Votat e 25 qershorit, fillojnë ankimimet në KQZ

Votat e 25 qershorit, fillojnë ankimimet në KQZ
PD ankohet për kutitë e Beratit, PDIU për mandatin e Idrizit. Ben Blushi paralajmëron padi penale për komisionerët. Sali Berisha kërkon rinumërimin e votave dhe ndërhyrjen e prokurorisë

Partia Demokratike dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet kanë paraqitur kërkesat ankimore pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, tha për “Albanian Free Press” se të dyja kërkesat, ajo e PD-së dhe e PDIU-së, u pranuan nga KQZ dhe do të shqyrtohen të mërkurën e ardhshme. “Sot relatorët Gëzim Veleshnja dhe Bledar Skënderi i paraqitën Komisionit materialin për kërkesat e dy subjekteve politike dhe u konstatua se ato plotësonin kërkesat ligjore për t’u shqyrtuar në mbledhjen e KQZ-së”, konfirmoi Hoxhaj.

Partia Demokratike është ankimuar për numërimin e dy kutive të votimit që rezultojnë të parregullta. “Kërkesa e Partisë Demokratike nuk ka si qëllim ndryshimin e rezultatit, por bëhet për arsye parimore, për të patur një pasqyrë të rezultatit të saktë”, sqaroi për “Albanian Free Press” zëdhënësja e KQZ-së.

Ndërsa PDIU kërkon një mandat në Tiranë për kryetarin e partisë, Shpëtim Idrizin, pasi e humbi për 38 vota dhe pretendon për qindra vota të vjedhura. Idrizi ka paralajmëruar se do t’i shkojë çështjes së tjetërsimit të votës dhe betejës ligjore deri në fund.

Kryetari i LIBRA-s, Ben Blushi thotë se janë siguruar prova ku, në shumë kuti, votat e partisë së tij janë zeruar dhe se qindra vota i janë grabitur në zgjedhjet e 25 Qershorit. Blushi paralajmëroi gjithashtu se do padisë penalisht komisionerët.

“Nga numërimi i votave në pamjet filmike të marra zyrtarisht nga KQZ rezulton se vetëm në dy kuti në njësinë 8 në qytetin e Tiranës, LIBRA ka patur 9 vota tek secila prej tyre, të cilat janë bërë zero në fund të numërimit. Ka qindra raste si këto të cilat do t’ia çoj KQZ dhe natyrisht gjykatës. Do padis personalisht çdo komisioner që ka vjedhur votat duke ia dhënë, sipas marrëveshjes, Rilindjes dhe Republikës së Re”, shkruan Blushi në Facebook.

I ashpër në rrjetet sociale ka qenë edhe ish-Kryeministri, Sali Berisha, i cili ka ripublikuar një video të PDIU-së në profilin e tij në Facebook. Sipas statusit të tij, ky është njëri nga 19 filmimet që dëshmojnë vjedhjen e votave në qarkun e Tiranës.

“I bëj thirrje KQZ të rinumerojë nga e para votat për qarkun e Tiranës dhe për çdo qark tjetër ku ekzistojnë të dhëna për vjedhje të votave. I bëj thirrje prokurorisë së shtetit të ndëshkojë me forcën e ligjit kriminelët e votës së shqiptarëve”, shkruan Berisha. /a.a/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: