Siguria kombëtare, a mjafton vetëm NATO?

Siguria kombëtare, a mjafton vetëm NATO?
Flet gjenerali i njohur Piro Ahmetaj, këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Presidentit të Republikës. Njëri prej negociatorëve të marrëveshjeve për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe ish-përfaqësues i vendit tonë në Komandën Supreme të Aleancës në Bruksel, tregon avantazhet e Shqipërisë në rrugëtimin euroatlantik, por edhe përgjegjësitë e saj si një vend anëtar në NATO. Dhe “detyrat e shtëpisë” që duhet t’i bëjmë vetë. “Siguria kombëtare nuk mund të jepet me koncesion, është përgjegjësi shtetërore”, thotë gjeneral Ahmetaj. Dhe një sugjerim për projekte dhe ndërtim kapacitetesh të përbashkëta me Kosovën

Gjeneral Piro Ahmetaj, ka një karrierë të gjatë në ushtri. Për 35 vjet ka qenë në shërbim të Forcave të Armatosura nga të cilat 20 vjet në Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm, NATO dhe Presidencë. Ai është një njohës i mirë jo vetëm i doktrinës ushtarake, por edhe çështjeve të sigurisë kombëtare dhe diplomacisë ushtarake. Ka qenë përfaqësues i Shqipërisë në negociatat teknike të anëtarësimit të vendit tonë në NATO dhe më pas përfaqësues ushtarak i Republikës së Shqipërisë në Komandën Supreme të NATO-s në Belgjikë. I mirënjohur në komunitetin e sigurisë mbarëkombëtar, si dhe profesionist me ekspertizë dhe zë të spikatur, në rajon, në NATO, Uashington, etj. Ka botuar me qindra vlerësime në shtypin e shkruar brenda dhe jashtë vendit për sigurinë kombëtare, rajonale, në NATO etj.

Gjenerali ka një profil publik për shkak të oponencës së fortë profesionale për çështjet e sigurisë, si dhe për integritetin e demonstruar, në mënyrë të veçantë në përballjen me Komisionin e Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë, çështje të cilën e fitoi pas një procesi gjyqësor.

Gjeneral Piro Ahmetaj, këshilltari aktual i Presidentit të Republikës për çështjet e sigurisë kombëtare, ka zhvilluar një bisedë me “Albanian Free Press” pikërisht për një shqetësim që ai e konsideron si “tepër të natyrshëm”. A është Shqipëria plotësisht e sigurt me anëtarësimin në NATO? A po i bëjmë ne “detyrat e shtëpisë” për të mbrojtur territorin dhe kufijtë tanë apo duhet të presim që ta bëjnë aleatët tanë?

Intervistoi për Albanian Free Press: Alket Aliu

Gjeneral Ahmetaj, në CV-në tuaj dallojmë se keni një eksperiencë të spikatur në udhëtimin e integrimit në NATO. Mundet që të ndani me opinionin publik disa nga momentet në këtë proces?

Pas marrjes së ftesës së anëtarësimit në Samitin e Bukureshtit (Mars 2008), emërohem "negociator teknik" me mision: Ngritjen e Zyrën së PUK në SHAPE, shtrirja e pjesëmarrjes në të gjithë strukturat dhe zinxhirin e komandimit të NATO-s (NCS), negocimi dhe nënshkrimi i një sërë marrëveshjesh teknike për anëtarësimin e plotë, etj.

Pa u futur në detaje, jam  i bindur se, për sa i takon kontributit të Përfaqësisë Ushtarake Kombëtare (PUK), për të gjithë stafin, sigurisht edhe për mua si drejtues, do të mbeten arsye afatgjata për t'u ndjerë të realizuar dhe krenarë.

 

Prej vitit 2009, Shqipëria është në NATO. Le të bëjmë një panoramë të shkurtër: Çfarë përfaqëson Organizata e Atlantikut të Veriut (NATO)?

Strategu i Luftës së Dytë Botërore, babai i themelimit dhe Komandanti i Parë i NATO-s, gjenerali me 5 yje, Presidenti i SHBA-ve, Dwight D. Eisenhower, në 4 prill 1949 e projektoi Aleancën si "një instrument politiko-ushtarak, për garantimin e tërësisë territoriale dhe prosperitetin e vendeve anëtare". Thelbi i Marrëveshjes së Uashingtonit mbetet artikulli 5: "Sulmi kundër një vendi, konsiderohet si sulm ushtarak ndaj të gjitha vendeve anëtare".

Shpenzimet kombëtare për mbrojtjen për 29 vendet arrijnë 905 miliardë dollarë amerikanë: rreth 640 miliardë SHBA, rreth 60, Britania e Madhe, 50 Gjermania, Kroacia 1 miliard, në vendin e 27-të Luksemburgu me 362 milionë $ dhe në vendin e fundit, fatkeqësisht, Shqipëria me rreth 100 milion $. Pas themelimit, NATO ka zhvilluar 6 procese zgjerimi, përkatësisht 3 para dhe 3 prapa vitit 1990.  Zgjerimi ka shërbyer si një mekanizëm për demokratizimin dhe garanci shtesë për integrimin në BE për 11 vendeve të kampit të lindjes. Për fat të keq (jo fajin e të tjerëve) vetëm Shqipëria, 8 vjet pas anëtarësimit, nuk ka përfituar nga ky "rregull".

Përtej perceptimeve populiste, për të kuptuar detyrimet duhet nënvizuar qartë se NATO, nuk është as "makineri alienesh" dhe as strukture bamirësie, por një organizatë ku fuqia politike dhe ushtarake është shumatore e sinergjisë së 29 vendeve.

Nw samitin e fundit tw NATO-s, u fol gjerësisht edhe pwr Ballkanin. Kryetarwt e 29 shteteve adresuan këndvështrimet për rreziqet e mjedisit të ri të sigurisë, qasjen e fortë "anti-statuquo" të Presidentit Trump, daljen e UK nga BE, shkeljet e hapësirës ndaj "aleatëve të vijës së parë" (Norvegji/Finlande, Poloni, 3 vendet Baltike, Turqi), qasjen e re/ambiciet gjeopolitik te  Rusisë, rikthimin e MIG-ve në Ballkan, nevojën kritike për rritjen e kapaciteteve, dhe domosdoshmërinë për përmirësimin e buxhetit, marrjen e përgjegjësive dhe ndarjen e barrës mes vendeve, etj.

Po edhe ne kemi patur avionë MIG. Trashëgimia komuniste e "gjithë popullit ushtar" ishte e vlefshme për t'u afruar me NATO-n?

Përkundrazi. Trashëguam një vend tërësisht të rrënuar, qytetarë të rraskapitur nga varfërimi-pasojë e paranojës së përjetësimit të pushtetit të diktatorit Hoxha. U ngritën rreth 1000 reparte ushtarake, 300 mijë bunkerë; 115 mijë forcë aktive dhe 500 mijë rezerviste, një flotë ajrore me mbi 100 avionë MIG, dhe më shumë se 120 anije luftarake, përfshi edhe 4 nëndetëse, etj!  Kjo marrëzi, e parashikuar për të luftuar kundër dy superfuqive së bashku, konsumonte çdo vit deri në 25 % të GDP të qytetarëve të vendit më të varfër të Evropës. Kjo ngjante si dy pika uji me modelin e sotëm të Koresë së Veriut. Pra, trashëguam një model të dështuar dhe qesharak", pasi:

-      Do të luftonte kundër gjithë botës, superfuqive dhe blloqeve ushtarake;

-      E çoi vendin dhe qytetaret në varfëri ekstreme;

-      Një vend i varfër dhe popull i rraskapitur harxhonte 25% të GDP-së për mbrojtjen;

-      La trashëgim 300 mijë tonë municione, të cilat, e nënvizoj, nuk ishin pasuri por problem, barrë kritike për sigurinë kombëtare dhe më gjerë;

-      Në përpjekjen për "njeriun e ri", deformoi integritetin e ushtarakut lider, që, mbi të gjitha, interesat kishte partinë dhe udhëheqësin e saj të lavdishëm

Ju keni qenë pjesë e stafit që përgatiti anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Mundet të na përshkruani konkretisht udhëtimin e Shqipërisë drejt Aleancës?

Përpjekjet drejt anëtarësimit e kanë zanafillën pas vitit 1991, me përmbysjen e regjimit. Në vitin 1992, Tirana zyrtare ishte e katërta nga vendet e lindjes, që aplikoi për t'u bërë anëtare e NATO-s. Në vitin 1994 nënshkroi iniciativën e Partneritetit për Paqe (PfP), në vitit 1999 Planin e Veprimit për Anëtarësim (MAP - statusi aspirant). Në mars 2008, në Samitin e Bukureshtit, morëm ftesën për anëtarësim dhe në 4 Prill 2009, vendi ynë u rreshtua zyrtarisht si anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ndërsa në Tetor 2013 nënshkroi me Komandën e NATO-s për Transformimin (ACT) përmbushjen e kritereve teknike të anëtarësimit të plotë.

Si dëshmitar dhe ekspert në ketë udhëtim, kam refuzuar dhe refuzoj të recitoj se Shqipërisë ia dhuruan anëtarësimin". Në të kundërt, nënvizoj se e merituam anëtarësimin plotësisht në NATO.

Çfarë përfitimesh konkrete kemi patur në procesin e anëtarësimit në NATO dhe pas tij?

Para anëtarësimit (1994-2008), pas ftesës (2008-2009), dhe pas anëtarësimit (prill 2009 -shtator 2013), Shqipëria realizoi me sukses reforma në 5 drejtime themelore të shtetit: politike, ekonomike, ushtarake, ligjore, dhe të informacionit. Mbi këto reforma, u përfitua po ashtu statusi aspirant në BE, dhe i merituam (jo na i dhuruan) vizat për qytetarët shqiptarë.

Në këtë udhëtim, Shqipëria rriti sasinë dhe cilësinë e kontributeve në operacionet ndërkombëtare.

Buxheti i mbrojtjes arriti në 2% të GDP-së, nga ku rreth 25 % e të cilit u alokua për projekte madhore të modernizimit, si: vëzhgimi i hapësirës detare, anijet e patrullimit, helikopterët, Forcat Speciale, uniforma, Kursi i Lartë i Sigurisë, Qendra e Studimeve për Sigurinë, dixhitalizimi i të dhënave të personelit, projekti shembullor i demontimit të municioneve të trashëgimisë së regjimit komunist, muzeu dhe imazhi i FA; nënshkrimi i dhjetëra marrëveshjesh mirëkuptimi për Forcat Speciale, Inteligjencën, Protokollin e Parisit/SOFA, shkëmbimin e informacionit të klasifikuar, etj.

Ka një pyetje që për shumë njerëz mund të lindë natyrshëm: Sa dhe si e siguron NATO Shqipërinë? A është e  mjaftueshme për vendin siguria nga NATO në tërësinë e komponentëve që përbëjnë sigurinë kombëtare?

Nuk ka asnjë mëdyshje dhe konfirmoj se siguria e tërësisë territoriale të Republikës së Shqipërisë, është e garantuar, në bazë te artikullit 5 të Aleancës. Siç shqiptarët e dinë, për hapësirën ajrore, në kuadër të artikullit 5, në mungesë të kapaciteteve kombëtare, zhvillohet nga NATO në bazë të një marrëveshjeje. Kjo nuk është ndonjë histori suksesi, pasi në mungesë të kapaciteteve, kemi deleguar, besuar, quajeni po të doni edhe shitur, ushtrimin e sovranitetit, dhe ky mision ushtrohet nga dy vende anëtare të NATO-s.

Po ashtu, qytetarët dhe veçanërisht aktorët dhe faktorët, duhet të zhvillojnë kapacitete për t'u përballur me kërcënimet asimetrike: terrorizmi, rreziqet kibernetike, konfliktet civile, shtetet e dështuara, ekstremizmi i dhunshëm, krimi i organizuar, trafiqet e paligjshme, emergjencat civile, krizën e refugjatëve, etj, të cilat, e nënvizoj, se në asnjë rast nuk janë përgjegjësi e Aleancës, por përgjegjësi kombë­ta­re e çdo vendi anëtar.

Kjo do të thotë qartazi se edhe Shqipëria ka detyrimet e veta në fushën e sigurisë dhe se jo gjithçka është në dorën e aleatëve?

Po, padyshim, janë ca gjëra që duhet t'i bëjmë vetë dhe nuk mund të presim të vijnë ushtarët e NATO-s të na mbrojnë nga disa lloje kërcënimesh. Në rast se situata bëhet kritike, padyshim mund të kërkojmë ndihmë, por përballja e parë me disa lloje kërcënimesh apo sfidash, duhet bërë nga vetë Shqipëria.

Që të jemi pak më konkretë, mund të na e ilustroni me një shembull?

Është përgjegjësi kombëtare e çdo vendi të NATO-s të garantojë standardet e sigurisë për aeroportet, portet dhe infrastruktura të tjera nga të cilat mund të vijnë kërcënime dhe që kanë efekte strategjike.

Doni një shembull? Po përmend shembullin e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, siguria e të cilit është përgjegjësi ekskluzive e shtetit dhe nuk mund të delegohet me koncesion një kompanie private. E përsëris, është përgjegjësi shtetërore.

Edhe në vende të tjera, madje edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, disa shërbime në fushën e sigurisë portale, aeroportuale apo shërbime të tjera, kryhen në bashkëpunim me kompanitë private. Por kur ndodhi ngjarja e 11 shtatorit, as Presidenti Bush dhe as shteti amerikan nuk fajësuan asnjë kompani private. Ata e morën vetë përgjegjësinë për ngjarjen e rëndë, pasi siguria kombëtare është gjithmonë përgjegjësi shtetërore.

Për kërcënimet dhe sfidat, sikurse ju i quani, çfarë duhet bërë për të përmirësuar sistemin e sigurisë dhe mbrojtjen mbarëkombëtare?

Mjedisi sigurisë ndryshon me mënyrë të paparashikuar. Kështu dhe vetë NATO dhe reformat e mbrojtjes janë në transformim të pandërprerë. Anëtarësimi nuk duhet parë si mbërritja në stacionin e fundit, por si riciklimi i një faze të re, me detyrime dhe përgjegjësi shtesë.

Profesionalisht gjykoj se, si të gjitha vendet e NATO-s, Shqipëria e ka emergjencë, një reformë të gjithanshme të sistemit të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare për zhvillimin e kapaciteteve të afta, në kuadër të artikullit 5 të Aleancës, të mbrojë tërësinë territorialë nga çdo kërcënim, në çdo kohë, dhe nga çdo drejtim që vijnë, të mbajë barrën dhe të vijojë të kontribuojë në operacionet e Aleancës në Afganistan, Irak, Kosovë, Bosnje Hercegovinë, Gjeorgji, Ukrainë, etj. Po ashtu, është në interesat jetike, të zhvillojë një projekt të përbashkët me Kosovën, të hapur për vendet e rajonit, për të përballur me sukses kërcënimet jashtë artikullit 5 që përmenda më lartë.

Ka nevojë të mirë ribalancohen tre pushtetet, duke tejkaluar konfuzionin dhe modelin e "sulltanatit". Ka nevojë për përmirësime të paketës ligjore, strukturave dhe rregulla angazhimi të integruara në të gjitha hallkat e zinxhirit të komandimit, të FA dhe agjencive të tjera kombëtare. Ka domosdoshmëri të mos bëhet retorikë folkloriko-nacionaliste me fqinjët në rajon, ndaj interesave mbarëkombëtare, ndaj detyrimeve në NATO. Është e domosdoshme rritja e shpenzimeve për mbrojtjen, në 1.3 %, në vitin 2018 dhe gradualisht me 0,2% çdo vit, që në vitin 2024 të arrijë 2% të GDP-së.

Zoti gjeneral, në disa shkrime kam ndeshur dhe vlerësime tuaja mbi çështjet e sigurisë në Kosovë. Ndërsa shpesh flitet për sigurinë kombëtare, ju keni përmendur një tjetër term: Siguria mbarëkombëtare...

Për projektin e përbashkët me Kosovën, gjykoj se janë të gjitha rrethanat gjeopolitike që dy vendet tona të përgatisin si dhe jetësojnë një projekt (mbarë) kombëtar afatgjatë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Ky model partneriteti të konsultohet dhe me partnerët strategjikë, sipas eksperiencës së vendeve Baltike apo Nordike (Norvegji, Finlandë, Suedi), Sllovenia me Hungarinë, etj pa përmendur vende që mendoj se i tejkalojnë detyrimet e konfidencialitetit. Ky projekt dhe kjo qasje, jo vetëm nuk kërcënon asnjë vend, por në të kundërt synon zhvillimin  e kontributeve dhe kapaciteteve për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Kështu, ky projekt duhet të jetë i hapur dhe me përfshirje të gjitha vendeve të rajonit (përfshi edhe Serbinë) për t'u përballur me sfidat e përbashkëta rajonale të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, etj për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të politikës së sigurisë së BE-së, dhe të NATO-s.

Më konkretisht, partneriteti strategjik duhet të institucionalizohet duke u shoqëruar me projekte për të ndërtuar kapacitete, kryesisht në fushat e emergjencave civile, arsimimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, pjesëmarrjes në misione kombëtare dhe ndërkombëtare, prokurimeve të përbashkëta kur është e nevojshme, dhe në fushën e mirëmbajtjes, standardizimit dhe doktrinave, kapaciteteve të studimeve rajonale, si dhe në planin afatgjatë, për vëzhgimin e hapësirës ajrore, situatat renegate, si dhe një projekt të përbashkët për policimin ajror edhe me vendet e tjera të rajonit.

Duket i vështirë një bashkëpunim ushtarak, të paktën me disa vende të rajonit...

Rajoni i Ballkanit Perëndimor, rajoni i Evropës Juglindore, apo me çdo definicion tjetër ku përfshihet kombi ynë, ka kapërcyer dhe po triumfon mbi historinë e përgjakshme shekullore, historinë e konflikteve fetare, etnike dhe mbi keqpërdorimin e nacionalizmit si burimin e luftës së përgjakshme për pushtet. Por me gjithë progresin e bërë, stabiliteti i vendeve individuale të rajonit dhe i rajonit në tërësi, mbetet akoma një mision i papërfunduar. Prandaj, gjykoj se mbetet me rendësi kritike partneriteti strategjik midis Shqipërisë dhe SHBA, si dhe prezenca e NATO-s në rajon.

Krahas sfidave të përbashkëta, mundet dhe duhet të eksplorojmë oportunitetet pozitive për të mbjellë "paqe të qëndrueshme" rajonale dhe të  kontribuojmë me projekte konkrete të përbashkëta në kuadër të SEEDM, A-5, për të konsoliduar mirëbesimin reciprok, stabilitetin social, kthimin te gara e integrimit sa më të shpejtë në BE. Vendi ynë duhet te jetë leader, për të mbështetur axhendën e BE dhe të SHBA në rajon, për të mbajtur të gjallë frymën e integrimit në strukturat e sigurisë evropiane dhe NATO dhe të jemi vigjilentë ndaj politikave të Rusisë për dominim politik, ekonomik dhe ushtarak në rajonin tonë. Nga ana tjetër, gjykoj se ndërtimi i kapaciteteve më vete (nacionale), në optikën time profesionale dhe në këndvështrimin strategjik është si të merremi me yjet, pra thjesht e pamundur, është gjetje jo e zgjuar dhe duke qenë kështu, do ishte njëherësh edhe një gabim historik.

Pas pak ditësh përfundon mandati i Presidentit Nishani, mundet të ndani një konsideratë tuajën për këtë eksperiencë?

Është në kohën e duhur të shpreh publikisht se përzgjedhja dhe ushtrimi i funksionit të Këshilltarit Ushtarak të Presidentit të Republikës, prej janarit 2014,  përveçse një eksperiencë e jashtëzakonshme, do të skalitet në memorien e karrierës time si privilegj, sfidë, shkollë, mirënjohje dhe krenari që më dha mundësinë të punoja për kreun e shtetit dhe Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, zyrtarin model dhe qytetarin shembullor, Bujar Nishanin.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: