pragmatiste. Por ky shqetësim vjen nga çdo qytetar, - pavarësisht nëse e ka votuar ose jo, - që pret ta shohë sa më parë në punë, qeverinë e re të vendit të vet. Që pret prej saj të përfundojnë punët e investimet publike të nisura në mandatin e parë, por edhe fillimin e projekteve e reformave të reja të premtuara gjatë fushatës për në mandatin e dytë.

Pengesë për të gjithë këtë situatë të krijuar, bëhet neni 67 i Kushtetutës, ku në pikën e parë përcaktohet se "Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati. Kur Kuvendi paraardhës është shpërndarë para mbarimit të mandatit, Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e ri jo më vonë se 10 ditë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve". Ndërsa në pikën e dytë të këtij neni, thuhet se "në rast se Presidenti i Republikës nuk e ushtron këtë kompetencë, Kuvendi vetëmblidhet në ditën e dhjetë të afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni".

Këto përcaktime kushtetuese në periudhën kur janë miratuar, me siguri kanë patur parasysh një realitet krejt tjetër elektoral nga ky i sotmi. Për këtë mjafton ti referohemi historikut të zgjedhjeve të kaluara. Nga momenti i mbylljes së kutive, procesit të numërimit të votave, pranimit të rezultatit nga palët në garë dhe shpalljes e certifikimit të saj nga KQZ, kalonin javë e muaj të tërë. Një situatë kjo e krijuar jo vetëm për shkak të ligjit të atëhershëm elektoral dhe formulës së ndryshme nga e sotmja. Por edhe për shkak të problematikave të panumërta në aspektin njerëzor të menaxhimit të procesit në terren.

Ndërsa në zgjedhjet e 2013, por sidomos ato të para pak ditëve që u zhvilluan më 25 qershor, procesi i numërimit ka përfunduar brenda pak orëve. Pa kaluar ende 2-3 ditë, KQZ shpalli rezultatet paraprake të numërimit; fituesit, humbësit dhe ndarjen e mandateve për secilën parti në garë. Certifikimi zyrtar i zgjedhjeve, përfshi dhe periudhën e ankimimit nga ana e partive (vetëm PDIU ka pretendime për një mandat në qarkun e Tiranës), besoj se është çështje ditësh. Le të supozojmë për një moment se e gjitha kjo, mund të kërkojë edhe dy javë kohë. Periudhë që përkon me 24 korrikun, ditën e mbledhjes së Kuvendit aktual për betimin e më pas ceremoninë e marrjes së detyrës nga ana e Presidentit të ri të Republikës.

Nëse neni 67 i Kushtetutës do të ndryshonte me rastin e reformës së re elektorale, si një nga pikat e marrëveshjes Rama-Basha të 18 majit, atëherë ai mund të riformulohej: "Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e ri jo më vonë se 10 ditë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve". Nëse do ishte aktualisht kështu, atëherë Presidenti Meta sapo të futej në zyrën e re, dekretin e parë do e firmoste për mbledhjen e Parlamentit të ri në fund të korrikut. Pas betimit të deputetëve të sapozgjedhur, PS propozon dhe Presidenti mandaton Edi Ramën si kryeministrin e ri dhe e fton për krijimin e qeverisë. Sipas nenit 97 të Kushtetutës, Kryeministri brenda 10 ditësh i paraqet për miratim Parlamentit programin politik dhe përbërjen e kabinetit. Pas dekretimit të ministrave, bëhet betimi i tyre para Presidentit dhe qeveria e re fillon nga puna.

I gjithë ky proces maksimumi zgjat deri më 9 gusht. Pra, fiks një muaj përpara datës 9 shtator kur është parashikuar që të konstituohet Parlamenti i ri dhe plot një muaj e gjysmë nga fillimi i punës së qeverisë së re. Siç shihet, me një lëvizje të tillë mund të përfitohen 6-7 javë të vyera të çuara deri tani komplet dëm, për shkak të një përcaktimi të vjetër në Kushtetutë, në rrethana dhe kushte të tejkaluara elektorale. I takon konstitucionalistëve, drejtuesve të Parlamentit të ri dhe grupeve parlamentare, që ta korrigjojnë këtë "handikap". Duke na mundësuar kursimin e nervave dhe energjive të paçmuara në një moment kyç për jetën e vendit, që përsëritet e përsëritet çdo katër vjet.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: