TË MBETURIT NË PERIFERI...-OPINION NGA FRROK ÇUPI

TË MBETURIT NË PERIFERI...-OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Periferia e ‘botës’ nuk është andej nga bien skërkat gjeografike e fizike; periferia e botës është atje ku nuk ka qendër. Se mos do të keqkuptonin disa ‘centristë’ të shpifur që thonë se ‘po nuk kishe lindur në Tiranë, nuk vlen’, për shembull.

Por nuk është këtu fjala.

Fjala është se edhe Trieste është një qytet thuajse periferik i Europës, mu në brigjet e “Lindjes’, por që në rastin tonë është kthyer në qendër të vëmendjes së një bote të tërë. Samiti i fundit i datës 12 korrik 2017, i dha edhe një herë fokus dhe vëmendje këtij porti të lashtë të Adriatikut në verilindje të Italisë. Por rreth e rrotull po vërej sa shumë njerëz kanë mbetur në ‘periferi’ të vetë ‘Triestes’. Më duket se jeta qe kaq e zbrazët për një shumicë mediatikësh që nuk kishin çfarë bënin dhe iu ‘sulën’ Triestes nga periferia. Po të dëgjosh shumicën, do të të krijohej një projeksion sikur ‘Samiti i Triestes’ për Ballkanin do të ishte një grumbull plaçkash (ndoshta si ato të Gabit dikur në rrugë), ku 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor mund të merrnin çfarë të mundnin dhe të iknin.

‘Mediatikët’ po thonë se shteti shqiptar nuk qe aq i shkathët sa të merrte ‘më shumë nga të tjerët’ në grumbullin e plaçkës së Triestes....

Ndoshta është për të qeshur.

Do të doja të isha një opozitar ‘i çmendur’  ndaj qeverisë, edhe në këtë rast, por si ta bëj këtë? Duke e cytur shtetin shqiptar që të turrej te plaçka dhe ‘të rrëmbente më shumë se shokët’?...

Marrëzi.

Por nuk ishte puna këtu.

Puna është se ‘Samiti i Triestes’ nuk u mblodh për të ndarë plaçkë. Po ta shikosh nga afër dhe jo nga periferia, Samiti ishte një gjë tjetër, krejt tjetër, dhe që meriton akoma më shumë vëmendje qoftë edhe si opozitar ose si studiues, ose si historian, ose si të duash... Por nga qendra e gjësë, dhe jo nga periferia...

Çfarë mund të jepte ‘Trieste”?... Samiti i Triestes u gatua nga liderët e BE, ashtu shpejt e shpejt, me qëllim që t’u mbyllin gojën popujve të Ballkanit që po lodheshin duke pritur anëtarësim në BE. ‘Ja ku keni Triestes! Mos na kërkoni më”. Me këtë rast BE, i pamundur për t’u zgjeruar, i pamundur për të pranuar anëtarë të rinj, krijoji ‘Samitin e Triestes’ një si organizëm alias Unionist, me qëllim që të qetësonte ballkanikët ‘e ashpër’. Kjo ishte, në fakt, pesha e Samitit të Tristes për Ballkanin, peshë që vjen nga ‘papesha’ e BE, nga kriza në të cilën ndodhet. Frika e një ‘Brexit-i’ virtual e një Ballkani që ‘nuk do ta donte më BE-në, bëri që të sajohej Samiti i Triestes.

Liderët e BE e bënë gati shpejt e shpejt ‘Triesten’, vetëm pak muaj pasi u kishin ‘treguar vendin’ shteteve të Ballkanit; d.m.th., i kishin paralajmëruar se ‘nuk do të ketë zgjerim’. Në 1 Mars 2017, në Konferencën e  Romës, liderët thanë me kërshëri se nuk do të ketë zgjerim. Pas dy ditësh, në Deklaratën përfundimtare të atij Samiti, e  ndërruan mendjen, duke u shprehur se ‘në BE vihet një nga një, secili shtet sipas dëshirës’. Ndërsa në fillim të korrikut, vetëm katër muaj më vonë, ndërtuan tjetër gjë, pa lidhje- Samitin e Triestës. Kjo u bë  për t’i dhënë ‘një karotë’ Ballkanit Perëndimor, sikur janë pjesë e BE, por ‘në një organizëm specifik’.

BE nuk e ngriti samitin për interesin e Ballkanit- kjo duhet kuptuar që nga thellë ideja; BE e ndërtoi alibinë për vete, sepse nuk është në gjendje të zgjerohet, as të kthejë besimin. BE ndodhet në krizat mes burokracisë së vet gjigande dhe vullnetit të popujve evropian për sovranitet dhe për mbrojtjen e ‘Europës së Europianëve’, ide që udhëhiqet nga konservatorët. Në dyert e BE po trokasin (pas Brexit) Hungaria, Polonia, Franca, Holanda..., që kërkojnë ‘daljen prej skllavërisë’ burokratike të BE... Me këtë rast, dmth., me Triesten, BE zgjidh e dhe një çështje të vjetër me Turqinë që nuk ka mundur kurrë ta bëjë anëtare. Me këtë rast Turqisë i thuhet; “Ja ku është Trieste, grupimi juaj”.

Nuk ka ndonjë lidhje Trieste me idetë periferike se ‘po bëhet Jugosllavia e Dytë’. I keni dëgjuar, besoj.  Ç’keqpërdorim i paditurisë! A nuk duket sikur dikush vjen në ‘Theatër’ nga periferi të largëta historike ku ka humbur kujtesën dhe mban mend vetëm Jugosllavinë e vitit 1945!?... Por kanë ndryshuar kohët; ngjarjet mund të shikohen vetëm duke qenë në ‘qendër’. Plani i Triestes për një ‘Treg të Përbashkët Ballkanik’ ka nisur me kohë. Thelbi i samitit të Triestes ishte pikërisht ‘Tregu i Përbashkët...”. Natyrisht sipas modelit të fillimeve të BE, kur nisi me Tregun e Përbashkët Europian (TPE). Por as ai Europoian nuk u realizua;  a nuk duhet të jemi po kaq skeptikë për Tregun e  Përbashkët të Ballkanit?!...

Kjo temë ka një fushë të gjërë diskutimesh dhe enigmash, por jo ‘Jugosllavinë e re’.

Tregu i Përbashkët i Ballkanit, thuajse ekzistonte. A ekzistonte prej dekadash ‘Central Europe Free Trade Agreement”?.  Marrëveshja e Tregut të Lirë të Europës Qendrore ka pikërisht këtë kuptim; veçse kësaj here ‘Europës Qëndrore” i vunë emrin “Ballkan Perëndimor”...

Situata e vështirë ku ndodhet BE që krijon semantizma të pafund, nuk mund të gjykohet nga periferia.

Aq më tepër kur ke në mendje një BE si ‘hyjni’ dhe vendin tënd si ‘mëkatar’. Nuk mund të kishim një vend ‘mëkatar’ nëse do të kishim një BE ‘zot të pagabueshëm”. Kësaj here BE iu dha edhe një ‘karotë’ tjetër vendeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim që t’i mbajë lidhur; por karota është e prishur.

Ja shikoni vetëm dy shifra (meqë këta po merren me fondet nga BE).

Shifra e parë është 500 milionë euro nga “Trieste’ për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i bërë gati për në BE... (A nuk është për të qeshur?!) Akoma më shumë për të qeshur që liderët e BE e quajtën ‘plani Marshall’. Mendoni gjysmë miliard euro në shekullin 21, kur Marshalli i vitit 1945, fillimisht kishte 13 miliardë!...

Shifra e dytë: CEF, (Connecting Europe Facilities) në Ballkan, që është organizëm paraardhës i Samitit të Triestes , ka dhënë për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor një fond prej 11.4 milionë euro... Ndërsa vetëm për vilën e  ambasadores së BE në Tiranë ka shpenzuar 1.6 milionë euro... A mund të bëhen llogari dhe analiza centrale?...

Do të doja të isha, përsëri, një oponent i pamëshirshëm, por në këtë rast duhet të mos mbetemi në periferi...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: