EC: 10 vatra zjarri në vend, shkrumbohen sipërfaqe me ullinj e pisha

EC: 10 vatra zjarri në vend, shkrumbohen sipërfaqe me ullinj e pisha
Emergjencat Civile kanë raportuar rreth situatë nga zjarret për 24 orët e fundit, teksa në të gjithë vendin janë shënuar 10 vatra në disa qarqe të  vendit.

Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 85 punonjës zjarrfikës, 14 automjete zjarrfikëse, 125 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, mbi 75 punonjës të Pyjores e të bashkive, mbi 110 qytetarë vullnetarë, të mbështetur edhe nga helikopterë.

QARKU KORÇË

Janë rindezur vatrat e zjarrit në kufirin ndarës ndërmjet njësive Lekas dhe Voskopojë, të bashkisë Korçë. Zjarri ka përfshirë një territor tepër të thyer me pisha të larta dhe me vështirësi për t’u futur me mjetet zjarrfikëse. Nga zjarri janë djegur sipërfaqe të konsiderueshme të pyllit me pisha.

Në Ersekë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra në afërsi të varrezave të qytetit. Zjarrfikësit kanë shkuar në vendngjarje dhe duke shuar vatrat e zjarrit. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 3 dynym me shkurre por u shpëtuan banesat si dhe varrezat që ishin shumë afër flakëve.

QARKU TIRANË

Në fshatin Surrel, të bashkisë Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me pisha. Zjarrfikësit nuk kanë mundur të ndërhyjnë me mjete për shkak të terrenit, prandaj është dërguar helikopteri i cili ka shuar vatrat e ndezura. Nga zjarri është djegur rreth 18 ha shkurre dhe ferra.

QARKU LEZHË

Vazhdon zjarri pranë pyllit me pisha në fshatin Orosh, bashkia Mirditë. Zjarri ka djegur një sipërfaqe prej rreth 30 ha me kullotë dhe bimësi të shkurtër dhe ka përshkruar rreth 50 ha pisha.

QARKU DIBËR

Eshtë riaktivizuar vatra e zjarrit në fshatin Gurë- Lurë, të bashkisë  Dibër. Forca të pyjores dhe banorë të zonës kanë shkuar në vendngjarje për të shuar zjarrin, të mbështetur edhe nga një helikopter, duke vënë situatën nën kontroll.

QARKU FIER

Në vendin e quajtur Qafa e Lalarit, të bashkisë Patos, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullinj. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 5 ha me shkurre, ferra dhe ullinj.

Në fshatin Qokë, Gërmenj, të bashkisë Divjakë ka rënë zjarr në një zonë të pyllëzuar me shkurre, dushqe dhe ullinj.  Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 10 ha me shkurre, ferra, 100 rrënjë ullinj dhe 1 ha pyll dushku.

QARKU ELBASAN

Në Elbasan ka rënë zjarr në lagjen “5 Maj” në një sipërfaqe me shkurre e ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.2 ha me shkurre dhe ferra.

Në fshatin Vulçan, Hotolisht, të bashkisë Librazhd ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, e pisha. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 10 ha me shkurre ferra dhe pisha.

Në fshatin Lisnaj, të bashkisë Peqin ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre e ferra. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.5 ha me shkurre dhe ferra.

/f.ç/

Foto: Google

Shpërndajeni me miqtë tuaj: