“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Majlinda Bregu, letër Edi Ramës: Njerëzit duhet të vizitojnë kalanë e Prezës

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Majlinda Bregu, letër Edi Ramës: Njerëzit duhet të vizitojnë kalanë e Prezës
Majlinda Bregu, letër Edi Ramës: Njerëzit duhet të vizitojnë kalanë e Prezës

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i gushtit e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Antena jonë sot, në ditën e fundit të verës zyrtare, sjell për ju lexues, letrën e shoqes Majlinda Bregu dërguar Kryeministrit të vendit. Kjo letër, mesa kuptohet është shkruar menjëherë pasi shoku Edi bëri të ditur se viti i ardhshëm do të jetë për Heroin tonë Kombëtar, të madhin Skënderbe. Letra përmban shumë fakte sociologjike dhe historike, të cilat, për mendimin tonë, i japin vlerë Heroit. Ja çfarë shkruhet në të:

Letër Ish-Kryeministrit të vendit, Edi Rama!

Së pari po ju thërras "ish" pasi ju nuk jeni zgjedhur akoma Kryeministër i qeverisë së re. Ju mendoni se do zgjidheni. Po ku i dihet. Edhe unë kështu mendova kur dolën llafe se në qeverinë e re do isha edhe unë. Ku i dihet. I teket Ilir Metës dhe nuk ju dekreton.

Më vjen keq për vendin që humbi një ministre si unë. Ju këtë mungesë do e ndjeni në të ardhmen. Koha do vërtetojë llafet e mia.

Arsyeja që ju shkruaj nuk ka të bëjë me vendimin tuaj që të mos më përfshini në qeveri. Aspak! Unë nuk jam kaq e ngushtë. Koha do ta vërtetojë që ju keni gabuar. Arsyeja është akoma më e thellë, sidomos në kohë.

Para dy ditësh ju bëtë publik vendimin tuaj që viti i ardhshëm të jetë për nder të Skënderbeut. Dhe mirë bëni.

E para, ai është një klub futbolli i ngritur falë largpamësisë së shokut tim, Ridvan Bode. Ishte ai që ndërtoi një klub që, pavarësisht se erdhi nga skutat e errëta të kategorive inferiore, arriti aty ku asnjë nuk kishte arritur më parë. Respekte për Ridvanin.

E dyta, vetë Heroi ynë, Skënderbeu, e meriton një respekt të tillë. Në vazhdën e aktiviteteve për nder të tij, unë propozoj që në Kalanë e Prezës, të dërgohen me lekët e shtetit, gjithë udhëtarët që nisen për në Aeroportin e Rinasit.

Nëse dikush prej tyre nuk do pranojë që të vizitojë këtë kala, me pretekstin se është vonë dhe i niset avioni, të mos lejohet të largohet nga vendi ynë.

Edhe vizitorët që mbërrijnë në këtë aeroport, duhet që më parë të vizitojnë këtë kala. Nëse këta nuk pranojnë, të kthehen mbrapsht nga vendet ku kanë ardhur, me detyrim.

Kjo kala mbart në vetvete një histori të pasur. Ishte kjo histori që bëri që unë, ngjitur me të, të ngrija shtëpinë. Siguroj se të gjithë vizitorët që do vijnë në kala, do ta kenë të hapur shtëpinë, pasi do e kthej atë në muze, për hir të interesit të përgjithshëm.

Në të do të ekspozoj të gjitha dokumentet e lejeve që kam marrë për të ndërtuar atë shtëpi, në përgjigje të gjithë atyre që thanë për mua se abuzova me lejet. Dhe për kë, për mua që abuzimin nuk e kam ditur as që ekzistonte në fjalor. Unë, edhe projektet e shumta që kisha kur isha ministre e Integrimit, nuk ua jepja të afërmve të mi.

Të rikthehem te ideja juaj për Skënderbeun: Propozoj që nga ana lindore e Kalasë së Prezës, ku është edhe një aparat dylbie, të hiqet. Jo të hiqet fare, veçse. Të hiqet, por të zëvendësohet me një tjetër. Të zëvendësohet tamam, jo vetëm në letra. Të sillet një dylbi më e fuqishme, me qëllim që vizitorët të kenë mundësi të shikojnë me anë të tyre edhe mua, p.sh. gjatë kohës kur shkoj e takoj elektoratin. Mirë do ishte që zëvendësimi të bëhej më parë. Vizitorët do kishin mundësi të më shikonin p.sh., se si shkoja me taka të larta e takoja njerëzit. Pse ç'jam unë. Vasilika Hysi jam unë, që shkonte e takonte fukarenjtë me atlete. Nuk i ka hije një femre të shkojë me atlete.

Si duket, ju socialistët jeni të fiksuar pas tyre. Unë për vete nuk shkoja dot pa taka e pa veshje "shik". Kam dashur përherë që fukarenjtë të më shikonin me admirim e me kënaqësi, jo vetëm mua, por edhe forcën time politike.

Tani po bëj publike për herë të parë një fakt, që nuk e kam thënë gjëkundi:

Jam akuzuar prej juve, socialistëve, se kam ndërtuar shtëpinë në Kala të Prezës, me leje të marra në mënyrë abuzive. Edhe nga kush jam akuzuar, nga Tanët. D.m.th. nga tuajt, por nga Tanët them, pasi kanë qenë Tan Shkreli dhe Tan Lame ata që kanë folur më shumë, kur isha Ministre e Integrimit. Nuk e kam pritur që pikërisht ata që kanë ditur historinë, të flisnin ndaj Meje, në atë kohë.

Po shpjegohem: Ajo shtëpi më takonte ta ndërtoja aty. Sipas historisë së kalasë së Prezës, aty është bërë dasma e motrës së Skënderbeut, me një djalë të familjes Topia. Kjo familje, kam të gjitha të dhënat historiko-sociologjike, që vinte nga Franca.

Unë atë kohë që ndërtova atë shtëpi, afër mureve të kalasë, isha ministre e Integrimit.

Duke ndërtuar me kalanë që një pinjoll i Francës u martua në të, unë i bëja të ditur opinionit ndërkombëtar se unë, si ministre e Integrimit, isha pro martesave të shqiptarëve me francezët. Pra, isha për një integrim martesor, në aspektin sociologjik, e ndërpolitik, në aspektin e sotëm.

Po e mbyll letrën, duke ju kujtuar që të mos harroni të detyroni njerëzit të vizitojnë Kalanë e Prezës.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: