“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Flet sekretari i Përgjithshëm i MAS, Plarent Ndreca: Shoqja Karabina, mbante armë...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Flet sekretari i Përgjithshëm i MAS, Plarent Ndreca: Shoqja Karabina, mbante armë...
Flet sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, shoku Plarent Ndreca:  Ish-ministria e Arsimit, shoqja Karabina, mbante armë...

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i gushtit e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Gjithkush që ka ndjekur zhvillimet politiko-ekonomike në këtë behar, ka vërejtur debatin midis ish-ministrit të Arsimit, shoqes Mirela Karabina dhe shokut Plarent Ndreca, sekretar i Ministrisë. Për të hedhur dritë mbi këtë zhvillim antagonist, rubrika jonë shkoi në ballë të konfliktit, bash në godinën e Ministrisë së Arsimit. Aty gjetëm dhe biseduam me vetë shokun Plarent, një prej objekteve dhe subjekteve të atij debati të mprehtë. Ja biseda e zhvilluar me të, në zyrën e tij të thjeshtë, e orenduar me shije, ashtu si veshja e tij.

-Shoku Plarent! A mund të hyj! Ju shikoj se jeni i zënë. Po pres këtu atëherë...

-Hajdeni, hajdeni hyni! Po ku të shkojmë ne pa median. Nuk isha i zënë, veqse po lexoja një superlajm. Ju a e lexuat për atë vajzën nga Mirdita çë doli nga të parat në Maturën tonë Shtetërore? Ja ku është botuar! E tillë duhet të jetë media. Të japë lajme vetëm të mira.

Jo si "Mediat e Kazanit", çë vetëm nxinë gjendjen e vendit, siç ka thënë edhe rroftë sa malet kreshnike të malësisë, shoku Edi Rama.

- Jo shoku Ndreca, nuk pata kohë ta lexoja, pasi erdha direkt e te ju. Asaj çupës i lumtë, e ishallah e ndihmojnë dhe ikën jashtë shtetit, të studiojë andej o derman!

-Po ku të iki se! S'ikën dot, sepse e ka lënë Sali Berisha të varfër. Iku e bija e Linditës në Francë, megjithëse nuk ishte kaq e mirë sa kjo në mësime. Bo, m'u thaftë goja qfarë thashë!

-Mos u shqetësoni se nuk ju dëgjon shoqja Lindita.

- Edhe unë nga Mirdita jam si ajo vajza që mëson shumë, kështu që edhe unë jam i menqur.

-Po ju shoku Ndreca e lexuat lajmin sportiv, se ç'kishte bërë në vitet e karrierës së tij sportive, basketbollisti Kushtrim Zaçe. Kur luante për Partizanin dhe ekipin Kombëtar...?

-Jo, nuk e kam lexuar. S'kam pasur kohë, ti e shikon. Punët për rilindjen e arsimit..

-E pra edhe unë jam basketbollist i madh, meqë Kushtrimi ishte nga Tepelena si unë. Nejse!

Po ju shikoj që keni shumë dokumente të shpërndara nëpër zyrë. Ka ndodhur ndonjë gjë?

-Së pari, më falni çë më gjetët ca rrëmujë. Po ikën ajo gruaja e zyrës së Ministrit. Ajo që ishte brenda në të d.m.th.

-Cila grua po largohet? Ku po shkon? Do rrijë gjatë aty ku po ikën?

-Po filluat me pyetje juve, s'mbaroni. Qetësohuni pra, një e nga një bëjini. Në përgjigje të pyetjeve: Ajo gruaja që ka qenë ministre, po ikën po nxjerr plaçkat pak e nga pak nga zyra e saj. Ajo që s'dua t'i kujtoj as emrin, e për më tepër nuk dua t'i dëgjoj as mbiemrin.

-E keni fjalën për ish-ministren, shoqen Mirela Karabina. Akoma i mbani mëri?

-Jo besa nuk mbaj mëri, veqse, me thënë të drejtën, ja kam kaluar shumë keç me të. Ma ka bërë borxh, për zotin. Disa herë madje, më ka sulmuar në media.

-Si ja u bëri borxh, a mund ta dimë? Kë quani ju të bërë borxh?

-Erdhi këtu në Ministri e thoshte çë unë kam përfituar tendera. Më falni more shokë, po unë dy makina të qelbura kam, një Mitsubishi e një Jaguar që mezi bëjnë së bashku 70 mijë euro. Shokët e mi të Rilindjes këto makina si të miat i mbajnë në garazhe, se kanë turp t'i nxjerrin. E di unë, e mësonte Lul Basha çë të më sulmonte. Shpirtin nuk e kishte të lig ajo, por e shtynte politika. Çë sa erdhi në Ministri, u zumë, me thënë të drejtën.

-Përse u zutë, a mund ta di lexuesi i pavarur i rubrikës sonë, ju lutem?

-Çë sa hyri te dera u grindëm. Sapo futi këmbën e djathtë në institucion madje. Ajo e kishte fajin, veqse. "Mirëmënxhes”, i thashë unë kur hyri. Ja thashë pa të keq.

-Paska qënë mëngjes d.m.th. në kohën kur erdhi, e kuptojmë. Po ajo ç'ju tha?

-Thuhet "mirëmëngjes" e jo "mirëmënxhes". Këtu nuk lejohen dialektalizmat e theksuara, se është institucioni i Ministrisë së Arsimit, më tha.

-E çuditshme! Vetëm për kaq jeni zënë?!

-E quditshme të duket ty, por mua më plasi shpirtin sa ishte këtu. "Unë jam diplomuar për gjuhë shqipe, e do e mbroj pastërtinë e saj deri në vdekje", më thoshte. Sa herë flisja unë, ajo më korrigjonte. Më plasi shpirtin, po të them. Nuk flisja dot, se më ndërpriste. Më tepër më dukej si korrektore letrare, sesa si Ministër i Arsimit. Më futen të dridhura kur kujtoj emrin e saj.

-Qetësohuni shoku Plarent, qetësohuni!

-I qetë jam. Gjithsesi e pranoj që falë kritikave të saj, tingullin "gj" nuk e ngatërroj më me "xh". Vetëm te këto "q" me "ç" kam ndonjëherë problem. Tani e sjell ndër mend qastin kur na tha emrin e saj, aty poshtë në korridor të institucionit, tek po hynte. "Quhem Mirela Karabina",-tha. Sa tha kështu ajo, mua desh më ra të fikët. Shyqyr që s'më ra, se do kisha plasur kokën te shkallët. Kushedi sa fort do isha përplasur e sa shkallë do ishin thyer, me gjithë atë fuqi të mbledhur emocionale çë kisha në atë moment.

-Ç'problem kishte emri i saj, a mund të ma shpjegoni, ju lutem?!

-Si q'problem kishte more shok!? Kishte, e shumë madje. Institucioni i Arsimit është i paqtë. Nuk mund të pranohen aty, njerëz që reklamojnë dhunën. Vetë shoqja Karabina ishte e tillë. D.m.th që nga mbiemri. Ç'është karabina, e dini ju? Ja u them unë, që kam qenë oficer policie. Është një armë. Pra vetë Ministri i Arsimit mbante armë. E mbante, me leje, do thoni ju. S'ka rëndësi kjo. Me leje, pa leje, ajo e mbante.

E si mund të rrijë si ministre një person që mban armë! Nuk e mbante në brez, e mbante në mbiemër. Njëlloj është. Madje më keq. Nxënësit e shkollave, sa të dëgjonin mbiemrin e saj do bëheshin të dhunshëm. Më kuptoni?

- Pra ndaj ziheshit me të. Tani e kuptova unë.

-Sigurisht që ndaj. Për të mirën e arsimit pra. Pastaj mbiemri i saj "Karabina" më solli kujtime nga e kaluara ime e disa viteve më parë. Kam punuar në Policinë e Shtetit dhe kam alergji kur dëgjoj emrin e armëve. Sa tha ajo gruaja mbiemrin e vet, Karabina, mu kujtua arma me të njëjtën emër. Forca e zanatit, kuptohet. Direkt më shkoi kujtesa në kohën kur orë e pa orë, shkoja në vendngjarje. Lere ama se torturohesha. Atëherë s'kisha edhe shumë grada, që të bëja ndonjë lek. Jo, tani jam mirë, mashallah. Më vjen leku vetë. Edhe kur s'do të vijë, shkoj unë e marr. Shumicën e rasteve ama, ka ardhur vete. Më vret Zoti, po u qava.

-Eh Zoti...! Nejse! Desha t'ju pyesja në fakt për ndonjë gjë të re që do sillni në arsim, meqë ju jeni personi që merreni me politikat arsimore, mesa di unë.

-Fiks e dini. Po merrem me disa gjëra, po për momentin nuk dua t'i bëj publike, pasi nuk kemi as ministër. Sa të emërojë rroftë shoku Edi Rama ndonjë ministër, do t’i merrni vesh të gjitha ndryshimet në arsim. Ishallah nuk më largon që këtu nga ky post, e kam hallin unë.

-T'ju largojë!? E përse ta bëjë këtë Kryeministri?!

-Meqë kanë ndërruar konjukturat, ndaj. Ju e dini besoj që unë kam qenë avokat i babait të shokut Saimir, kur u akuzua nga Berisha për ...

-Po e di. Kam dëgjuar atëherë kur u bë publike. Ç' lidhje ka kjo me largimin nga puna?

-Meqë e hëngri Saimiri dhe e hoqën nga Ministër, kam frikë se largqoftë e pësoj edhe unë. Po unë do shkoj vetë te Kryeministri, e t'i them çë i jam besnik deri në vde...

-U largqoftë, mos e përmendni atë shprehje popullore. Para se të jetë politikan, është njeri, e mua më dhimbset, si ai, si Saliu. Si Iliri. Hë se desh harrova Lulin.

-Luli i harruar është. E kanë harruar të tijët. S'e kam frikën nga ai unë, frikën e kam nga brenda. Desha të thosha; Do të jem besnik, deri në vdekje politike. Se pasi ikën, s'pyet njeri. Inshallah nuk më heqin o zot, se jam mirë këtu. S'ka përse të më heqë rroftë Edi Rama, fundja. Unë detyrën si avokat bëra që mbrojta babain e Saimirit. Eh q'bela ka kjo puna e politikës. Stres është. Po q'të bëjmë. Duhet përballuar stresi, se duhen ato të shkreta para.

-Thonë që paraja nuk të bën të lumtur. Kështu thonë shumë njerëz, o derman!

-E ka thënë ndonjë polic objektesh, që nuk ka para. I njoh mirë unë ata. Ore ti derman!

Vërtet paraja nuk të bën të lumtur, por nëse di ta menaxhosh, paraja as lumturinë nuk ta heq. Ja kështu. Tani të më falni, se kam ca punë, për të mirën e arsimit...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: