A KA BE? PO JUGOSLLAVI TË RE?- OPINION NGA FRROK ÇUPI

A KA BE? PO JUGOSLLAVI TË RE?- OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Jugosllavia e Re ishte një shaka, sipas turqishtes, e cila mbulon ende gadishullin e Ballkanit. Po të kishin thënë Anadoll i Ri, do të ishte më e besueshme. Aq më tepër që tentativat e sulltanit të ri të Perandorisë, janë të vërteta dhe aktuale. Ndërsa Jugosllavia është një krijesë tashmë e harruar. Pyetni po deshët, njëzet ose dyzetvjeçarët, nëse dinë gjë për Jugosllavinë... Asgjë.

Por çështja nuk është vetëm kjo. Jugosllavia, duke qenë një krijesë e re, është prapa derës dhe është e frikshme. Të gjithë i ruhen krijesës komuniste, aq më shumë një si Jugosllavia që u shkatërrua nga Shtetet e Bashkuara dhe Europa. Askush nuk di pse ndodhi Dejtoni i famshëm, por askush nuk i afrohet idesë për të rikrijuar Jugosllavinë. Madje as vetë serbët që po prezumohen si fillestarë të Jugosllavisë së re. Serbët janë të parët që nuk mund ta mbajnë peshën e një supershteti - që nuk është Serbi.

Ndërsa për një osmanizim të Ballkanit, mund të flasim ndryshe. Perandoria e Vjetër është aq larg në kohë sa ç'na është edhe afër. Prej disa vitesh, perandoria Erdogan e Ankarasë, po tenton turqizimin e Ballkanit. Në arkivat e Uashingtonit dhe të Brukselit nuk ka asnjë projekt jugosllav për Ballkanin, por ka projekte të gjalla për osmanizmin e Ballkanit. Sa herë afrohen krizat në Ballkan, nga arkivat nxirret një pjesë e strategjisë osmane mbi Ballkanin.

Praktikisht, ndodhemi në një skemë mes tre segmenteve. Kot që thonë se jemi në momentin o me Perëndimin, o me Rusinë. Këndi Stamboll i strategjive harrohet, me qëllim për të mbuluar të vërtetën. Por është këndi që lihet në harresë me një qëllim të caktuar.

Më duhet të them se e vetmja skemë që nuk vepron si skemë e parë, është ajo e Rusisë. Rusia më duket se përdoret më shumë si shantazh se sa si e vërtetë. Para këtij shteti që dikur ishte mbizotërues në Ballkan, tani ndodhen Kina, Turqia dhe Brukseli.

Fatkeqësia është se Brukseli po rreshtohet si alternativë e tretë, dhe jo e parë, për Ballkanin. Duhet të jemi të hapur para të vërtetës, në vend të Moskës së dikurshme, nuk është Brukseli që duhej të ishte.

Bashkimi Europian po rri e vështron, çfarë ndodh në Ballkan. Për vete nuk ka asnjë fuqi të ndërhyjë në çështjet e Ballkanit. Ditët e fundit, të dërguarit e BE-së në një konferencë kryeministrash ballkanikë në Durrës, solli mesazhin se integrimi nuk është një çështje e ditës. Komisioneri Hahn i BE-së tha se prioritet është organizimi i vetë Ballkanit, në një marrëveshje mes ballkanikëve. Sipas deklaratës se Hahn, kjo do të thotë se jemi në periudhën e rënies së perandorisë Osmane, kur Porta e Lartë deklaroi "Ballkani të bëjë punët e veta". Ndërsa, në këtë rast, Brukseli po thotë se "Ballkani le të shkojë nga të dojë".

Qeveritë ballkanike, përfshi qeverinë e Shqipërisë, po luajnë me demagogjinë. Këta, herë thonë se na kërcënon Rusia, dhe herë nënkuptojnë dikë tjetër, po kurrë nuk thonë të vërtetën. Të vërtetën nuk e dinë as vetë, por të paktën të thonë se nuk e dimë. Vetë samiti i kryeministrave ballkanikë në Durrës, ishte një akt për të mbuluar të vërtetën. Cilën të vërtetë? Të vërtetën që nuk po ndodh asgjë, aq më pak Jugosllavia e Re për të cilën folën politikanë dhe media. Mund të ketë Kinë të re, mund të ketë Turqi të Re, por jo Jugosllavi të Re. Kjo krijesë është kaq afër sa ç’është e frikshme dhe e parealizueshme!

Qeveria shqiptare dhe qeveri të tjera në Ballkan, aplikuan metodën "më mirë të lëvizim kot, sesa të rrimë kot". Ky ishte samiti i Durrësit, me dy fjalë. Ose e thënë më qartë, ishte një stacion ku Perëndimi dinte të merrte frymë, sa kohë që as vetë nuk po kuptonte ku ta çojë Ballkanin.

Të gjithë tregohen si të interesuar për Ballkanin, por të gjithë heshtin ose presin para trekëndëshit BE-Rusi-Stamboll.

Në vend të Rusisë, tashmë, mund të përmendim Kinën.

Kina ka kohë që  ka treguar interes të madh për të investuar në infrastrukturën e Ballkanit, si pjesë e nismës Belt and Road –program ambicioz dhe shumëkombësh, që është bërë prioritet i politikës së Pekinit. Kina ka kryer investime të rëndësishme në Ballkan dhe më gjerë, duke përfshirë një linjë hekurudhore me shpejtësi të lartë, që lidh Beogradin dhe Budapestin; autostrada e Adriatikut e cila do të lidhë Shqipërinë, Malin e Zi dhe anëtarët e BE-së, Greqinë dhe Italinë; Porti i Pireut të cilin e ka blerë një kompani kineze, për të krijuar një rrugë detare, nga Greqia, përmes Ballkanit Perëndimor, në tregjet e BE-së.

Por, ndërkohë, nuk thuhet asgjë për Kinën. Rreziku, sipas propagandës së qeverisë, mbetet Rusia, ndërsa Mesia mbetet BE-ja. Asnjëra as tjetra nuk rezultojnë krejt të vërteta. Brukseli po rri e vështron, ashtu sikurse edhe Moska po rri e vështron. Qeveria shqiptare që ishte mikpritëse e samitit të Durrësit, nuk i tha asgjë qytetarëve të saj. Po, vallë, a po zhvillohet një politikë e pa votuar? As shqiptarët dhe as serbët, as boshnjakët dhe as maqedonasit, nuk kanë votuar për një politikë rajonale dhe ndërkombëtare të panjohur.

Ndërsa janë fshehur interesat e shteteve Europiane dhe të Shteteve të Bashkuara në rajon.

Rusia po investon në rajon prej një kohe të gjatë. Aleanca e saj në fushën energjetike me Rusinë, e ndikon Ballkanin.

Shtetet e Bashkuara janë përfolur si të painteresuara në Ballkan, pas ardhjes së presidentit Trump. Por kjo duket e qëllimshme, që të ulet intensiteti i vëmendjes qytetare ndaj Amerikës. Prapë qeveritë ballkanike fshehin një të vërtetë. Edhe pse në marrëdhënie të vështira në rajon, Shtetet e Bashkuara kurrë nuk e kanë hequr vëmendjen. Ushtarakisht, SHBA-ja ka interesa në Ballkan, si në Forcën e Kosovës të udhëhequr nga NATO, ashtu edhe në investimet e huaja e direkte. Deri tani, SHBA-ja ka investuar 147 milionë USD, ndërsa BE-ja ka premtuar të investojë 48 milionë dollarë, me rastin e marrëveshjeve të reja.

Çështja është: A ka dominacë europiane në Ballkan? A ka Jugosllavi të Re? Apo ka thjesht një demagogji dhe samite për të mbuluar atë që nuk dinë as vetë liderët e qeverive ballkanike dhe të BE-së!?

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: