Enkeleida Zeko: Sporti, një takim i rastësishëm nga ato që të ndryshojnë jetën

Enkeleida Zeko: Sporti, një takim i rastësishëm nga ato që të ndryshojnë jetën
Nga portreti i saj i freskët nuk duket, por ajo ka plot 17 vjet në gazetari. Enkeleida Zeko, biondja bukuroshe e ekranit, është një nga figurat më të spikatura të gazetarisë sportive në televizionet shqiptare. Mes “dy zjarreve”, - të qenit e hijshme dhe në një fushë shumë “mashkullore” si sporti, - vajza gjirokastrite, prej shumë vitesh, ia ka dalë të kalojë përtej barrierave të paragjykimit e të japë sinjalin e qartë se të jesh gazetare sportive dhe moderatore, është krejtësisht tjetër gjë. Enkeleida Zeko, edhe pasi ndërroi ekran, rigjeti spektatorët e saj, besnikë ndaj debatit dhe informacionit sportiv. Nënë e një vajze, ajo ndaj jetën mes ekranit dhe familjes, - dukshëm në një harmoni familjare e femërore. Ekskluzivisht për Albanian Free Press, Enkeleida Zeko na rrëfen detaje nga jeta dhe karriera e saj.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Ti je një vajzë gjirokastrite. Ke ndonjë kujtim më të shtrenjtë nga fëmijëria?

Kam shumë kujtime nga fëmijëria, nga Gjirokastra. Mbi të gjitha nga shtëpia ime, gjyshja, oborri plot pemë, shoqet dhe lodrat e kohës. Ishin gjëra aq të thjeshta, por që evoluimi i bën tepër kuptimplota. Aq shumë e doja dhe e dua atë vend, kujtoj kohën kur nuk humbja as minutën të më kalonte paeksploruar. Edhe orët e drekës i kaloja në kopsht, duke mbledhur fruta apo duke luajtur me kukulla. Fëmijëria ime ka qenë fantastike, kujtoj vetëm çaste të lumtura!

Një vajzë e hijshme, me talent, pritet që të bëhet një ditë prezantuese. Si u drejtove për nga sporti?

Televizioni ka qenë dëshirë e hershme imja, madje edhe studimet e larta, jo pa qëllim, i kam kanalizuar në këtë drejtim. Sporti pastaj, ka qenë një takim i rastësishëm gjatë rrugës. E ke parasysh, nga ato takimet që të ndryshojnë jetën e t’i dashurohesh menjëherë! Ha ha ha...

A je marrë vetë me sport ndonjëherë? Po sot e praktikon?

Jo, nuk jam marrë asnjëherë me sport, as sot nuk e praktikoj... Edhe vajtjet e mia në palestër janë me pikatore... Nuk jam fare tip sportiv, por ama sportin e njoh mirë dhe i jap rëndësinë që ka në të vërtetë.

Sa e rëndësishme është të ketë shumë informacion një gazetare sportive? Sa punon ti për të qenë gjithmonë e informuar?

Është shumë e rëndësishme, sidomos në punën time si autore dhe drejtuese e një emisioni sportiv si “Fair Play”. Punoj gjithë kohën për këtë. Gazetaria është profesioni i cili ndryshon jo çdo ditë, por çdo minutë. Pikërisht sepse është kaq intensiv dhe në lëvizje, e dua kaq shumë këtë profesion!

Në fillimet e tua, nuk mohohet, të gjithë sytë ishin tek pamja. Sot dallohet që edhe sportistët me përvojë ju dëgjojnë. Sa punë ju desh të arrinit deri këtu?

Për mua gjithmonë rëndësi ka pasur përmbajtja dhe jo dukja. Mbi këtë parim e kam ndërtuar punën. Serioziteti dhe profesionalizmi janë armët që bëjnë të të dëgjojnë të gjithë ata burrat e ulur në karrige.

Si ia keni dalë që çdo format të cilin drejton, të ketë kaq ndjekës?

Se jam e vërtetë, nuk bëj kompromise dhe pasqyroj realitetin. Tek puna me mua nuk bën dot pakt, për këtë motiv emisionet e mia kanë sukses. Me kalimin e viteve jam kthyer edhe në një ikonë të besueshme për ata që ndjekin sportin, mund të ndryshoj ekranin, emisionin, por jam përsëri unë dhe audienca më ndjek nga pas.

Duke qenë një gazetare edhe shumë kritike e me guxim, keni bërë armiqësi në botën e sportit?

Po, patjetër. Në këtë vend, nëse thua të vërtetën, vetëm denigrohesh dhe sulmohesh. Por unë jam gjithmonë më lart nga ata “njerëzit e vegjël” aty poshtë. Kjo tregon për forcën dhe guximin që kam. Nuk dorëzohem kurrë.

Keni mall për TVSH-në?

Jo, nuk kam mall, kam vetëm kujtime! Kujtoj kohën kur aty punohej dhe kishte disa njerëz që ishin vërtetë profesionistë dhe më mësuan shumë.

Partneri juaj në jetë, a e ndjek sportin? Shikoni ndonjë ndeshje ndonjëherë bashkë dhe nëse po, kush ka më shumë adrenalinë nga rezultati?

Po, e ndjek. Dikur në shkollë edhe e ka praktikuar, por tani iu bënë shumë vjet i shkëputur nga sporti. Shikojmë shpesh ndeshje bashkë, kjo është e keqja, kur gruaja merr vesh nga sporti! Ha ha ha ha, nuk preferon ta shohësh me shokët. Ne të dy jemi njëlloj në këtë drejtim, shijojmë 90 minuta dhe vetëm kaq.

Ju jeni nënë e një vajze të vogël. Sa ju ka ndryshuar mëmësia?

Ehhh, këtu tani flasim ndryshe! Ti ma kupton shumë mirë idenë. Jo më ka ndryshuar, por më ka tjetërsuar! Prania e saj është magji! Fjalët e saj janë muzikë dhe buzëqeshja diell! Jam me fat që zoti më dha mundësinë ta provoj këtë ndjenjë!

Në Shqipëri, ka ende një mentalitet maskilist ndaj femrës. Ju që jeni gazetare sportive, e keni hasur këtë gajtë punës tuaj?

Po e kam hasur dhe e has çdo ditë. Ky mentalitet nuk ndihet vetëm në punët që konsiderohen maskiliste, por gjithkund. Në Shqipëri, nuk ekziston ende kultura që ta respektojnë dhe vlerësojnë femrën ashtu siç duhet. Është mangësi e gjithë shoqërisë tonë. Në profesionin tim, ndihet shumë.

Kur të mbyllet sezoni sportiv, si do të t’i kaloni pushimet?

Me familjen time. Disa ditë afër detit në jug dhe ndonjë udhëtim të shkurtër jashtë vendit.

A dëgjon muzikë Enkeleida? Cilën muzikë preferon, a keni një këngë tuajën me partnerin?

Dëgjoj muzikë vetëm kur jam në makinë. Tani nuk kam më kohë të ulem dhe të shijoj muzikë si dikur. Të dy e duam shumë muzikën, “Impossible” nga Daniel Merriweather, është kënga jonë.

Je një gjirokastrite tipike; domethënë, a gatuan gjëra të shijshme dhe a je maniake pastërtie?

Jam tipike që ç’ke me atë punë! Ha ha ha... Maniake pastërtie jam shumë, por edhe gatimet nuk mbeten pas. Më pëlqejnë shumë ushqimet e zonës time, jam rritur me to.

Si i ke marrëdhëniet me paratë, kush është më dorështrënguari në familje?

Dorështrënguari në familje jam unë. Jo nënkuptohet, ha ha ha, si gjirokastrite që jam. Bashkëshorti im është shkodran. Ata mendojnë më shumë për të shijuar sesa për të kursyer.

Sa merresh me bukurinë tënde? I dedikon shumë kohë vetes dhe veshjes tënde?

Është e rëndësishme për mua. I kushtoj kohën që duhet, por pa e tepruar.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: