“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Edmond Spaho: Shoku Sali bëri gabim që "na hoqi kapistallin"

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Edmond Spaho: Shoku Sali bëri gabim që "na hoqi kapistallin"
Flet shoku Edmond Spaho, nënkryetar i PD-së: Shoku Sali bëri gabim që "na hoqi kapistallin"

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i gushtit e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Sapo dëgjuam idenë e hedhur nga shoku Edmond, për votim të detyruar me ligj për të gjithë shtetasit shqiptarë, u nisëm me të shpejtë ta takonim. Duhej bashkëbiseduar, që të mësonim diçka më shumë rreth kësaj. Me thënë të drejtën, aq përshtypje na bëri ky propozim, sa desh shkuam e takuam shokun Edmond ashtu siç ishim, pa bllok me vete. Pastaj u kthjelluam, e  morëm bllokun, ku hodhëm disa pyetje. Themi disa, pasi shumica e pyetjeve u krijua gjatë bashkëbisedimit. E si mund të ndodhë ndryshe gjatë bisedës së lirë me një demokrat, që në bazë ka lirinë.

-Përshëndetje shoku Edmond dhe shumë, shumë faleminderit që pranuat të bëheni pjesë e rubrikës së antenës tonë të jashtme.

-Ju faleminderoj edhe unë dhe ju uroj kapje sa më të mirë të sinjaleve!

-Deshëm t'ju pyesim shoku Edmond, për një çështje që...

-Si doni t'ju përgjigjem? Në cilësinë e nënkryetarit të PD-së, apo në cilësinë e thjeshtë të qytetarit të ndershëm Edmond?

-Do ishte mirë në atë të parën, shoku Edmond. Se ju jeni politikan.

-Politikan jam vërtet, por përpara se të jem i tillë, jam edhe njeri. Dhe këtë mos e harroni!

-E si ta harrojmë, që ju keni bërë bamirësi pa fund kur ishit në pushtet.

-Ka që e harrojnë, ndaj. Ja mua p.sh., ç'nuk më bënë që fola si njeri, e jo si politikan.

-Ku folët? Përse e keni llafin? Pak më i saktë, ju lutem!

-Për atë çështjen e investimeve që do bëjë Banka e Shqipërisë, pra. Që mbrojta këtë investim, te ish Hotel Dajti. Për kokën e njeriut tim të afërt që punon aty, që nuk kam folur si politikan. Ju betohem! Unë si njeri në radhë të parë jam pro atij investimi. S'ka rëndësi ka apo s'ka transparencë dhe se sa është shuma që do të investohet aty. Ky është mendimi im. E dini ju ç'do të thotë fjala transparencë? Hë, e dini, apo nuk e dini?

-Nga ta dimë ne, shoku Edmond. Ne jemi rubrikë fringo e re. Pastaj aty ku kam qenë unë në fëmijëri, pak dinin latinisht. Vetëm doktorët.

-Transparencë more shok, i thonë "Tejdukshmëri" " Kthjelltësi".

-Vlerësime shoku Edmond për fjalorin mjaft të pasur që keni!

-Kam punuar me të huajt, që kur isha te Ministria e Turizmit përpara njëzet e kusur vitesh, kur s'kishim fare turizëm. Se mos kemi tani turizëm neve. Punoja me të huaj, ama nuk ja lija vetes që të flisja gjuhë të huaj. Se edhe nuk dija shumë, në fakt. Nejse, ku ta kisha llafin?

-Te transparenca e investimit për Hotel Dajtin? Që nuk...

-A po! Pra në fillim e rëndësishme është që ta ndërtojmë atë hotel, d.m.th. atë bankën atje. Pastaj vjen transparenca. Nuk mund të ketë transparencë në ndërtim more shok, në një hotel që mban emrin "Dajti". Si mund të ketë kthejlltësi, më thoni? Vetë mali i Dajtit është bërë tym e blozë, këta duan kthjelltësi në hotelin që mban emrin e tij. Ju lutem shumë! Janë disa gjëra që duhet të kenë lidhje natyralo-logjike me njëra-tjetrën.

-Në fakt unë nuk erdha t'ju pyesja për Bankën e Dajtit. Dmth për Bankën që do ndërtohet te Hotel Dajti, shoku Edmond. Erdha t'ju pyes për idenë tuaj, të votimit me detyrim. Kundër kësaj ideje p.sh. doli edhe koka e Lëvizjes së Legalitetit, shoku Sulejman Gjana. Ai tha që “sun mund me u ba dot, pasi sun ekzistojnë kushtet për”...

-Këta të Legalitetit dëgjoni ju?! Po këta vajtën 70 vite që i kanë pushkët pa shul, more shok. Vetëm kur vijmë neve demokratikasit në pushtet, ju japim ndonjë shul. Vetë i quajturi Princ i Mbretërisë, katandiset e shkon këshilltar për çështjet e Republikës.

-Pyetja tjetër, që kam në bllok... (Ku e lashë atë dreq bllok? Hë, e gjeta!)

-Sa kohë kam pa parë bllok të tillë. Që nga koha kur mbanim bilancet ekonomike. Eh! Më falni për këtë suspancë nostalgjie! Vazhdoni ju lutem!

-Cilat janë argumentet tuaja dhe çfarë mendoni? A është detyrimi i...?

-Që duhet detyrimi, duhet, më falni që ju ndërpreva. Këtë milet nëse nuk e detyron, fillon e livadhis. Sidomos ne demokratikasit. Po na le të lirë, neve harbohemi fare. Ja shiko ti! Iku, na la të lirë Saliu, e vështro ku u katandisëm. S'dimë se ku jemi.

-Pra ju po thoni që synimin e keni që të çoni të votojnë demokratët, nëse e kuptova drejt?

-Po sigurisht ata, se kë ndryshe! Ata të tjerët i çon "kujtimi i lavdishëm i shokut Enver", që në orën 5 të mëngjesit. Vishen si për festë dhe shkojnë e rreshtohen si qëmoti përpara kutisë së votimit. Këtyre tanëve s'kemi ç't’ju bëjmë ne. Ndaj më ra në mendje kjo ide. Ma futi një miku im në fakt. Ai më tha që...

-Ou! Një miku juaj ju dha këtë ide. Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. Do e nxjerr në lajm: Ekskluzive - Një mik i jep idenë...Nejse! Ç'ju tha ai tamam, nëse mund ta dimë, pra nëse nuk përbën sekret?

-"O byrazer,- më tha.-Po për kokë të mamkës, që po të na thoni ju që ju kemi aty në qendër, ne jemi gati që t'i nxjerrim me pahir njerëzit që të votojnë. Ne kemi nxjerrë jashtë Kryeministrisë, Fatosin më 1998, e jo më njerëzit e thjeshtë". Ja kështu më tha.

-Kuptova, pra juve mendoni që meqenëse...

-Po ta mendosh hollë, mirë më tha. Ne nxorëm për bythe nga zyra, më fal për shprehjen, Fatosin që iku në Maqedoni nga frika si lepur, e mos të nxjerrim miletin nga shtëpia. Pastaj unë nuk e kuptoj: Përse rrinë në shtëpi e nuk dalin, xhanëm?! Rrinë vegjetojnë. Po vdesin demokratikasit nga te qëndruarit inaktivë. Sikur qoftë edhe vetëm atë ditë që janë votime, të ngrihen e të shkojmë të hedhin votën, kushedi sa jetë demokratikasish do kishim shpëtuar.

-Keni bërë statistika se sa jetë demokratikasish mund të shpëtoheshin nëse ndodh kjo?...

- Akoma nuk i kemi bërë se s'po gjejmë shef Lulin ku ka shkuar, që të na japë ndonjë fond për kërkimin shkencor, por dimë apriori se moslëvizja, parazitizmi sjell trashjen e gjakut të kuq, te elektorati ynë me gjak blu.  Ndaj duhen nxjerrë me detyrim të votojnë, se përndryshe do na lënë shëndenë demokratikasit. Eh more shoku Sali ç'na bëre! "Na hoqe kapistallin", e tani që kemi liri, s'dimë si ta menaxhojmë. Dua të shtoj edhe diçka.

-Flisni, flisni ju lutem! Në këtë rubrikë mund të thuhet gjithçka.

-Me votimin e detyruar, ne nxisim që të vijnë mijëra e mijëra emigrantë. Mirëpo siç thotë shkenca e ekonomisë për të cilën unë jam ekspert, sa më shumë është qarkullimi i njerëzve, aq më shumë rritet qarkullimi i kapitalit. Kjo do sjellë rritjen e ekonomisë.

- Interesante! Lidhur me çështjen, unë për vete mendoj: Ju mund t'i nxirrni demokratikasit nga apatia, pa i detyruar shoku Edmond. Duke u reformuar ju si parti, p.sh. Duke ofruar njerëz energjikë, të papërlyer nga aferat. Duke larguar biznesmenët injorantë, etj, etj...

- Po ç'ja fut kot, o t’u mbylltë! Po pse bre, ç'jemi ne? Budallenj na di ti bre! Nëse bëjmë këtë që thua ti, nuk më shikon më në Parlament mua dhe shumë demokratikas si unë. Gjithsesi, sado të këqij të jemi ne të djathtët, nuk jemi më shumë se të majtët. Tani më lejoni të largohem, pasi kam një punë. Para se të iki, po e mbyll bashkëbisedimin me një shprehje të njërit, Uolf Bierman quhet. Ujk Biermani, i thënë në shqip.

-Kush është ky Ujku? Nga është ky? Është ujk i brendshëm, apo i jashtëm?

-Është i jashtëm sigurisht, se çdo gjë e jashtme thotë të vërtetën.

-Kot nuk e kemi nxjerrë jashtë edhe neve antenën tonë.

-Ky Ulfi bre, është një autor tekstesh dhe këngëtar gjermano-lindor, që u arratis drejt asaj Perëndimore, ku edhe rron akoma, dhe është si kokrra e mollës strakinge të Korçës.

-Nuk e ka kthyer policia atë se pse vajti në Gjermani, paska shpëtuar. E ç'ka thënë ky Ujku?

-Ky ka thënë një shprehje të goditur; "Për urrejtjen e së Djathtës, mund të jesh i sigurt. Për dashurinë e së Majtës, JO..."

-Paska qenë tip filozofi ky Ujku i jashtëm. Çështja është që unë s'po marr vesh, se kush është e majta, e kush e djathta në Shqipëri, o shoku Edmond.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: