8 vatra zjarri në mbarë vendin, terreni thyer favorizon flakët

8 vatra zjarri në mbarë vendin, terreni thyer favorizon flakët
Emergjencat Civile bëjnë me dije se, në 24 orët e fundit në vend numërohen 8 vatra zjarri të cilat në sajë të punës së vazhdueshme në masën më të madhe janë nën kontroll. Ditën e sotme sipas raportit të EC, janë këto vatra zjarri: Në Korçë zjarret kanë rënë në zonën e quajtur “Përroi i Qershisë” ndërmjet kufirit ndarës të Njësisë administrative Lekas dhe Voskopojë, të bashkisë Korçë.

Po ashtu edhe në fshatin Theth të bashkisë Shkodër, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me pisha. Në Lezhë vijon të mbetet aktiv zjarri i rënë pranë pyllit me pisha në vendin e quajtur “Grykë Orosh” në fshatin Orosh dhe po ashtu në Fier vazhdon zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte në aksin rrugor Fier-Vlorë, në afërsi të Njësisë Administrative Levan. Zjarre janë shënuar edhe në qarkun e Dibrës dhe të Vlorës. Nga ana tjetër mësohet se mbi 2000 rrënjë ullinj shekullore janë djegur nga flakët në Lushnje.

Sipas raportimit të EC, shërbimi zjarrfikës në disa vende malore e ka pasur të pamundur ndërhyrjen për shkak të terrenit të thyer, ndërsa theksoi se për këtë qëllim është kërkuar ndihma e helikopterëve të Viva,  FA, banorëve vendas, me qëllim vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit të cilat ia ka favorizuar era dhe terreni i vështirë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: