Duhan dhe hashash, si po dëmtohen fëmijët e shkollave

Duhan dhe hashash, si po dëmtohen fëmijët e shkollave
INTERVISTA / Flet ish-drejtori i disa gjimnazeve shqiptare, nga Mati në Tiranë, Kujtim Satana: “Mitmarrje” në atë sistem ishte vetëm një kafe dhe fërnet në lokal …

  

Duhanpirja dhe hashashi… Sigurisht që as mund të mendoheshin dje këto vese të këqia që po e “vrasin” gradualisht rininë tonë”. Kështu pohon gjatë një interviste për “Albanian Free Press”, Kujtim Satana, një mësues që prej shumë dekadash ka dhënë mësim në shumë shkolla të vendit, e që sot përcjell me shqetësim gjithë të metat e arsimit shqiptar. “Nuk ka shkollë, që nuk ndeshet me këtë fenomen, ku më shumë e ku më pak. Shkolla dhe shoqëria do të fitojnëvetëm atëherë kur kjo sëmundje e çmenduri, nuk do të ekzistojë më”, shton ai. Për të parashtruar më tej edhe shqetësimin se në shkolla “me zhvillimin e teknologjive të informacionit, vihet re një zbehje e interesit të nxënësit për orën e mësimit”. “Sado thuhet verbalisht e me rregullore, përdorimi i telefonave është një sëmundje që lëngon në çdo klasë të shkollës”, thekson ai…

 

Intervisoi për “Albanian Free Press”: Albert Z. ZHOLI

Në cilën shkollë përcolle dijen si mësimdhënës?

Për më shumë se katër dekada, nga viti 1974 deri në vitin 2016, në rrethin e Matit dhe në Tiranë kam dhënë kontributin tim për arsimimin e brezit të ri, duke punuar mësues në gjimaze me emër dhe drejtues i shumë prej tyre si “Qemal Stafa”, “Arben Broci”, “Drita e Diturisë”, “Eqerem Çabej”, “Kostandin Kristoforidhi”, “Hasan Vogli” (9-vjeçare) “Hoteleri-Turizëm” dhe së fundi duke e mbyllur në Bashkinë e Tiranës, pranë QEZHEF, si Drejtor i Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve.

Për herë të parë, kam dhënë mësim në shkollën e mesme të bashkuar, “Gjergj Kastrioti” në Baz, të rrethit  Mat.

Në bazë të cilës eksperiencë strukturoheshin tekstet shkollore të asaj kohe dhe a ishin tekste bashkëkohore?

Për nga forma, tekstet shkollore të asaj kohe, më shumë ngjanin me dispenca sesa me tekstet e sotme, pra që në koopertinë nuk ishin tërheqës për nxënësin. Letra dhe lidhja, ishin jocilësore, dizajni pothuaj mungonte krejtësisht, skemat e ilustrimet ishin të pakta dhe pa ngjyra, pra vetëm bardhë e zi. Në përmbajtje, tekstet, më të shumtën e rasteve ishin përkthime të përshtatura nga autorë rusë, duke realizuar programin mësimor, që kishte miratuar Ministria e Arsimit.  Shkolla e mesme në atë periudhë vlerësohej e fortë, ku nxënësit fitonin dije të mira e të qëndrueshme. Lëndët shkencore ishin rigorozisht të sakta, pa gabime dhe të thjeshta në shtjellimin e koncepteve. Nuk parashikoheshin objektivat për temën mësimore siç bëhet sot, detyra-projekte nuk ekzistonin, ndërsa arritjet e të rejat shkencore sfazoheshin me dhjetëra vite nga aktualiteti, pasi bota zhvillohej me shpejtësi dhe izolimi total bënte punë e vet. Tekstet në atë periudhë ishin joalternative, pra unikë për të gjithë vendin dhe miratoheshin nga Ministria e Arsimit. Për lëndët shoqërore, vlen të theksohet se ato ishin tejet të politizuara, pasi çdo gjë i atribuohej, të vetmes parti. U mbushën tekstet duke lëvduar e bërë parajsë tokësore fshatin socialist. Një nxënës kur e pyeta se çfar dinte për fshatin socialist? U përgjigj: - O mësues, unë në fshat jetoj, po ku ndodhet ky fshati socialist që nuk e shoh kurrkund? Eja me mua sot pasdite e të shikosh vetë ku jetoj unë në fshat, që vetëm socialist siç shkruhet në libra nuk është.

Më bëri shumë përshtypje përgjigja e nxënësit tim. E mendoja të varfër fshatin, po deri në atë shkallë s`më shkonte kurrë në mendje,  ndaj pas mësimit u nisa për në fshat bashkë me të. Pasi ecëm në këmbë një ore e ca, arritëm në një shtëpi kasolle. U futëm brenda dhe të them të drejtën m’u kujtuan poezitë e Migjenit për mjerimin. Në nes të dhomës tymonte një vatër zjarri, mbi të cilën  nga trarët e nxirë të tavanit zgjatej çengeli ku varej një gjym me ujë. Rreth vatrës, shtriheshin rrogozat e ngrëna nga përdorimi,  ku në mbrëmje flinin familja dhe nxënësi im, nën jastëkët trungje-druri të zbutur me kashtë të thatë gruri.

Nxënësit a ishin të dëgjueshëm dhe të interesuar për mësimin?

Krahasuar me të sotmit, nxënësit ishin më të druajtur, të urtë, më të dëgjueshëm. Interesimi për mësimin përfshinte pjesën më të madhe të klasës. Sigurisht, kishte dhe nga ata nxënës,  që nuk kishin pretendime e vinin në shkollë, sa për të kaluar klasën. Disa vinin të lodhur nga punët e shumta që u ngarkonin prindërit në shtëpi, si ruajtja e bagëtive, punët bujqësore, prerja e druve për ngrohje etj, saqë në mësim  rrinin si të tulatur. Në shkollat e qytetit ndryshonte situata. Nxënësit ishin më aktivë, preferonin lojrat e ndryshme si futboll, volejboll e basketboll, të cilat organizoheshin e ndiqeshin me tifozëri të shumtë në pushimin e gjatë, apo pas orës së fundit të mësimit.

Për t`u veçuar është respekti i madh, si në shkollat e qytetit, ashtu dhe në ato të qytetit që nxënësit tregonin për mësuesit e tyre, ku nuk ndodhte kurrë t`u kthehej fjala.

Si ishte vlerësimi për mësuesit në atë sistem nga nxënësit dhe nga populli?

Nga ana e sistemit, mësuesi vlerësohej si ushtar, i cili duhet të shërbente ku të kishte nevojë atdheu. Në shkollat e zonave veriore të vendit, vinin të punonin djem e vajza që nga skaji më jugor i shqipërisë, Gjirokastra. Shumë mësuese vajza, ua falën rininë e tyre për 15-20 vjet, krahinave malore veriore, sa nuk mundën as të krijonin familje, duke jetuar në kushte mjerane, në dhoma përdhese, të siguruara nga fshatarët, pa ujë të pishëm brenda e rrjete higjeno-sanitare. Këto mësuese, siç i përshkruan dhe shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, qenë “të urta gjer në dhembje, të thjeshta gjer në madhështi”.

Ato shkolluan breza të tërë fëmijësh duke i ndriçuar me dijet që përcollën. Nuk harroj sa fyese ishte për mësuesit, kur na rreshtonin para shkollës për të kontrolluar ditaret.

Krejt ndryshe ishte vlerësimi i popullit për mësuesit, kudo që punonin, në fshat dhe qytet. Ata gjenin te mësuesi, vërtet prindin e dytë të fëmijëve të tyre. Ndanin çdo gjë që kishin me ta, lironin dhomën e tyre për të banuar, u jepnin falas produkte nga bagëtitë e kopshtet e veta, i thërrisnin e i nderonin në të gjitha gëzimet apo festat që bënin.

Kur e ke ndjerë veten më keq si mësues?

Në kohështrirjen time dhjetëra-vjeçare në arsim, sukseset i kam matur me numrin e nxënësve që kanë vijuar shkollat e larta dhe sot i gjen si kuadro e specialistë të nderuar në të gjitha fushat e jetës, brenda e jashtë vendit. Gjatë punës si mësues dhe drejtues në arsim, kam kaluar dhe çaste të vështira që më kanë shqetësuar shumë, por që së fundmi kanë patur edhe përfundim të mirë.

Më kujtohet një rast i vështitë për t’u trajtuar e administruar, në një gjimnaz ku isha dhe drejtor. Mes dy maturantësh, pati një grindje në orën e fundit të mësimit, e mandej qenë shkëmbyer dhe grushte. Të nesërmen, pas mbarimit të orës së parë të mësimit, më informojnë se njëri nga nxënësit e konfliktuar  një ditë më parë, kishte ardhur në shkollë me një pistoletë, të cilën e mbante në xhepin e xhupit.

Nxënësi nuk futej në klasë për mësim, por sillej rrotull nëpër shkollë e herë pas here u tregonte dhe armën shokëve. U krijua një situatë e tensionuar dhe paniku në shkollë. Pa kaluar pesë minuta, prindër të ndryshëm filluan të më merrnin në telefon të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre. Mësuesit ndjeheshin të frikësuar dhe të pafuqishëm të ndikonin te nxënësi i armatosur. Dikush sugjeroi të njoftonim policinë, por për momentin nuk e gjykova të arsyeshme. Mendova ardhjen e disa policëve në shkollë, kontrollet për gjetjen e armës pasi nxënësi do ta fshihte atë patjetër, imazhin dhe reputacionin e shkollës.

E njihja prindin e nxënësit, një oficer i nderuar dhe menjëherë e mora në telefon duke ia treguar situatën. Ai e kishte të pamundur të vinte në shkollë pasi ndodhej larg me shërbim. Atëherë vendosa të veproja vetë. Pyeta ku ndodhej nxënësi dhe për dy minuta u ndodha para tij. Nuk i rashë fare në sy se dija gjë, por iu drejtova se kisha shumë nevojë të më shoqëronte diku në një servis jashtë shkollës për të marrë një kompjuter.

Nxënësi u bind dhe dolëm së bashku nga shkolla. Vërtet shkuam te servisi ku formatonim kompjuterat, por tekniku na tha se kishin akoma punë. I propozova të futeshim në një lokal, sikur po më pihej një kafe. Djaloshin e qerasa me një akullore e në përfundim të saj arrita ta bind të ma jepte pistoletën. Ai u habit shumë, se nga e kisha marrë  vesh, por së fundi, arma kaloi nga xhepi i xhupit të nxënësit te kasaforta ku mbaja dokumentat e rëndësishme të shkollës dhe vulën e drejtorisë e prej andej pas disa orësh, te prindi, të cilit i takonte.

A njihej mitmarrja në atë sistem?

Në periudhën e shtetit monist, fjalët mitmarrje, korrupsion etj. as që përdoreshin  ndonjëherë. Në atë kohë nuk njihej, puna private, nuk kryheshin tendera, nuk qarkullonin zarfat me para për të arritur një qëllim siç ndodh rëndom sot. Masa e gjerë e njerëzve të vetmen pasuri kishin krahun e punës dhe mendjen. Të dyja këto shpërbleheshin kolektivisht sipas punës që kryhej po kolektivisht. Bëhej një propogandë e madhe kundër  bakshishit në çdo shërbim e konsiderohej si turp kur ndodhte. Në arsim, mësuesit kishin një pagë të caktuar, nuk bënin mësime private as jashtë orarit të punës. Pasdite, vullnetarisht, organizoheshin në shkollë, orë konsultimi pa pagesë me nxënësit që kishin nevojë. Në atë periudhë, nëse  mund të konsiderohet “mitmarrje”, kryeje punë me një kafe e fërnet në lokalin ku bëhej biseda.

Po sot cilat janë problemet e arsimit?

Arsimi i sotëm ka pësuar ndryshime të shumta e thelbësore që i përgjigjen zhvillimit ekonomik e social-kulturor të vendit, rendit shoqëror, koncepteve të reja në mendësi e rregulla të tjera të krijuara nga lëvizja e lirë dhe hapja me botën. Ndryshime thelbësore janë kryer dhe në kurrikulat e niveleve përkatëse të arsimit parauniversitar, metodat e mësimdhënies e mësim nxënies, që realizohen nga mësues që kanë kryer kualifikimet e duhura.

Sot arsimi përballet me lëvizje të mëdha demografike, nga zonat rurale në ato urbane.

Emigracioni po vijon si një fenomen që largon elitën intelektuale dhe atë më  aktive të shkollimit e të punës drejt vendeve më të zhvilluara të Europës dhe botës.

Dendësia e nxënësve në kryeqytet sa vjen e rritet, si rezultat i ardhjeve nga të  gjitha rrethet e Shqipërisë, të gjithë atyre që nuk mund të emigrojnë jashtë vendit. Kjo mund të zbutet e normalizohet në standardet e kërkuara, me hapjen e  shkollave të reja.

Me zhvillimin e teknologjive të informacionit, vihet re një zbehje e interesit të nxënësit për orën e mësimit. Përdorimi i telefonave gjatë orës së mësimit sidomos në arsimin e mesëm është një dukuri e zakonshme me të cilën përballen mësuesit e sotëm. Sado thuhet verbalisht e me rregullore, përdorimi i telefonave është një sëmundje që lëngon në çdo klasë të shkollës.

Duhanpirja dhe hashashi një problem shqetësues, a mendoheshin dje në shkolla? Si mund të parandalohet sot?

Sigurisht që as mund të mendoheshin dje këto vese të këqia që po e “vrasin” gradualisht rininë tonë. Duhanpirja është rritur shumë në këto dy dekadat e fundit, megjithëse nuk është masive, shpesh merr përmasa të frikshme here-herë, sidomos kur shoqërohet dhe me hashash. Kjo bimë tashmë ka zënë sipërfaqet e mbjella me grurë e miser në gjithë vendin. Nuk ka shkollë, që nuk ndeshet me këtë fenomen, ku më shumë e ku më pak. Shkolla dhe shoqëria do të fitojnë vetëm atëherë kur kjo sëmundje e çmenduri, nuk do të ekzistojë më. Për shërimin e sajë kërkohet ndërgjegjësim, mësues - prindër - shoqëri; ndërveprim mes tyre; luftë frontale me të gjithë aktorët dhe shërbimet psiko-sociale; plotësimin e vakumit që do krijohet me veprimtari gjithëpërfshirëse të pëlqyeshme për masën e nxënësve. Eliminimi i lidhjeve e burimeve që e favorizojnë fenomenin.

Jeni një krijues i poezisë, keni botuar shumë libra. A ka vlerësimin e duhur letërsia sot?

Krijimtaria ime letrare ka nisur në vitet 1969-1973, ku publikova cikle me poezi, tregime e reportazhe në shtypin e kohës, si “Zëri i Rinisë”, “ Drita” etj. Në veçanti librat për fëmijë janë pritur shumë mirë nga lexuesit e vegjël dhe kritika. Ndër vëllimet me poezi për të rritur, veçohen “Aisberg ëndrrash” dhe “Trëndafilat e Janarit”. Nga Revista Emathia, Mat, jam vlerësuar me çmimin “ Pena Budi 2013” për kontributin tim letrar e publicistik. Letërsia e sotme shqipe e shkruar në letër, megjithë konkurencën që i bëhet nga teknologjitë e reja elektronike, mendoj se dominon, është e pranishme kudo, e pëlqyer dhe e kërkuar nga lexuesit. Dua të nënvizoj se letërsia, nuk gëzon vendin e duhur, si institucion vlerash kulturore, estetike, shpirtërorore për njerëzit. Kjo duket qartë, në mungesën e lehtësimit apo mbështetjes shtetërore, të botimeve e promovimeve të vlefshme për shoqërinë, mënyrën e shpërndarjes te lexuesit, tregtimit në rrugë e trotuare, organizimit të konkurseve, etj. Të vjen të çudtesh se si dhe në ndonjë shtet fqinj që mezi mbahet në këmbë si Maqedonia, ministria përkatëse, planifikon e shpërndan fonde për botimin e librave të rinj. Kjo nuk ndodh te ne.

 

Studimi i ISHP

Shifrat, si po rritet numri i përdoruesve të drogës tek adoleshentët

Adoleshentët që konsumojnë kanabis në vendin tonë po shtohen nga viti në vit. Instituti i Shëndetit Publik, në raportin e fundit vëren se të rinjtë e kanë më të lehtë ta gjejnë atë krahasuar me vitin 2011. Përdoruesit e kanabisit në Shqipëri po njohin rritje duke e kthyer në një problem seriozë . Shqetësimi ngrihet nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik të cilët ndër konsumatorët rendisin adoleshentët. Të sigurosh kanabis në vend është më e lehtë se rreth gjashtë vite më parë. Arsye kryesore kjo me të cilën specialistët shpjegojnë rritjen e numrit të përdoruesve. Rreth 21.2 % e 15-16 vjeçarëve ndajnë një mendim të tillë, sipas raportit të fundit të përdorimit të drogave nga 11.8% që ishin në vitin 2011. Rreth 15.3% e adoleshentëve, sipas Institutit të Shëndetit Publik, kanë provuar një lloj droge. Pas kanabisit renditet kokaina. 3.7% nxënësve të klasave të 9 dhe dhjeta treguan se e kanë provuar. E gjithë kjo është një shqetësim për çdo prind dhe për shoqërinë në të cilën ne jetojmë. Studimi i fundit i realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik ka nxjerr në pah se 3,7% përdorin kokainë, 2,4% përdorin ekstazi, 2,2% droga të injektueshme ndërsa në krye të listës qëndron përdorimi i sedativëve pa recetë mjekësore me 7,2%.

 

Të konsumosh kanabis për modë, si shokët

Të konsumosh cigare duhani apo hashashi, për të rinjtë është një fenomen që është kthyer në model. Një grup i këtyre konsumatorëve e përdor për shumë arsye për tu larguar, arratisur nga një familje apo problem në shoqëri,  ndërsa mosha më e ulët që është ajo 13 vjeç për tu dukur më të rritur se të tjerët. Janë vetë adoleshentët e gjimnazeve në kryeqytet të cilët pohojnë se konsumimi i duhanit apo ndonjë lloj droge vjen për faktin se ata duan të duken më të rritur. “E kam provuar edhe duhanin edhe kanabisin. Duhanin e kam pirë me shokët e klasës sapo nisa vitin e parë të gjimnazit, pasi ne ishim më të vegjlit dhe për të tu dukur më të mëdhenj në shkollë pinim cigare. Kurse kanabisin e kam provuar disa herë me shokët , por nuk është se jam konsumator i rregullt” pohon Keli gjimnazist në kryeqytet. Ndërkohë nga ana tjetër psikologët pohojnë se konsumatorë janë edhe ata adoleshentë 15- 17-vjeçarë për të mos thënë 13-14 vjeç, që frekuentojnë lokalet e natës, të cilët përdorin kryesisht hashash edhe droga të tjera. Por rrisqet që ka përdorimi hashashit bashkëshoqëruar dhe me pijet e tjera alkoolike për shëndetin mendor dhe fizik janë shumë të mëdha.  Sipas studimit të ISHP rreth 6-7 % e të rinjve në Shqipëri përdorin drogë duke filluar nga më të lehtat, si tymosja e hashashit, e deri tek kokaina, heroina, etj. duke u kthyer në shqetësim serioz për shoqërinë.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: