A DO T’I BËJË QEVERIA “RAMA 2” KËTO 10 GJËRA?- OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA

A DO T’I BËJË QEVERIA “RAMA 2” KËTO 10 GJËRA?- OPINION NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga EDUARD ZALOSHNJA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Qysh nga marsi i vitit 1992 deri më sot, qeveritë shqiptare e kanë patur dhe e kanë objektiv madhor e strategjik anëtarësimin në BE. Sidoqoftë, realizimi i këtij objektivi varet sa nga puna që kanë bërë e do të bëjnë qeveritë shqiptare, aq edhe nga zhvillimet politike e gjeostrategjike në Europë dhe më gjerë. Por të paktën, çdo qeveri ka bërë dhe duhet të bëjë diçka për europianizimin e vendit, për të qenë kështu sa më të pranë Europës.

Nisur nga fushata e dëgjesave “me popullin” të Edi Ramës, si dhe nga prezantimi i reformës së administratës në Asamblenë Kombëtare të PS-së, duket se europianizimi i administratës do të jetë kali i betejës së qeverisë “Rama 2”. Fjala “ryshfet” dhe fenomeni që ai përfaqëson (i përhapur gjerësisht në ish -territorin e Perandorisë Osmane, por jo në territorin e BE-së), duket se do të jetë “armiku” që Rama premton se do ta luftojë më fort në katër vitet e ardhshëm.

Por rezultatet e kësaj “lufte” nuk janë lehtësisht të matshme. Në fund të mandatit të qeverisë Rama, mund të zhvillohet një anketim i gjerë rreth këtij fenomeni, por rezultatet e tij mund të jenë të njëanshme. Nga përvoja ime me anketimet, kam vërejtur se të anketuarit që kanë votuar për qeverinë, janë të prirur t’i shohin gjërat me syze rozë dhe opozitarët me syze të errëta…

Sidoqoftë, janë disa gjëra lehtësisht të matshme apo të vrojtueshme. Le t’i marrim me radhë.

  • Ligji për ndalimin e pirjes së duhanit në mjedise të mbyllura publike, është miratuar qysh në vitin 2007, por filloi të zbatohet me rigorozitet vetëm pas vitit 2013. Tani, lokalet shqiptare nuk duken më si mejhanet e Kandaharit (të mbushura me tym duhani), por, aty-këtu, ka filluar të rishfaqet tymosja e cigareve. A do të zhduket, përfundimisht, pirja e duhanit në mjedise të mbyllura publike, deri në vitin 2021?
  • Deri në vitin 2013, ishte gjë e rrallë që në dyqane apo lokale të të jepnin kuponin tatimor (ngjashëm me shumë vende të ish-Botës së Tretë). Dhe ato dhjetëramijë dyqane dhe lokale shërbenin si kapilarët ku shpërndahej evazioni i madh fiskal (kur priten kuponët tatimorë, funksionon e plotë skema e mbledhjes së TVSH-së dhe e tatimit mbi fitimin, duke filluar nga bizneset më të mëdha deri te më të voglat). Me fillimin e fushatës së qeverisë “Rama 1” për kuponët tatimorë, këta të fundit filluan të shfaqeshin kudo, gjithnjë e më shpesh. Ndërkohë, nuk u zbatua ndonjë skemë subvencionimi për dyqankat dhe lokalet e vogla. Dhe, kohët e fundit, duket sikur kuponët tatimorë janë harruar… A do të përhapet përdorimi i kuponit tatimor si në Europë deri në vitin 2021?
  • Kur dikush vinte rripin e sigurisë në automjete në Shqipëri, përqeshej nga të tjerët. Pas ashpërsimit të kodit rrugor dhe fushatës së policisë për zbatimin e tij, është shtuar shumë përdorimi i rripit të sigurisë, si nga drejtuesit e automjeteve, ashtu edhe nga pasagjerët. A do të bëhet ky përdorim universal deri në vitin 2021?
  • Anës rrugëve dhe në lumenjtë e përrenjtë e Shqipërisë, sheh vazhdimisht mbeturina të të gjitha llojeve. A do të ndërtohen mjaftueshëm landfille e inceneratorë deri në vitin 2021, në mënyrë që të ketë një vend ku të dërgohen/seleksionohen/asgjësohen mbeturinat?
  • Deri në vitin 2013, gjysma e familjeve dhe e bizneseve, e vidhnin ose nuk e paguanin energjinë elektrike (problem i ngjashëm ky me atë të vendeve më të prapambetura të Afrikës). Në tre vitet e fundit është pakësuar vjedhja/mospagesa e energjisë, ndërkohë që janë shtuar subvencionet për familjet që nuk janë në gjendje ta paguajnë atë. A do të arrihet që energjia e konsumuar të paguhet pothuaj 100% (si në vendet europiane), deri në vitin 2021?
  • Deri më sot, vetëm 50% e ujit të pijshëm që konsumohet, paguhet. A do t’i jepet fund përdorimit të tij si mall pa zot, (duke ndërtuar një skemë të mirë subvencionimi për familjet në nevojë), deri në vitin 2021?
  • Duke filluar nga viti 2014, trotuaret e qyteteve u çliruan nga çibanët që kishin ndërtuar lokalet përbri tyre. Por shtesa të reja, më pak solide, kanë filluar t’i ngushtojnë përsëri ata. A do të bëhen trotuaret e Shqipërisë, të ngjashëm me ata evropianë, deri në vitin 2021?
  • Gjatë dy dekadave të fundit, janë ndërtuar/asfaltuar qindra kilometër rrugë në Shqipëri. Sidoqoftë, kur udhëton nga Tirana për në Vlorë apo Gjirokastër, duhet të torturohesh nga Fieri deri në Levan, në një rrugë të denjë për Afganistanin. Ose po të udhëtosh nga Tirana për në Kosovë, duhet të torturohesh në segmentin Kamzë-Thumanë dhe të rrezikosh kokën në urat e segmentit Kalimash-Morinë. Ndërsa për të shkuar në Elbasan, duhet të dredhosh sa në autostradën e re e sa në rrugën e vjetër. A do të plotësohen deri në vitin 2021, segmentet kryesore rrugore të vendit (përfshirë edhe sinjalistikën e nivelit europian)?
  • Në dekadën e fundit, sistemi universitar shqiptar ka funksionuar kryesisht si një fabrikë sasiore diplomash. Një maturant që mund të ketë dëshiruar të studiojë për inxhinieri, mund të ketë përfunduar në gjuhë-letërsi, si rezultat i një algoritmi automatik të Ministrisë së Arsimit, i cili zgjedh një ndër dhjetë degë të mundshme për aplikuesin. A do të realizohet deri në vitin 2021, vajtja e maturantëve në degët që dëshirojnë dhe meritojnë, pavarësisht statusit financiar të familjeve të tyre?
  • Projekti “Check-up” ishte një ide fantastike europiane, por realizimi i tij ka qenë mjaft i dobët deri më sot. A do të krijohet besimi i qytetarëve ndaj këtij projekti deri në vitin 2021, në mënyrë që pothuaj të gjithë shqiptarët e moshës 40-70 vjeç, ta kryejnë një check-up në vit (si shumica dërrmuese e europianëve)?Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

    Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: