Si “u zhdukën” mbi 100 parti në këto zgjedhje

Si “u zhdukën” mbi 100 parti në këto zgjedhje
Nga mbi 120 parti politike të regjistruara në Gjykatën e Tiranës, vetëm 18 u regjistruan në zgjedhjet e 25 qershorit. Disa janë “zhdukur” në vitet e kaluara, të tjerat nuk figurojnë në fletën e votimit. Tre prej tyre garojnë për herë të parë. Pse ky “copëzim politik” dhe si përfaqësohet në rezultate votash. Flasin për “Albanian Free Press” tre kryetarë partish të vogla: Eduard Ndocaj, Marko Dajti dhe Koçi Tahiri

Albert Z. Zholi

Alket Aliu

Shqipëria është një ndër vendet me numër më të lartë të partive politike për frymë popullsie. Statistikat në Gjykatën e Tiranës tregojnë se në vitet 1990-2013 janë regjistruar gjithsej 118 parti politike. Shifra është edhe më e lartë, duke llogaritur se në periudhën 2013-2017 janë regjistruar edhe disa parti të tjera si LIBRA, Sfida, APD, Fronti i Majtë etj. Tre të parat kanë zgjedhur të garojnë më 25 qershor.

Tendenca shqiptare për shumë parti vërehet edhe në treva të tjera që banohen nga shqiptarët. Mbi 50 parti politike janë krijuar në Kosovë, rreth 10 të tilla në Maqedoni dhe 6 në Malin e Zi, ku shqiptarët votues janë vetëm 30 mijë.

Për ide apo për “tepsi”?

Asnjë prej partive të vogla nuk ka deklaruar ndonjëherë se është krijuar për të marrë “thela” nga “tepsia” e pushtetit. Gjithmonë është promovuar një kauzë, një ideologji apo interesa shtresash të ndryshme të popullsisë.

Një ndër personazhet më interesantë të Kuvendit të vjetër, deputeti i ardhur nga PS me nofkën “Kaubojsi”, Eduard Ndocaj, këtë radhë garoi me njërën nga partitë e vogla. Ai thotë se partitë e vogla janë parti më demokratike, më idealiste më atdhetare, “pasi ato nuk kanë lidhje interesash me pushtetin, nuk kanë lidhje me tenderët apo me emërimet në punë. Partitë e vogla janë parti të cilat veprojnë dhe punojnë në një situatë të vështirë, me sakrifica por me ideale të mëdha”.

Marko Dajti, kryetar i Frontit të Majtë, ka qenë më parë një nga drejtuesit e partisë Komuniste, prej nga u shkëput për të krijuar Partinë e Punës së Riorganizuar. Ai thotë se është shkëputur nga Partia Komuniste për arsye të konceptimit të vjetruar të saj prej anëtarësisë, që ishte shndërruar në një grupim nostalgjikësh të komunizmit. Por edhe kalimi tek Fronti i Majtë duket se është bërë për të njëjtat arsye: “Kërkova një mënyrë për të bashkuar njerëzit dhe për të afruar brezin më të ri me idealin komunist. Edhe unë jam komunist, por i një brezi dhe një mentaliteti të ri”, thotë Marko Dajti, që njëkohësisht është edhe biznesmen. Duket si një paradoks: Edhe komunist, edhe biznesmen. Por Marko i ka idetë e qarta: Duhet ta njohim kapitalizmin nga brenda dhe ta luftojmë duke bashkëjetuar”. Kur e pyes për makinën kapitaliste “Jaguar” me të cilën shkon nëpër takime me anëtarësinë e partisë, thotë duke qeshur: “Ne nuk luftojmë që të jemi të varfër, luftojmë që të kenë të gjithë nga një makinë si kjo e imja”.

Ndërsa Koçi Tahiri shpreh hapur pakënaqësinë për partitë e mëdha dhe mënyrën se si i trajtojnë aleatët e vegjël. “Partitë e mëdha afrohen para zgjedhjeve diskutohet programi, diskutohet koalicioni dhe kur vjen fundi, nuk na ofrojnë asnjë vend në listat e deputetëve, pra na duan vetëm për votat. Kjo ‘harresë’ ka të bëjë deri diku me mosmarrjen në konsideratë të votave tona, që në fakt, po të mblidhen bashkë, bëjnë më shumë se dy deputetë. Partitë e mëdha na duan vetëm që ne t’u japim sa më shumë vëmendje atyre ndërsa vëmendja e ndaj nesh të shkojë në zero”.

Zgjedhjet e fundit

Në zgjedhjet e 25 qershorit morën pjesë vetëm 18 parti politike. Një numër tepër i vogël, i krahasueshëm vetëm me zgjedhjet e viteve ’90 kur ende numri i partive politike në vend ishte i vogël. Arsyet e mospjesëmarrjes janë të ndryshme.

Fronti i Majtë është njëra nga forcat politike që nuk ka marrë pjesë në zgjedhje. “Gjykuam se ishte më mirë, në kushtet kur nuk garohej me koalicione, që të bashkonim votat me Partinë Socialiste për të garantuar fitoren e së majtës”, thotë kryetari, Marko Dajti. I cili shprehet mjaft i kënaqur për “martesën” e re me Kryeministrin Rama, ndonëse në të kaluarën ka qenë një ndër kritikët e tij.

Edhe Koçi Tahiri, kryetar i Partisë Demokracia e Re Europiane, thotë se ka kontribuuar me votat e tij për Partinë Demokratike, por nuk shprehet aq entuziast për bashkëpunimin. “Partitë e vogla në zgjedhjet e fundit janë lënë pas dorë nga partitë e mëdha dhe pse i kanë ofruar në koalicion. Gjatë kësaj fushate vumë re se kishte një farë nënvleftësimi ndaj aleatëve të saj, si nga drejtuesit qendror apo lokal të PD. Pra nuk na mblodhën, nuk na thirrën për mendime, nuk na afruan bashkëpunim të ngushtë. Çdo gjë u la në spontanitet. Kishte një farë nënvleftësimi pasi kishte eufori se çadra do sillte zhvillime pozitive në zgjedhje dhe se ndoshta mendonin se fitorja ishte e sigurt. Dhe në fund e pamë çfarë ndodhi.”

Ndërsa Eduard Ndocaj, ishte i qartë në qëndrimin kundër dy forcave të mëdha politike dhe vendosi të garojë. Por “nuk ia pa hajrin” rezultatit. “Jemi të pambrojtur. Partitë e vogla në këto zgjedhje kanë marrë mbi 24 mijë vota, atwherw ku janë deputetët e tyre? Ne arritëm të hyjmë në zgjedhje për të afruar një alternativë të re, bëmë një fushatë model me njerëz të thjeshtë, pa mashtrime, pa premtime të mëdha, nuk përdorëm para droge, shantazhe punësimi. Ne kemi një ideal dhe do ta vazhdojmë. Dhe pse na nënvleftësojnë ne do marrim nga populli vota pasi dimë dhe kemi çfarë të afrojmë. Nuk do tërhiqemi”, thotë Ndocaj.

Mbijetesa

Mbijetesa për partitë e vogla ka qenë historikisht shumë e vështirë. Shumë pak prej tyre kanë patur fatin të marrin ndonjë vend në Kuvendin e Shqipërisë. Partitë e mëdha afrohen para zgjedhjeve diskutohet programi, diskutohet koalicioni dhe kur vjen fundi nuk na ofrojnë asnjë vend në listat e deputetëve pra na duan vetëm votat”, thotë Koçi Tahiri.

Nuk mjafton mungesa e fondeve për të mbajtur në këmbë forumet e partive, por partitë e vogla humbasin edhe vota “në rrugë e sipër”. “Mendoj se PD dhe PS, këto parti të majta dhe të djathta, në këto zgjedhje ishin bashkë. Zgjedhjet nuk u zhvilluan sipas normave të demokracisë. Partitë e vogla nuk vepruan në një teren të lirë dhe si dihet se ku ikën ato vota që mendonim se i kishim fituar”, thotë Eduard Ndocaj.

Ndërsa Marko Dajti ka një përvojë edhe më të hidhur nga vitet e kaluara. “Morëm mbi 6 mijë vota në zgjedhjet lokale të vitit 2011, ndërsa dy vjet më pas, në zgjedhjet e përgjithshme, vetëm 700. Nuk ishte një rezultat real. Thjesht, 90% të votave tona i ndanë partitë e madhe që kishin numërues dhe komisionerë”.

Por partitë e vogla nuk i ndëshkon vetëm mospasja e komisionerëve dhe numëruesve. Në zgjedhjet e vitit 2013, FRD kishte rreth 30 mijë vota, por nuk nxori dot asnjë deputet. Ashtu si më 25 qershor LIBRA morri mbi 20 mijë vota dhe sërish asnjë deputet. Thjesht për faj të ligjit elektoral, të ndërtuar në mënyrë të tillë që të favorizojë partitë e mëdha ose partitë që i kanë votat e përqendruara në qarqe të caktuara.

Nga gjithë partitë e nisura si ide, vetëm tre prej tyre arritën që të siguronin deputetë: LSI, që tashmë është e vështirë të quhet parti e vogël, PDIU dhe Partia Socialdemokrate. Dhe kjo e fundit vetëm prej një kandidati që ishte Tomë Doshi.

Reduktimi i partive të vogla që morën pjesë në zgjedhjet e 25 qershorit, solli edhe reduktimin e votave të tyre, në total, në zgjedhjet e vitit 2013, partitë e vogla arritën të mblidhnin rreth 252 mijë vota. Por në vitin 2017 kjo shifër u tkurr ndjeshëm, së bashku me numrin e partive garuese. Në zgjedhjet e 25 qershorit, vetëm 44 mijë vota shkuan për partitë e vogla.

Një detaj tjetër është tepër sinjifikativ. Nga 18 parti pjesëmarrëse në zgjedhjet e 25 qershorit, 10 prej tyre, ose më shumë se gjysma, nuk kanë pasur asnjëherë deputetë në parlamentin shqiptar që kanë fituar nën siglën e partisë.

Kryetarë “të përjetshëm”

Në historinë e partive politike shqiptare, janë të rralla rastet kur kryetarët u kanë lënë vendin të tjerëve, madje edhe në partitë e mëdha. Sali Berisha në PD dha dorëheqjen pas humbjes në vitin 2013, ndërsa në vitin 2005 ishte dorëhequr nga PS Fatos Nano. Këtë vit pati dy dorëheqje në krye të LSI-së: Ilir Meta i la vendin Petrit Vasilit dhe dy muaj më pas Petrit Vasili i la vendin Monika Kryemadhit, bashkëshortes së Metës.

Është dorëhequr kryetari i Partisë Republikane, i ndjeri Sabri Godo, që i la vendin Fatmir Mediut, ndërsa Lufter Xhuveli i lëshoi vendin Agron Dukës në krye të Partisë Agrare Ambientaliste.

Por ka edhe një rast që shkon kundër tendencës, ai i bashkimit. Partia për Drejtësi dhe Integrim, e drejtuar nga Tahir Muhedini, u shkri me Partinë për Drejtësi dhe Unitet të drejtuar nga Shpëtim Idrizi. Ky i fundit mori drejtimin e partisë së re, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, që do të ketë tre deputetë në parlamentin e ri.

 

PAK HISTORI

Partitë e para politike në Shqipëri

Pluralizmi shqiptar nuk zë fill në dhjetor të vitit 1990, por në vitet ’20. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1921 garuan dy partitë e para politike: Partia Popullore dhe Partia Përparimtare. Popr që në fillim, ndasitë ideologjike nuk ishin shumë të qarta, pasi programet ishin të përgjithshme dhe me premtime thuajse të njëjta, që në thelb katandiseshin në slogane. Partia Popullore ishte më e madhe dhe përfaqësonte njëkohësisht si interesat e konservatorëve, edhe të liberalëve, ndërsa Partia Përparimtare përfaqësonte përgjithësisht interesat e bejlerëve dhe çifligarëve dhe kishte influencë më të madhe në Shqipërinë qendrore dhe të Mesme.

 

Si shkëputen “të vegjlit” nga partia-mëmë

Tre partitë me të vjetra që kanë ruajtur identitetin e tyre dhe janë ripërtërirë me rikthimin e pluralizmit, janë Legaliteti, Balli Kombëtar dhe Partia Komuniste. Këto dy të fundit kanë patur përçarje nga të cilat kanë lindur parti të tjera si Balli Kombëtar Demokrat, Partia Komuniste “8 Nëntori”, etj.

Edhe forcat e mëdha politike të viteve ’90 patën fraksionet e tyre nga të cilat dolën parti të reja. Nga PD kanë dalë Aleanca Demokratike, Partia Demokratike e Re, Fryma e re Demokratike.

Vetë Partia Socialiste, ndonëse zyrtarisht e ka “ditëlindjen” në qershor të vitit 1990, lindi nga kongresi i fundit i Partisë së Punës. Një parti që ekziston me emrin “origjinal”, por ka edhe “rivalen” me emrin Partia e Punës e Riorganizuar.

Ndërkohë, nga krisja më e madhe në historinë e Partisë Socialiste ka dalë Lëvizja Socialiste për Integrim, por edhe forca të tjera si LIBRA, Partia Socialiste e Moderuar, Partia Socialiste e Vërtetë ’91, etj.

Edhe minoriteti grek është i ndarë në dy parti: PBDNJ dhe MEGA.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: