“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Ilir Beqaj: Kam bërë lekë me thasë, por...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Ilir Beqaj: Kam bërë lekë me thasë, por...
Ilir Beqaj: Kam bërë lekë me thasë, por...

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i gushtit e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Në adresë të rubrikës sonë, dje në mbrëmje arriti një letër e ndjerë, e shkruajtur me shkrim dore. Në të shprehej pendesë dhe sinqeritet. Për të qenë korrekt me lexuesin, po e botojmë atë, ashtu siç edhe na erdhi. Ja çfarë thoshte ajo letër:

E nderuar "Antena Jashtë Familjes"! Marr guximin njerëzor t'ju drejtohem juve, për diçka që më shqetëson. Së pari desha t'ju them se kurajon brenda vetes e gjeta, pasi lexova letrën e shokut Saimir Tahiri drejtuar Kryeministrit të vendit, që ju e kishit botuar pardje.

Më pëlqeu fakti që shoku Saimir ishte treguar njerëzor dhe kishte pranuar gabimet në punën e tij. Të tillë duhet të jenë njerëzit. Jeta është e shkurtër, e ne si qenie që frymojmë vetëm për dhjetëra vite, duhet të heqim dorë nga makutëria jonë.

Këtë e kam kuptuar ditën e diel, kur shoku Edi nuk më vendosi ministër. Dhe mirë bëri. Gjatë viteve që unë kam qenë në një pozicion të tillë, u fryva me lekë dhe euro.

Aq shumë kam bërë, sa nuk e di ku i kam vënë. Me thënë të drejtën, jo të gjitha i kam mbajtur për veten. Shumë prej lekëve të fituara, i kam dorëzuar sipas urdhrit nga lart."

Në fund të letra ishte vendosur piktura e një ambulance pa rrota.

Megjithëse ishte natë vonë dhe për hir të së vërtetës, na vinte gjumë, redaksia e rubrikës sonë, u mblodh dhe shqyrtoi këtë letër. Dikush thoshte: këtë letër, e ka dërguar ndonjë shofer ambulance. Dikush tjetër, se na e kishte dërguar ndonjë infermier. Derisa një zotëri që merret me pastrimin e zyrës së redaksisë, tha:

Kjo letër është dërguar nga ish-ministri i Shëndetësisë, shoku Ilir Beqaj.

E pamë me dyshim. Ai këmbënguli për idenë e tij duke thënë:

"E kush më mirë se një rilindas, një njeri i rritur me etikë, mund ta ketë nisur këtë letër. Jam i bindur se vetëm  shoku Ilir, i rritur në një shtëpi me libra ku flitet për ndershmëri, sinqeritet, pastërti morale, mund ta ketë bërë këtë letër".

Për të vërtetuar nëse vërtet shkruesi i saj ishte shoku Ilir, dolëm nga redaksia që në të gdhirë. Rrugës, afër Bashkisë së Tiranës takuam shokun Ilir Beqaj.

Me të kryem këtë bashkëbisedim, miqësor dhe të ngrohtë:

-Përshëndetje shoku Ilir! A jeni ju autori i letrës drejtuar...?

-Përshëndetje e respekte edhe nga ana ime! Më vjen mirë që rubrika juaj i thotë gjërat hapur. Po, po unë jam autori i asaj letre. E kam shkruajtur me shpirt. Gjerat duhen thënë troç, e pa lulka. Duhet vënë gishti në plagë. Boll me sheqerosje, e me mashtrime. Ka ardhur koha të them edhe unë ato që di. Dhe di shumë, madje.

-A mos po e bëni këtë, meqë nuk u vendosët ministër, këtë herë?

-Ju lutem, mos u bëni si "Mediat e Kazanit"! Unë ashtu si Saimiri, jam i lumtur që nuk mora ndonjë funksion këtë radhë. Plasa! Nuk mundem më të fle, pa thënë të vërtetat.

-Cilat të vërteta p.sh.? A janë ato të ndryshme nga ato që keni thënë kur ishit ministër?

-Eh, kur ka post, asnjë nuk thotë të vërtetën. Si duket, fajin e ka karrigia. Njeriu i gjorë tjetërsohet, pasi i zë menderja rehat. Harron njeriu i shkretë që jemi të përkohshëm në këtë dynja, e se nuk do t’i marrim paratë me vete. Kujtojmë se do rrojmë me shekuj.

-Para se të rrëfeheni, deshëm t'ju pyesim, ju lutem: A mendoni se...?

-Përse do më pyesni. Për kolegët tuaj, që kishin ndërtuar ca shkallë, e ky shtet nuk i la, por ju dërgoi policinë? Pse shtet e quani këtë ju! Le të merret po deshi me ata që bëjnë miliona. E di si është ky shtet? Jo, e dini?

-E nga ta dimë neve, shoku Ilir. Ju e dini më mirë, pasi keni qenë me funksione. Keni qenë jo pak, por Ministër i Shëndetësisë në qeverinë e kaluar.

-Meqë më kujtove qeverinë: Qeverllëku është si ato shkallët që donin të ndërtonim kolegët tuaj. Të shkretët gazetarë, kujtojnë se duke u ngjitur nëpër shkallë, shkurtojnë rrugën. Rruga shkurtohet duke u katapultuar. Më kuptoni? Kush ecën nëpër shkallë, nuk bën hajër. Kush ngjitet me ndihmën e dikujt, arrin majat. Si unë p.sh., që u katapultova.

-Ta lëmë filozofinë mënjanë, shoku Ilir. E shikoj që jeni shumë i prekur nga...

-Jam posi! Jam lodhur, duke gënjyer nëpër media se kemi arritje në shëndetësi. Një lesh kemi. Po të kishim, nuk na iknin 1/5 e doktorëve neve.

-Po thoni që... Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për rubrikën tonë.

-Kam bërë lekë me thasë. Që sot, do jap dorëheqjen nga të gjitha bordet ku jam anëtar. Vetëm nga bordet, marr e pakta 2 milionë lekë në muaj.  Do kthej edhe pagat që më dhanë, pasi u largova nga detyra. Nuk mund të vazhdoj të më brejë ndërgjegjja. Edhe kë, mua që jam rritur që në fëmijëri me libra për të bukurën, për ndershmërinë, për sinqeritetin. Nuk mundëm më të vazhdoj të gënjej veten dhe njerëzit.

Kemi blerë çarçafë, me pesëfish çmimin e vërtetë.  Para disa ditësh p.sh., kontaktova shokun Erion Veliaj, atë Kryetarin e Bashkisë. Nuk u fryva me paratë e Vilmës, por doja edhe këto të Tiranës, për tenderin e autobusëve me bileta elektronike. Nuk u fryka njeriu u shkretë. E të me dish që jam rritur duke lexuar në shtëpi, libra për etikën.

-Si shpjegohet që ju që u rritët me këto libra, që bënin fjalë për humanizëm, kur morët kolltuk, bëtë të kundërtën e atyre që shkruanin etërit tuaj?

-Ne bijtë e atyre, u rritëm të përkëdhelur. U rritem pa frikën e zotit dhe të shtetit, ndaj. Kishim frike vetëm partinë. Nëse kishin halle, na i zgjidhnin prindërit dhe partia. Kjo është arsyeja që ne, sa u ndryshua sistemi, ju futëm të parët kapitalizmit. Dhe ndaj fituam, se nuk e nisëm ecjen nga shkallët, por ecëm me ashensorë.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: