Kërcënoi me armë ish-bashkëjetuesen, arrestohet ish-deputeti Hamit Kosta

Kërcënoi me armë ish-bashkëjetuesen, arrestohet ish-deputeti Hamit Kosta
Pas një konflikti që ka pasur me ish-bashkëjetuesen, u shoqëruar në polici e më pas u arrestua, ish-deputeti socialist, Hamit Kosta.

Sipas policisë, që prej mesditës Kosta ndodhet në ambientet e komisariatit të Elbasanit, pas denoncimit që i ka bërë ish-bashkëjetuesja e tij.

E.T., 38 vjeçe ka deklaruar në polici se Hamit Kosta e kishte marrë me forcë në mjetin e tij dhe më pas e ka kërcënuar me armë. Pretendimet e gruas janë marrë në konsideratë nga hetuesit të cilët kanë marrë në pyetje ish-deputetin.

Më pas hetuesit kanë ballafaquar dëshmitë e dhëna nga të dy personat e përfshirë në këtë ngjarje dhe vendosën arrestimin, detajet e të cilit janë dhënë nga policia.

“Arrestimi i tij, u bë pasi  në Lagjen ‘5 Maji’ me automjetin e tij tip ‘Hamer’ me targa PE2505A dyshohet të ketë kanosur me fjalë dhe me armë zjarri  ish-bashkëjetuesen, shtetasen  E.T., 38 vjeçe banuese në Elbasan.

Gjatë kontrollit të mjetit të 62-vjeçarit, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me gjashtë fishekë model 9mm të vendosur në krehësin e saj.

Arma e zjarrit së bashku me automjetin janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga nenet 84 dhe 278 të Kodit Penal”, deklaron zyrtarisht policia./l.k./

(Foto: Google)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: