Violeta Allmuça: Kritika e ka humbur misionin, mesazhet e saj kanë shterur

Violeta Allmuça: Kritika  e ka humbur misionin,  mesazhet e saj kanë shterur
INTERVISTA/ Flet shkrimtarja dhe kritikja letrare: Shqipëria është ndoshta vendi më i rrallë ku mungon një institucion për shkrimtarët. Ndërsa ata në fund të fundit, shërojnë shpirtin e njeriut...

Violeta është ndër krijueset e pakta që ika shkelur thuajse të gjitha gjinitë krijuese të letërsisë: nga romani, tregimi, novela, poezia, etj. Sikundër është ndër femrat e pakta shqiptare, librat e së cilës janë përkthyer në disa gjuhë të botës e madje ka marrë edhe disa çmime ndërkombëtare. Dhe nw kwtw intervistw me “Albanian Free Press” ajo tregon se  Shqipëria është vendi i vetëm në botë ku mungon një institucion për shkrimtarët, siç ishte Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. “Ndaj dhe tek ne nuk funksionon sistemi dhe shkolla e kritikës”, pohon ajo. Sipas saj, letërsia e pas viteve ‘90-të, ka pak letërsi të mirëfilltë dhe se ai që di të bëjë vepra nuk shikon se ka fytyrë gruaje apo burri. Madje për të drejtën e saj apo dhe të letërsisë shqiptare, ajo nuk kursen kritikat ndaj shkrimtarëve si Ismail Kadare apo Dritëro Agolli...

 

Intervistoi për “Albanian Free

Press”: Albert Z. ZHOLI

 

 

Kohët e fundit ju jeni përballur me disa autorë dhe botues për kritikën  letrare dhe rëndësinë e saj. Aktualisht, a ka në të vërtetë kritikë letrare në Shqipëri? Po botuesit, a kanë në staf kritikë letrarë që të japin mendim para botimit të veprës?

Së pari, dua të them se ajo çka më shqetëson më shumë është se ne nuk kemi studime të mirëfillta mbi kritikën bashkëkohore, si një zhvillim i domosdoshëm për artin dhe ndikimin e tij në shoqërinë njerëzore. Pa lënë mënjanë atë çka është bërë në të kaluarën, ose ndonjë përpjekje impulsive në kohën e sotme, mesazhet e kritikës së vërtetë kanë shterur. Për më keq akoma, mund ta quaja një humbje të misionit dhe fuqisë së saj. Kritika letrare vazhdon të shfaqet si diçka e padukshme në gjithëpërfshirjen e dukshme të letërsisë së sotme, prozë, poezi apo gjini të tjera. Në një numër marramendës të botimeve të reja të viteve të fundit nuk ka asnjë analizë serioze të krijimeve letraro-artistike. Kjo do të jetë një mangësi e mëvonshme që do të ndikojë në cilësinë e vërtetë të veprave të mirëqena. Nuk di si ta shpjegoj këtë paradoks. Tek ne nuk funksionon sistemi dhe shkolla e kritikës, e cila më bën të dyshoj se vlerat do të mbeten në hije. Kritika është kthyer në një zë të dobët. Secili i thur lavde të tjerëve ose vetes, duke krijuar grupe ose klane në shërbim të njëri-tjetrit. Botohen aq shumë libra, sa nuk merren vesh as titujt, as emrat e atyre që shkruajnë. Nuk është keq se shtohet numri i krijuesve, por çfarë sjell diçka të re ky, apo iks libër. Organizmat që merren me letërsinë e sotme thuajse nuk kanë lidhje me letërsinë e mirëfilltë. Kanë heshtur. Nuk e di pse sot Shqipëria është ndoshta vendi më i rrallë, ku mungon një institucion për shkrimtarët. Regjimet e quajtura hibride, ua mohojnë krijuesve institucionin e tyre. Në këtë vend, ku mungojnë edhe medikamentet mjekësore që shërojnë të sëmurët, duhet të ketë si çdo popull i botës, shkrimtarët dhe artistët e vet që në fund të fundit, shërojnë shpirtin e njeriut.

 

Mungesa e kritikës, kritika e orientuar po sjell  një gjykim jo të saktë të veprave letrare. A ka hierarki vlerash në krijimtarinë letrare?

Për mendimin tim, po. Sigurisht, do të sjellë diçka të padëshirueshme në gjykimin e krijimtarisë së sotme. Kujtesa për një mendim realist, rreth asaj çka i duhet çdo epoke për të vlerësuar si duhet veprat letrare më shtyn të besoj se gjithçka mund të mbulohet me heshtje. Do ishte njësoj si të përsëritej rituali i harrimit të kohës, përjetimit dhe tranzicionit kulturor. Më duket se edhe disa përpjekje jo profesionale, për arritjet apo mos arritjet në zhvillimet e reja letraro-artistike kanë mbështetje klanesh në median e shkruar dhe vizive apo komercializëm dhe aspak një gjykim vlerash realiste. Sa për hierarkinë, besoj se ajo ka mbetur në vend. Shpresoj që vetëm fryma e kritikës së vërtetë mund ta nxjerrë artin nga hullia ku ka mbetur. Deri atëherë, le të presim shpërblimin e vetëhumbjes. Në pikëtakimin me të ardhmen, duke kryqëzuar vlerësimin artistik, kemi harruar rolin e artit të vërtetë në shërbim të qytetërimit.

 

Si do ta cilësosh letërsinë e pas viteve ‘90?

Për mendimin tim, letërsia e pas viteve ’90 me lëvrimin e temave të së kaluarës, në veçanti letërsia e munguar e antikomunizmit ka shenja përshkrimesh jo të qarta, në mos do mbetet si një shkak për të paraqitur më shumë se vetveten e dënuar vetëm për të sjellë shumë pak letërsi të mirëfilltë.

 

 

 

APELI

Tek ne sundon fryma e maskilizmit”

 

“E them me bindje, tek ne sundon fryma e maskilizmit, ku femra shihet më shumë si amvisë shtëpie, sesa si një njeri me po aq personalitet, sa dhe mashkulli. Për të vazhduar më tej, asnjëherë femrës shqiptare nuk i janë hapur rrugët e duhura, si në politikë ashtu dhe në administratë. Për të arritur deri te gjetja e vetvetes në Shqipëri femrës i duhen dhe disa dhjetëvjeçarë. Nga ana tjetër, nëse do kalojmë në art, nuk është e lehtë as për një femër, (as për një mashkull) të jetë krijuese dinjitoze, aq më pak në letërsi, e cila për mendimin tim jo vetëm të shfaq identitetin, por edhe kërkon shumë punë e kohë. Është si një vitrinë ku duhet të ekspozosh shpirtin dhe talentin. Shkrimtari duhet të reformojë veten si njeri krijues, sepse “UNI” i tij disa herë bëhet model ose merret si sinjal nga njeriu i thjeshtë. Jetojmë një kohë të cilin as e imagjinojmë se si është zhvilluar aq me perfeksion, ku informacioni për artin dhe botën e letrave vjen me një shpejtësi marramendëse dhe ku gjithfarë rrymash e idesh përshkojnë botimet e sotme. Krijuesve u duhet ose të ecin me zhvillimin e botës ose të ndjehen të harruar. Për fat të keq, ende vazhdon koncepti i të shfaqurit veç e veç, të letërsisë femërore dhe asaj mashkullore. Ky fakt mua nuk më ka shqetësuar asnjëherë. As më pëlqen të kem përmasat e një krijuesi mashkullor e as të barazohem me ata.  Sistemi im i mendimit dhe krijimit është jashtë këtyre kornizave, sepse të bësh një letërsi të madhe nuk është e domosdoshme të jesh vetëm burrë.. Është ashtu, siç ndodh në të gjithë botën e artit. Ai që di të bëjë vepra nuk shikon se ka fytyrë gruaje apo burri. Mjafton të jetë një fytyrë njerëzore që i jep kënaqësi lexuesit. Nuk jam aspak xheloze për seksin tjetër. Letërsia ka vend për të gjithë. Ndoshta mua më shqetëson një fakt i njohur. Kritika shqiptare është në krizë. Edhe ajo pak shkollë kritike që ekzistonte ka heshtur. Secili ka vendin e tij. Gabriel Garcia Marquez, është Gabriel Garcia Marquez dhe Isabel Aljende është Isabel Aljende, Ismail Kadare është Ismail Kadare. Janë të ndarë vetëm në gjini. Pra, ka shkrimtarë që bëjnë vërtet letërsi. Jo letërsi për fasadë, apo për të ashtuquajtur “disidentë” që e shkruanin veprën dikur dhe sot në emër të sistemeve politike duke himnizuar “udhëheqësin” dhe veten. Po ashtu, letërsia e sotme duket sikur i ka vënë vetes si detyrë të bëjë të njëjtën letërsi, apo “vepër” gazetareske që asnjëherë nuk quhet vepër letrare. Nëse një “shkruesi apo kopjaci” të tillë do t’i mungonte reklama sot zëra të veçantë do të ishte mirë të bënin hije. Është e qartë se libra të këtij lloji vetëm për marketing dalin nga lloji i letërsisë së vërtetë dhe shuhen shpejt nga memoria letrare”.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: