“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Milva Ikonomi deklaron: Arben Ahmetaj nuk donte që unë të bëhesha Ministër

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Milva Ikonomi deklaron: Arben Ahmetaj nuk donte që unë të bëhesha Ministër
Shoqja Milva Ikonomi deklaron: Arben Ahmetaj nuk donte që unë të bëhesha Ministër

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i gushtit e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Meqë sezonit turistik veror po i vjen fundi, menduam të bisedonim me shoqen Mila Ikonomi, e cila është e para e institucionit që merret me këtë punë. Atë e gjetëm më krye të detyrës, në Sarandë dhe shkonte herë pas herë kur plasnin fekalet, edhe në Ksamil.

-Përshëndetje shoqja Milva! Nga "Albanian Free Press" kam ardhur. Jam ai i rubrikës "Antena Jashtë Familjes".

-Jeni i Antenës juve. Shumë mirë atëherë, se jemi edhe tanët.

-Po, po i Antenës jam. Asaj Antenës Jashtë, d.m.th.

-Ëëëë, tani kuptova! Kujtova se... Nejse! Mirë hyni brenda atëherë. Këtu mban një erë që mezi po e duroj unë, e jo më ju që s’jeni ambientuar.

-Ç'ne këtu në Sarandë dhe Ksamil ju, shoqja Ministre?

-Më dërgoi shoku Kryeministër. "Shko atje!", - tha. Ju e dini besoj që na plasën dy-tre herë tubat e "të trashit". Desh vajtën deri në Korfuz.

-Po, po e dimë. E kemi trajtuar edhe më rubrikën tonë. Po mirë, ju ç'po bëni këtu konkretisht? Me se po merreni?

-Ç'të bëj unë e shkreta! Rri fryj sytë. Gabimet e këtyre që kanë administruar qytetin, i ha unë. Mbeta pa pushime. Po nga ana tjetër gjë e mire, se kam rënë ca kile nga pesha trupore.

-Keni rënë? Jeni marrë me not besoj. Shumë mirë, se noti ndikon për së mbari më harmonizimin e peshës trupore.

-O qenke interesant ti! Ku të lahesha këtu unë. Nuk i ke parë lajmet që kanë plasur dy-tre herë tubat. "Kam nxjerrë zorrët" duke vjellë. Për pesë ditë kam rëmë tamam dhjetë kile.

-Ua sa mirë. Unë ç'nuk po bëj të humbas peshë, e nuk po bie.

-Hajde këtu në Sarandë. Për 5 ditë, bie e pakta 10 kile.

-Unë pesë kile dua të bie. Nuk dua të dobësohem më shumë.

-Nqs do që të biesh pesë kile, atëherë qëndro katër ditë.

-Më bëtë lëmsh shoqja Milva. Për pesë ditë thatë që mund të humbas 10 kile peshë. I bie që pesë kile, t'i humbas për dy ditë e gjysëm. Kështu më duket, sipas "Rregullit të Treshit". Ju jeni eksperte e statistikave.

-Ore aguridhe! Eksperte jam unë, por jam në llogaritje. Tjetër është të llogarisësh, e tjetër të thuash e ta bësh publike atë shifër.

-Më falni shoqja Milva. E di edhe vetë që jam aguridhe. A mund të ma shpjegoni këtë që më thatë. U bëra lëmsh, me thënë të drejtën. S'po e kap.

-Shiko more shok! Kur bëj llogaritjet unë, jam perfekte fare.

-Këtë e di unë. Kam dëgjuar madje që jeni mjaft e mirë në statistike. Po përse atëherë nuk thoni atë shifër, që keni nxjerrë gjatë llogaritjes?!

-Më ka mbetur zakon nga koha që isha Drejtoreshë e "Institutit të Statistikave", ndaj. E kuptove tani, apo akoma nuk e...?

-E kuptova shoqja Ministre, e shumë faleminderit që ma thatë. Dhe në të mirë madje, se mësova shumë rreth ndryshimit; llogaritje-deklarim. Si ka shkuar turizmi këtë sezon, a keni ndonjë statistikë? Nese keni, kuptohet?

-Akoma nuk kemi, se nuk është mbyllur sezoni akoma. Di të them që jemi shumë më mirë se vitet e tjera. Më mirë do shkojë vitin tjetër, jam e bindur.

-Ku e bazoni këtë bindje, ju lutem? Që ta dimë edhe ne, e lexuesit tanë.

-Po bëjmë shtet, nuk e shikon. Apo dëgjoni "Mediat e Kazanit" juve që vetëm nxjerrin vrer.

-Jo vetëm që e shikoj, por edhe po i mbaj erë shtetit madje.

-E more vesh ç'bëmë në Delvinë? Jo po ta dish që... .

-Jo nuk e mora vesh. Keni arrestuar ndonjë kriminel?

-Akoma më shumë. Kapëm një tregtar, me qumësht në duar. U bë ai të vjedhë shtetin. Fap, e mbërthyem.

-Me qumësht në duar?! E si mund të mbahet qumështi i lëngshëm në duar, shoqja Milva. Çudi!

-E kishte hedhur në kuti. Hëëëë, do bënte evazion ai. Qumështin e nënës do ju nxjerrim këtyre shitësve, që shesin qumësht kontrabandë.

-Mirë do bëni! Në bazë të një raporti të atyre jashtë, rezulton që Shqipëria ishte në 15 vendet e para, ku bëhej pastrim parash. A jeni në dijeni ju?

-Ku i pastrojnë, këtu?! S'ka mundësi! Gënjejnë raportet. Ashtu gënjeja edhe unë kur isha drejtoreshë, ta thashë. Si mund të pastrohen paratë këtu, më thoni! Ti p.sh., nëse ke para, a i investon në...?

-Ku kam aq lekë unë shoqja ministre, sa të investoj.

-Merre me gjasme pra, sikur i ke. Ç'do të bëje sikur të kishe 1 milion euro.

-Meqenëse e bëtë 1 milion, bëjeni ca milionë, ju lutem! Nuk prish gjë.

-E mirë, ç'do të bënit sikur të kishit dy milionë euro?

-Sa koprrace që jeni. Vetëm 1 milion i shtuat shumës së parë. Nejse, nejse!

Do ndërtoja një hotel, p.sh. në bregdet, ultra fare.

-Pra nuk do i pastroje, siç thotë raporti. Duke ditur që bregdeti ynë është i ndotur, ato para dmth nuk pastrohen, por ndoten. Ja pra që raporti ja fut kot. E kuptuat? Sigurisht që e kuptuat.

-Po e kuptova. Sa ditë do qëndroni këtu në Sarandë, shoqja Ministre?

-Sa të na vijë urdhri të shkojmë në Tiranë. Vendosen ministrat e rinj të qeverisë sonë dhe duhet të shkoj me patjetër, se kam frikë se më bëjnë ndonjë puç atje lart.

-Mendoni se mund t'ju largojë kryetimonieri nga posti?

-Ku i dihet. Unë mirë e kam me të, po gjithçka pritet në politikë.

-Ashtu është vërtet. Të japin një çokollatë. Na haje, të thonë. E ku e di i shkreti njeri që ajo ka helm. Nga ta marrë vesh njeriu i shkretë se nga i vjen.

-U mos m'i kujto çokollatat, se mbaroj për to. Me kile i kam ngrënë më parë. Mora vesh që është rritur importi i tyre. Hanë dynjaja. Goja lëng më shkoi. Po ç'e do, s'i ha dot. S'dua të bëhem e varur prej tyre, se të shëndoshin ato.

-E ç'rëndësi ka pesha për një ministër. Ne duam që të kemi një ekonomi me peshë. Kjo është e rëndësishme.

-Si nuk ka rëndësi pesha! E dini ju që mua Rama më hoqi nga zv.Ministër i Shëndetësisë, e më vendosi në krye të Ekonomisë dhe Turizmit, pikërisht se kisha peshë. Po, or po!

-Ou! Nuk e dinim këtë gjë. Kjo po thuhet ekskluzivisht për mua. Shumë faleminderit që po e ndani këtë lajm me ne!

-Kë do vëmë në krye të Ekonomisë, e kishte pyetur Rama atë që ishte ministër përpara meje. - Të vëmë ndonjë me peshë, iu përgjigj ky.

-I tha Ben Ahmetaj d.m.th. Apo ishte ndonjë person tjetër?

-E, ai i tha, por s'dua t'ia përmend emrin. -Kë kemi person me peshë në ekonomi, pyeti Rama. -Kemi Cac Angjelin, i tha ai që përmende ti.

-Ue, sa i poshtër. Nuk tha emrin tuaj Ben Ahmetaj dmth. Paska propozuar Cacin. Edhe ai Mashallah është nga pesha. Buçko fare.

-Nuk e tha, jo. Cac bananen propozoi, se me atë i bën pelivanllëqet ai Beni.

Po shyqyr që i tha Kryeministri "JO", se sot nuk do isha unë ministre. Ja kam në saj të hokut Edit. E di ai ja kam thënë hapur, në sy të të gjithëve. Ja ngopi Cacit, për mua. Ngeli Beni si babane e kalbur.

Megjithëse më ka lënë këto ditë këtu në Sarandë mes fekaleve, unë i jam mirënjohëse.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: