“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Saimir Tahiri i shkruan Edi Ramës: Të falenderoj që nuk më bëre Ministër!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Saimir Tahiri i shkruan Edi Ramës: Të falenderoj që nuk më bëre Ministër!
Saimir Tahiri i shkruan Edi Ramës: Të falenderoj që nuk më bëre Ministër!

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i gushtit e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Pas bërjes publike të emrave të qeverisë së re, Antena jonë e ngritur më lart se zakonisht, (kjo për faktin e gjendjes së veçantë që ka patur vendi), ka mundur të kapë mesazhin dërguar me shifra në drejtim të Kryeministrit, nga ish-ministri i Brendshëm, shoku Saimir Tahiri.

Pas një pune zbërthyese deshifrimi të bërë gjatë gjithë natës, po e sjellim për ju lexues, ashtu sagllam siç u dërgua:

I ish-nderuar Kryeministër! Përpara se të futem në temën kryesore për të cilën po të shkruaj, po të them që më duket se Hollanda do na vendosë prapë vizat. Nëse na i vënë, të sugjeroj që fajin t'ia ngopësh asaj ish-ministres së Integrimit. Asaj që kishte vendosur në post, ai që ecte me këmbë hapur.

E ke parasysh ti për cilin e kam llafin, për atë që i shkoje çdo të mërkurë në Kryesinë e Kuvendit. Ai që kërkoi që të më hiqje mua nga ministër, e ti ja përmbushe dëshirën. Siç e shikon, u futa në temën që doja.

Më shite! Më tradhtove! Edhe më thoshin shoqet dhe shokët që do më tradhtoje, por unë nuk u besoja. Ma punove me të pabesë.

Që në momentin që krijuam atë fondacionin me emrin e Qemalit, më thanë shoqet dhe shokët; "O Saime, do të ta fusë Edi, siç ja futi Enveri, shokut të vet, Qemalit. Edi nuk ka shokë."

Tani po e kuptoj unë se përse ti këmbëngulje që ta quanim fondacionin me emrin e Qemalit. Sa naiv që kam qenë. "Nuk e bën Edi atë gjë, ju thosha". -"Ore na dëgjo ne!", më thoshin. Hiç unë, nuk mbushja që t'i besoja.

Mos kujto se jam mërzitur që nuk më bëre ministër. Përkundrazi! Jam më i lumtur se çdo herë. Këto nuk po t'i them se jam i pirë. E shumta që unë pi, është ndonjë vodka, e sigurisht ndonjë cigare, ama shumë cilësore.

Më shfrytëzove! E mban mend kur isha ministër, e takoheshim bashkë, përpara se të shkoje çdo të mërkurë të takoje atë që vendose për President?

Hë e mban mend si më thoshe?

"Saime,- më thoshe, -si do ja bëjmë për hashashin? Ta lëmë, apo jo? Ti si mendon, se unë vetë nuk e njoh shumë këtë bimë?"

Dhe mirë bëje që më pyesje mua. Se unë e njihja, kuptohet për shkak të punës në terren që bëja, pavarësisht se vetë kurrë nuk e kam futur në bark.

-"Jo- të thosha,-mos ta lejojmë, se ju bën dëm njerëzve". Kisha parë disa  shokë që e pinin në Itali, bëheshin "dhogë" e fillonin ziheshin, ndaj...

-"Po nëse  i lëmë që të mbjellin, e me këtë rast shesim ca tonë në Perëndim, e fusim ndonjë lekë në vend, si mendon?, Pasi ekonominë e kemi me nder bythë.", më thoshe.

-"Po mirë i lëmë të thashë. -Llaf burrash, më the, do i lëmë. -Llaf burrash posi", ta ktheva.

Dhe unë e mbajta llafin. I lashë të mbillnin hashash kudo. Mirëpo ti...

Edhe më thoshin shoqet dhe shokët; "Kujdes Saime se do të të përdorë për kokë turku! Do të të diskretitojë te ndërkombëtarët, që mos të kesh më mundësi që në të ardhmen të kërkosh të jesh ti i pari i partisë". Ma punove!

Dhe të gjithë ketë e ke bërë që më pas në krye të vendosësh shokun Erion Veliaj. Edhe më thoshin shokët dhe shoqet, por nuk i besoja.

Ai me atë buzëqeshje të shtirur, më hëngri. I lumtë, kur gjeti! Ama më të fortë më bëtë. Do e shikoni në të ardhmen fuqinë time.

Lufta ime ndaj tij do vazhdojë. Të betohem se nga pas, si hije do më ketë.

Unë e di që ai ka mbështetjen tënde, ama unë do luftoj.

Jam lodhur, më ka rënë bretku për partinë, e nuk do lejoj që të vijë ai mjaftisti e të ma marrë ne të ardhmen. Këtë thuaja edhe atij "mjaftist pulovraxhiut"!

Faleminderit Edi, që nuk më bëre ministër!

Më ke kthyer dinjitetin e humbur. Po, po! Tani dal i qetë dhe takoj ndërkombëtarët pa problem. Atëherë kur ju jepja dorën, e ndjeja që shmangeshin. Dhe kishin të drejtë, mirë ma bënin.

E kisha mbushur vendin me atë "jeshilen", nga Veriu në Jug.

Mua të keqen nuk ma pati ai këmbëhapuri që bëre President të Republikës. Këtë e di mirë unë. Ma pate ti, me atë mashtruesin e Bashkisë.

Edhe më thoshin shoqet dhe shokët. "Edi do më shumë atë mashtruesin, se te ai ka besim se do e lejojë të bëjë lekë edhe kur mos të jetë Kryeministër".

Unë budalli nuk i besoja. "Jo, ju thosha, se Edi e di që unë i jam i besës."

Fajin e kam vetë që të besova ty. Sa naiv që kam qenë. Më diskretitove botërisht, si ministri që la të mbillej droga, në kilometra katrorë.

Edhe një shok holandez që punon në ambasadë, nuk donte të më takonte para disa ditësh. "Nuk të takoj- më tha,- se ti na i ke mbushur rrugët e Holandës me drogë!"

Ti më diskretitove edhe në Holandë, në vendin ku pihet hashashi, si duhani.

Ja këtë më ke bërë ti mua. Bashkë me atë mashtruesin që bredh 15 ditë nëpër botë, e bën sikur ka qenë këtu duke përuruar "veprat e tij të mëdha ndërtimore". Ja di veprat unë atij. Një shi të bie, mbulohet Tirana e bëhet si me qenë në ishujt e Oqeanisë.

Mos u frikëso, se nuk përmbyten ata ishuj jo! Lekët që ke mbyllur nëpër bankat andej, janë të sigurta. Mos u shqetëso fare!

Po e mbyll, duke të falenderuar nga zemra ime e kuqe, e sinqertë;

Faleminderit që nuk më vendose prapë ministër!

E vërtetë që nuk do fitoj përsëri lekë me thasë, por ama nuk do mundesh të më diskretitosh në arenën ndërkombëtare, si herën e parë.

Jo i yti, Saimiri, ish-"Qemal Stafa" dhe ish-ministër.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: