Vrasja e turistes / Skafisti 45 ditë në qeli. Pritet analiza e provave

Vrasja e turistes / Skafisti 45 ditë në qeli. Pritet analiza e provave
Togat e zeza lanë në burg skafistin me dyshimin e vrasjes së turistes ruse, Kseniia Roik pak ditë më parë në plazhin e Ksamilit.

Ermal Fataj do të qëndrojë 45 ditë burg, pasi prokuroria e ka bindur me provat e paraqitura Gjykatën e Sarandës për ta mbajtur pas hekurave skafistin, të mjaftueshme këto për të “kopsitur” çështjen në ngarkim të tij.

I dyshuari ka deklaruar se kërkonte drejtësi, pasi nuk kishte kuptuar se çfarë kishte ndodhur. Madje, i riu i dyshuar për ngjarjen tha: “Nëse dal fajtor, do të përgjigjem!”

Hetimet e deritanishme tregojnë se mesditën e se premtes, shtetasja ruse K.R. dhe nena e saj, hynë të notonin në zonën e ishujve të Ksamilit. Vajza ka ikur më larg se e ëma dhe pas disa minutash pushuesit kanë konstatuar se ajo qëndronte mbi ujë. Dëshmitarët okularë kanë njoftuar policinë e cila ka kryer veprimet e para procedurale. Është thirrur e ëma e cila mes lotësh ka treguar se e kishte humbuar vajzën nga sytë për disa momente.

Trupi i pajetë i vajzës u dërgua në Spitalin e Sarandës ku u krye edhe ekspertiza mjeko-ligjore. Ekspertët kanë konstatuar prerje të thella në pjesën e kokës dhe trup, që mendoheshin shkaktare të vdekjes së adoleshentes.

Gjithçka e konstatuar nga mjekët iu referua grupit hetimor, që dyshoi menjëherë se vajza mund të ishte goditur nga një mjet lundrues që kishte lëvizur në atë zonë.

Policia filloi kontrollin e motobarkave, skafeve dhe motorëve të ujit.

“Nga verifikimet rezultoi se në helikën e skafit që drejtohej pa liçensë nga shtetasi Ermal Fataj, u gjeten disa fije floku, të ngjashme për nga ngjyra me ato të viktimës”, deklaroi policia.

Hetuesit morën në pyetje disa persona që mendohej se kishin dijeni për ngjarjen, por të gjithë mohuan të kishin lidhje me të. Një nga të pyeturit ishte edhe personi i dyshuar, që nuk mohoi lundrimin me mjet në kohën që ka ndodhur ngjarja, por që nuk ka pranuar se ishte ai autori.

Prokuroria e Sarandës kishte dyshime të arsyeshme se E. Fataj mund të ishte autori i ngjarjes ku humbi jetën turistja ruse.

“Për të arritur në përfundime më të sakta nëse është pikërisht ky shtetas (Ermal Fataj) autor i veprës penale të parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal, duhet të bëhet një vlerësim me i saktë vetëm pasi të kryhen aktet e ekspertimit mjeko-ligjor për të përcaktuar kategorinë e dëmtimeve dhe shkakun e vdekjes së viktimës, si dhe akti i ekspertimit biologjik i kampioneve dhe provave të tjera materiale të gjetura në mjetin e tij lundrues, sekuestruar nga policia”, thuhet në argumentimin që prokuroria bëri në seancën për masën e sigurimit personal të Fatajt.

Kjo ishte arsyeja që Prokuroria e Sarandës kërkoi caktimin e masës se sigurimit “arrest me burg” me afat deri në ardhjen e përgjigjeve shkencore./l.k/

(Foto: Google)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: