Gomarin kur po e hante ujku thoshte: jam në ëndërr! Ngjela: Edhe gjyqtarët, të pashpresë

Gomarin kur po e hante ujku thoshte: jam në ëndërr! Ngjela: Edhe gjyqtarët, të pashpresë
Avokati i njohur Spartak Ngjela në një artikull të publikuar në profilin e tij zyrtar Facebook thotë se pas shtatorit shqiptarët do të habiten kur të mësojnë nivelin e lartë të korrupsionit në radhët e njerëzve të drejtësisë.  “Janë sot të gjithë të kapur, dhe e kanë shpresën te politika e lartë e korruptuar, se thonë me njëri - tjetrin: “asnjë nga liderët politikë nuk është i pakorruptuar: ata bëjnë sikur, prandaj rrini të qetë, se ne kemi apartamente dhe dhjetëra mijëra Euro, kurse ata kanë pallate, fabrika dhe miliona Euro”,” – shkruan Ngjela.

“Por edhe gomari kështu thosh kur e hante ujku: “jam në ëndërr”.

“Pse ju o të shitur, që as juristë s'keni qenë, vërtet mendoni ende se do t'iu shpëtojnë të ngjashmit tuaj të politikës së lartë?

Po këta kush do t'i shpëtojë?,” shtron pyetjen Spartak Ngjela.

Statusi i plotë i Ngjelës

Që nga shtatori e mbrapa shqiptarët do të shohin se në çfarë vobegtësi intelektuale janë gjyqtarët e tyre, dhe sa të paskrupullt kanë qenë në shitjen e drejtësisë.

Më pas do të shohin dhe qorrollepsjen e korrupsionit të lartë politik.

Po, si paraqitet tani ky korrupsion në të dyja krahët- në drejtësi dhe në qeverisje?

l.

Do të shihni:

Gjyshe pensioniste që dhurojnë mijëra Euro gjyqtarëve.

Kunata dhe kunetër, tezë halla e xhaxhallarë që jetojnë me të keq, pa shtëpi për vetë, por që iu dhurojnë dhjetëra mijë Euro gjyqtarëve që këta të paguajnë menjëherë kredinë e shtëpisë, ose të justifikojnë kostot.

Gjyqtarë që kanë tre dhe katër apartamente të lëshuar me qira, se kuptohet që janë paguar me apartamente nga kompanitë e ndërtimit që kanë blerë gjyqet.

Gjyqtarë, gjyqtare dhe gra gjyqtarësh e burra gjyqtaresh që qarkullojnë miliona lekë, sapo burri apo gruaja është emëruar gjyqtar apo gjyqtare.

Janë sot të gjithë të kapur, dhe e kanë shpresën te politika e lartë e korruptuar, se thonë me njëri - tjetrin: “asnjë nga liderët politikë nuk është i pakorruptuar: ata bëjnë sikur, prandaj rrini të qetë, se ne kemi apartamente dhe dhjetëra mijëra Euro, kurse ata kanë pallate, fabrika dhe miliona Euro”.

Por edhe gomari kështu thosh kur e hante ujku: “jam në ëndërr”.

Pse ju o të shitur, që as juristë s'keni qenë, vërtet mendoni ende se do t'iu shpëtojnë të ngjashmit tuaj të politikës së lartë?

Po këta kush do t'i shpëtojë?

ll.

Korrupsion i është sigurisht një fenomen i përgjithshëm sot ne Shqipëri. Por koha e solli që, ata që kanë dhënë paratë për të ndihmuar shqiptarët, duan të dinë se ku kanë shkuar paratë e tyre.

Këta nuk janë shtete dosido, ata janë aleatët perëndimorë të Shqipërisë: këta e kanë provuar korrupsionin e politikës shqiptare, i kanë gjetur dhe i kanë kalkuluar sa para u janë grabitur shqiptarëve nga ata që duhej t'i qeverisnin, dhe tani do t'i detyrojnë t'i kthejnë.

Ky në fakt është një ekuacion shumë i thjeshtë për tu zgjidhur, se korrupsioni nuk ka më forcë, i ka bërë të gjitha llojet e përvetësimit, por, tani ka humbur luftën me ligjin, prandaj duhet të kthejë paratë.

Dhe mos t'ju duket kjo fare një gjë e vështirë, se kjo tani është kryer.

Do ta shihni...

lll.

Çfarë pritet të ndodhë me korrupsionin ë niveleve të larta të politikës?

Këto qarqe drejtuese u treguan jo vetëm të papërgjegjshme në qeverisjet e tyre, por dhe krejt naivë dhe me intelekt të ulët atëherë kur e panë se forca ndërkombëtare i kapi duke iu gjetur dhe kalkuluar paratë që kanë marrë në 25 vjet qeverisje.

Të gjithë bashkë kanë përvetësuar rreth 5 miliardë Euro.

Në fakt ky është sekreti: ata që i kanë dhënë gjithsej Shqipërisë 20 miliardë Euro ndihmë, shohin që pesë miliardë i kanë marrë qeverisësit e shqiptarëve.

Sigurisht që ky është një turp historik.

lll.

Kjo klasë politike kurrë nuk e kuptoi në 25 vjet që personaliteti i një shteti modern demokratik është drejtësia.

Makutëria e njeriut të varfër që vinte nga tirania dhe vobegtësia shoqërore, të imponuara nga patologjia Hoxha, por që doli në qeverisje, kurrë nuk e la gjëndjen që të vendoste drejtësinë në Shqipëri.

Por ka dhe diçka: këta njërëz pa personalitet, jo vetëm nuk kanë ditur të qeverisin, por nuk kanë njohur as politikën e Perëndimit dhe as se çdo të thotë të angazhohesh politikisht me Perëndimin. Se ndryshe nuk mund të lëshoheshin si të babëzitur për të dhunuar materialisht popullin e tyre, në një kohë kur aderonin në organizmat kryesorë të botës perëndimore.

Ej, zotërinj! Perëndim do të thotë ligj; dhe ju keni përvetësuar paratë e taksapaguesve amerikanë, gjermanë, francezë, anglezë dhe italianë.

Duhet t'i ktheni tani, se vetë këta jua kanë gjetur.

Enver Hoxha nuk hynte politikisht kurrë në strukturat perëndimore, sepse e dinte që ato struktura nuk do t'ia pranonin kurrë atë shtypje antinjerëzore kundrejt shqiptarëve. Prandaj u vetëizolua, dhe tha: "Shqipëria është në bllokadë".

Kurse këta të sotmit, nuk e dinin fare këtë, dhe i ranë me top prasë së Shqiptarëve, por duke qenë politikisht në strukturat më të larta perëndimore, deri dhe anëtarë të NATOS.

Kjo, në fakt, është pika që krijon rënien e tyre drejt penalitetit, sepse aleanca politike me dhuruesit e fuqishëm, e ka tani aleancën me Shqipërinë domosdoshmëri të interesit të tyre politik, në rrafsh zonal dhe global.

Ata duan paratë, por Shqipëria kërkon drejtësi. Dhe kjo do të vendoset.

lV.

Ky interes i madh politik amerikano-europian për Shqipërinë nuk mund ta pranojë korrupsionin politik të injorancës shqiptare. Dhe këtu fillon historia e re e Shqipërisë dhe e të gjithë botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Por kur? Pyesin me të drejtë shqiptarët që presin prosperitetin e vendit të tyre.

Procesi ka filluar, paratë dhe pronat janë gjetur, organet e reja të Reformës kanë filluar funksionimin e tyre; kurse vjeshta jep rezultatet e para të goditjes.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: