Taulant Xhaka takohet me trajnerin Panucci, projektohet rikthimi në kombëtare

Taulant Xhaka takohet me trajnerin Panucci, projektohet rikthimi në kombëtare
Trajneri i sapoemëruar i kombëtares, Christian Panucci, ka nisur nga puna duke studiuar nga afër kuqezinjtë. Ai ishte i pranishëm në shkallët e stadiumit “St.Jakob Park” për të ndjekur nga afër mesfushorin e Basel, Taulant Xhaka, me të cilin ka patur një bisedë për rikthimin e tij në kombëtare.

Xhaka nuk ishte titullar në ndeshjen e Basel ndaj Luzernës, por megjithatë, Panuçi ka kërkuar të njihet nga afër me Taulant Xhakën.

Mesfushori u bë shkak i largimit të Gianni de Biasi, pasi në Palermo në ndeshjen ndaj Italisë në shenjë pakënaqësie ai u largua pas humbjes 2-0, kur 4 ditë më vonë luhej miqësorja me Bosnjen. Taulant Xhaka kishte shfaqur pakënaqësi me vendimet e ish-trajnerit De Biasi edhe në finalet e “Francë 2016”.

Por pas largimit të De Biasi, pritej kjo lëvizje e trajnerit të ri, që me shumë gjasa do ta rikthejë në ekip përballë Lihtenshtejnit, më 2 shtator, në ndeshjen e shtatë kualifikuese të botërorit Rusi 2018, që do të jetë edhe ndeshja e parë zyrtare e trajnerit të ri.

Pas Xhakës pritet me interes edhe rikthimi i Shkëlzen Gashit, i cili për të njëjtat arsye nuk është grumbulluar gjatë vitit të fundit nga de Biasi.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: