Gara e spekulimeve, kush janë ministrat “e sigurt”?

Gara e spekulimeve, kush janë ministrat “e sigurt”?
Alket Aliu

VËZHGIM - Prej ditësh në media qarkullojnë emra dhe lista të ministrive dhe ministrave të qeverisë së re, që do të miratohet nga Kuvendi i dalë pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Portalet pretendojnë se emrat vijnë nga “burime të mirinformuara” dhe se listat përmbajnë emrat e ministrave “të sigurt” që do të zyrtarizohen së shpejti. Në ndonjë rast, emrat përputhen, në raste të tjera janë të ndryshëm, duke të bërë të dyshosh se kush është më “i sigurt” se tjetri.

Në shumicën e rasteve, mjetet e informimit përputhen në mendimin se zëvendëskryeministër do të rikthehet Niko Peleshi, i cili ka mbajtur këtë post që nga viti 2013, derisa u zëvendësua nga pasardhësja teknike, Ledina Mandija. Po kaq “i sigurt” duket edhe Fatmir Xhafaj, në postin e ministrit të Brendshëm dhe Ogerta Manastirliut si ministre e Shëndetësisë.

Nga mediat deri tani janë lakuar emrat e Lindita Nikollës, Mimi Kodhelit dhe Plarent Ndrecës për Ministrinë e Arsimit, Taulant Ballës, Pandeli Majkos dhe Saimir Tahirit për dikasterin e Mbrojtjes, Ditmir Bushatit dhe Olta Xhaçkës për Ministrinë e Jashtme, Mimi Kodhelit, Milena Haritos dhe Ditmir Bushatit për ministrinë e Integrimit, Saimir Tahirit dhe Vasilika Hysit për Drejtësinë, Eduard Shalsit, Taulant Ballës dhe Damian Gjiknurit për Transportet dhe Punët Publike.

Të tjerë emra të përfolur janë Arben Ahmetaj dhe Anastas Angjeli, ndonëse dikush i shikon te Financat dhe dikush tek Ekonomia, së bashku me Milva Ekonomin.

Në “listat” e mediave po shfaqen edhe emra që nuk kanë qenë më parë anëtarë kabineti. Përveç Vasilika Hysit dhe Taulant Ballës, spikat Erjon Braçe, për Bujqësinë, Elisa Spiropali për Zonat Rurale ose si ministre Shteti, Ervin Bushati, Eljo Hysko dhe Almira Xhembulla për Mjedisin ose Arsimin, Evis Kushi për Ministrinë e Jashtme, Arlinda Dudaj për Kulturën, Ilir Pendavinji për Shëndetësinë, Dhimo Kote për Bujqësinë, Besnik Baraj për Çështjet Sociale,  dhe Adrian Çela për Energjetikën.

Spekulimet mediatike vijojnë edhe me vetë ministritë e reja, kompetencat dhe emërtimet e tyre. “Thuhet se do të bashkohet Bujqësia me Mjedisin, Turizmi me Kulturën dhe Sportin, Ekonomia me Energjinë dhe Zhvillimi Urban me Pushtetin Vendor. Po ashtu diskutohet për një ministri të re të Thesarit, si dhe një tjetër të Gruas dhe Rinisë”, raporton Top Channel. Por të tjera media raportojnë se do të ketë edhe një ndarje të ministrisë për Mirëqenien Sociale, duke u krijuar një dikaster i veçantë për Rininë dhe Fëmijët, një ministri e Zonave Rurale dhe Komuniteteve dhe se do të ketë një ministër Shteti për Ballkanin, duke nominuar për një post të tillë Pandeli Majkon.

Fantazitë dhe të vërtetat e përafërta ndërthuren keq, sa më shumë afron shtatori.

Por e vetmja gjë e sigurt deri tani duket vetëm emri i Kryeministrit: Edi Rama. Për të tjerat, Rama ka treguar se është njeri i surprizave. Me të, nuk ka emra vërtet të sigurt.

Nuk duhet harruar edhe një “traditë” politike kur hartohen lista: Shpeshherë emrat qarkullojnë pikërisht për t’u “djegur”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: