Zgjedhjet, qeveria shtoi sërish shpenzimet

Zgjedhjet, qeveria shtoi sërish shpenzimet
Tradita e “lëshimit të dorës” me paratë publike në prag të proceseve elektorale, duket se u respektua edhe me rastin e zgjedhjeve të kësaj radhe

Që periudha para zgjedhjeve shoqërohet me një valë shpenzimesh apo investimesh të shtuara nga qeveritë përkatëse, tashmë kjo është diçka e njohur. Por duket se është vënë në zbatim edhe në prag të procesit të fundit elektoral që u zhvillua në vendin tonë, respektivisht atij të 25 qershorit 2017, të paktën, sipas shifrave që vetë qeveria i ka servirur. Kështu, sipas treguesve fiskalë të publikuar deri në muajin maj 2017, i cili përkon pikërisht me periudhën fundore para ditës kur shqiptarët dolën në votime, rezulton se shpenzimet e kryera prej institucioneve shtetërore në rang vendi kanë qenë më të larta, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Konkretisht, sipas tyre rezulton se në muajin maj të këtij viti, shpenzimet korrente të qeverisë kanë qenë 14.7 miliardë lekë, krahasuar me vetëm 13.1 të tilla në majin e një vitit 2016. Logjikë që vlen edhe për shpenzimet kapitale si të tilla, të cilat gjithashtu kanë qenë më të larta në majin e sivjetëm, deri në 2.2 miliardë lekë, krahasuar me vetëm 1.3 miliardë të tilla që po e njëjta qeveri ka kryer në majin e vitit 2016.

Por në të njëjtën kohë, edhe për krahasimin e ngjashëm që mund të bëhet mes shpenzimeve qeveritare për muajin maj të vitit 2013, kur vendi sërish gjendej para zgjedhjeve të përgjithshme, me ato në majin pararendës, të vitit 2012. Konkretisht, sipas shifrave, nëse në këtë të fundit, ka rezultuar se institucionet shtetërore kanë shpenzuar 12.75 miliardë lekë në formën e shpenzimeve korrente, në majin 2013 ato kanë qenë edhe më të larta, deri në 13.44 miliardë të tilla. Njësoj në fakt, siç ka ndodhur me shpenzimet kapitale, të cilat kanë njohur një rritje të tyre progresive, nga 2.35 miliardë lekë në majin e vitit 2012, në 3.45 miliardë në majin e vitit 2013, muaji i cili printe në fakt zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit 2013.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: