Jeni kryefamiljar? Duhet të regjistroheni te tatimet

Jeni kryefamiljar? Duhet  të regjistroheni te tatimet
Jeni kryefamiljar që keni punësuar punonjës shtëpie? Apo fermer? Duhet patjetër që të regjistroheni pranë zyrave të tatimeve, edhe nëse nuk do të keni ndonjë detyrim tatimor për të paguar. Kjo është ajo çka ekspertët e Tatimeve paralajmërojnë në lidhje me të gjitha kategoritë ekzistuese, por edhe ato të reja që do të përfshihen tashmë në skemën tatimore në rang vendi. Ku konkretisht, një kryefamiljar ka detyrimin e pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit të kujdesit shëndetësor, për punëtorët e shtëpisë që ka punësuar. “Detyrimin për t’u regjistruar në sistemin tatimor e keni nëse bëni pjesë në kategoritë: Persona që kryejnë një veprimtari ekonomike tregtare; Organizata jofitimprurëse, fondacione, entet publike, organizata politike dhe organe të tjera të ngjashme me to; Të vetëpunësuari në veprimtari ambulante dhe “kryefamiljar” që punëson persona si punëtorë shtëpie; Individë që realizojnë të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë në vit; Shtetasit e huaj subjekt i deklarimit individual të të ardhurave”, saktësojnë gjithashtu ata. Më tej, në detaje, pohohet se sa u përket personave që kryejnë një veprimtari ekonomike tregtare, regjistrimi fillestar i tyre bëhet pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, e cila përveçse i pajis me  NIPT, i pajis edhe me Çertifikatën e Regjistrimit. Madje edhe të ashtuquajturit shitës “ambulantë” kanë tashmë detyrimin për të paguar sigurime shoqërore dhe shëndetësore. Kujtojmë se ata janë persona që tregtojnë mallra ose shërbime për publikun pa pasur një vend biznesi fiks dhe e ushtrojnë aktivitetin e tyre në njësi të vetme tregtimi të lëvizshme, në ambiente publike. Kurse sa u përket organizatave joftimprurëse, të njohura si OJF, ato do të regjistrohen për qëllime tatimore, duke u pajisur edhe ato me NIPT, ndërsa llojet specifike të tatimeve që duhet të paguajnë do të varen pikërisht nga objekti dhe natyra e aktivitetit që ushtrojnë. Për të përfunduar me fermerët, për të cilët edhe pse është parashikuar që të mos paguajnë taksa, autoritetet tatimore kanë lëshuar urdhrin që duhet medoemos të paraqiten për regjistrim pranë tyre. “Fermeri, i cili është prodhues bujqësor, i vetëpunësuar, që zhvillon aktivitetin me krahun e vet të punës dhe me mjetet e punës që disponon, në veprimtarinë e prodhimit bujqësor, pyjor dhe peshkimit, nuk ka asnjë detyrim tatimor, por duhet të paraqitet për regjistrim”, përcaktojnë ekspertët e tatimeve.

 

BIZNESI

Si do të pajisen me NIPT ata që ushtrojnë një aktivitet privat?

Të gjithë personat fizikë, por edhe shoqëritë tregtare, degët dhe zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja,  shoqëritë dhe unionet e kursim-kreditit, si edhe shoqëritë e bashkëpunimit reciprok, janë të detyruara që të kryejnë regjistrim të tyre në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Regjistrim ky që në përputhje me ligjin "Për Qendrën Kombëtare të Biznesit" shërben njëkohësisht si regjistrim në tatime, në skemat e sigurimit, shoqëror dhe shëndetësor në inspektoratet e punës dhe organet doganore. Pasuar më tej nga pajisja e tyre me NIPT dhe me çertifikatën e regjistrimit.

 

PROCEDURAT

Regjistrimi, hapat që duhen ndjekur

Nëse je një kryefamiljar që ke detyrimin për t’u regjistruar pranë organeve tatimore, në rastin konkret, kur ke punësuar punonjës në shtëpi, nuk duhet harruar se gjatë regjistrimit duhet paraqitur edhe një kopje e marrëveshjes së punës së nënshkruar midis tij dhe të punësuarit. Ku kjo e fundit përveç të tjerave duhet të përmbajë detyrimisht edhe numrin e sigurimit shoqëror të personit të punësuar, kohën e fillimit të punës, kohëzgjatjen e saj “me ose pa afat”, por edhe pagën e tij mujore bruto. Kurse në rastin e fermerit, ai duhet të paraqesë pranë autoriteteve tatimore edhe vërtetimin prej drejtorisë rajonale të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si edhe fushën e veprimtarisë së tij prodhuese bujqësore. Që të gjitha këto detaje, të cilat do t’u kërkohen të dyja këtyre kategorie nga zyrat tatimore përkatëse.

 

 

HAPAT

Individët, ja rregullat për regjistrimin e tyre

Të gjithë ata individë që realizojnë mbi 2 milionë lekë të ardhura bruto vjetore nga të gjitha burimet, qofshin këta rezidentë, por edhe jorezidentë, janë rikujtuar nga autoritetet tatimore se duhet që të plotësojnë dhe të dorëzojnë deklaratën individuale vjetore të të ardhurave. Ky proces kryhet në mënyrë online në faqen zyrtare të tatimeve. Kurse në rastin kur bëhet fjalë për një shtetas të huaj, procedurat e regjistrimit për ta përcaktojnë se ai ose çdo person i autorizuar prej tyre duhet të paraqitet në zyrat e shërbimit të tatimpaguesve, ku do të pajiset me fjalëkalimin përkatës. “Regjistrimi dhe identifikimi i individit jorezident, bëhet me një kod fiskal dhe si i tillë, shërben Numri i Identifikimit Personal në Letërnjoftimin e individit jorezident”, sqarojnë më tej autoritetet tatimore.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: