Dinamon do ta shihni shumë shpejt në elitë! Allmuça zbulon projektin ambicioz

Dinamon do ta shihni shumë shpejt në elitë! Allmuça zbulon projektin ambicioz
Dinamo, një nga ekipet me histori të futbollit shqiptar rrezikon sezonin e fundit rënien në kategoritë inferiore. Por ia foli të qëndronte në Kategorinë e Parë dhe nën drejtimin e Igli Allmuçës ka nisur përgatitjet për sezonin e ri futbolistik.

Të gjithë dashamirësit e këtij ekipi, shumë prej të cilëve edhe nga rrethet, marrin sinjale optimizmi nga trajneri Igli Allmuça, i cila pas miqësore se humbur 2-1 me Kukësin, thotë me të rinjtë të talentuar 18 herë kampionët e Shqipërisë dhe 15 herë fituesit e trofeut të kupës, do të rikthehen në Superiore.

“Mora sinjale mjaft pozitive nga skuadra, sidomos në pjesën e parë që u mbyll në barazim 0-0. Duke patur parasysh lodhjen, menduam të kryenim disa zëvendësime, me lojtarë që janë pjesë e ekipit, apo që kanë ardhur për tu provuar. Mendoj që kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë. Kemi një skuadër me 19-20-vjeçarë dhe nëse do të bëjmë tre katër përforcime me lojtarë cilësorë, që nuk kanë vetëm emrin, mendoj që do të bëjmë një skuadër shumë të fortë.”

Dinamo është një mungesë e madhe në elitën e futbollit shqiptar për historinë që ajo ka shtuar, duke fituar 18 tituj kampionë, si asnjë ekip tjetër përveç Tiranës në Shqipëri. “E theksoj se me tre katër lojtarë cilësorë do të ndërtojmë një skuadër shumë të fort dhe ndoshta pretendente. Këta të rinj janë mjaft premtues për skuadrën, por nuk mund të merren menjëherë frytet e punës. Duhet durim, pasi këtë vit e kemi nisur këtë projekt. Nëse do ta kishim nisur përpara dy vjetësh, vetëm me këta të rinj do të hynim në Superiore, por më mirë vonë se kurrë.”

Allmuça, ish-futbollist i Dinamos e i Kukësit, flet pas testit në miqësoren e fundit.

“Sigurisht që Kukësi vazhdon të jetë në nivele të larta, ndërsa për Dinamon shpresoj që një ditë të kthehet si Partizani dhe ta kalojë momentin e vështirë. Të shpresojmë. Kur mu ofrua të drejtoja Dinamon për mua ishte privilegj, por edhe promovim dhe eksperiencë për të ardhmen time.”

Në mungesë të derbit në Kategorinë e Parë, Igli Allmuça, thotë se Dinamo e Tirana do të luajnë këtë të mërkurë një ndeshje miqësore.

“E kemi të mërkurën një miqësore me Tiranën. Të luanim në kampionat një derbi do të ishte më mirë, por kështu u vendos edhe për ne nuk ka problem. Besoj që këtë vit, me kalimin e disa skuadra nga grupi i jugut në atë të veriut janë balancuar disa ekipet. Besoj që të dy grupet janë bërë të forta.”

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: