Klajdi Musabelliu: Jam nostalgjik për periudhën kur s’kishte “vdekur” ende muzika e lehtë

Klajdi Musabelliu: Jam nostalgjik për periudhën kur s’kishte “vdekur” ende muzika e lehtë
Këndon prej shumë vitesh. Fillimet e këtij “zanati” pasionant i pati të bujshme dhe, për disa vite më pas, ishte një nga këngëtarët më të angazhuar të festivaleve. Më pas, herë pauza e herë aktivitet. Këto kohë, me një single të ri në treg dhe skenë, Klajdi Musabelliu nuk mund të quhet më një djalosh i muzikës. Eksperiencë ka mjaftueshëm për të qenë “segnor” dhe ka luksin të shijojë edhe eksperienca të tjera. Herë si dublant në filmat vizatimorë, herë si gazetar e publicist, por prej më shumë se dhjetë vjetësh edhe me politikë, si aktivist i njohur i LSI-së. Pra, Klajdi Musabelliu ka prirjen të eksplorojë, por jo se nuk e ka gjetur veten. Ashtu siç e thotë edhe vetë, ai është këngëtar, pavarësisht se mund edhe të fluturojë jashtë kufijve, ndoshta, një ditë nga këto. Vjen në këtë rrëfim ekskluziv për Albanian Free Press, në një rrugëtim nga pikënisja e deri tek kafeja turke me mamanë e dashur.

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

Kanë kaluar kaq shumë vite nga “Ethet e së premtes” ku ti u lançove si këngëtar. Si arrite deri aty?

Dëshira për muzikën dhe këngën ka më kanë shoqëruar prej fëmijërisë. Pas pjesmarrjes në koncertet e gjimnazeve, “Rinfest”, dhe dy daljeve në Festivalin  Kombëtar të RTSH-së si back-vokalist, erdhi radha e “Etheve” ku mbështetja e  publikut më dha suksesin.

Si e sheh muzikën tani, pas kaq vitesh? Cilat janë ndryshimet që, sipas teje, ka përjetuar skena muzikore?

Sigurisht që, nga viti në vit, dalin hite të reja, tendeca të reja, realizohen edhe eksperimente të cilat rezultojnë të suksesshme, dhe njëkohësisht ndryshon forma. Ritmi është shpejtuar dhe melodia e teksti është thjeshtuar. Gjithçka është bërë më e shkurtër dhe më direkte. Më e rëndësishme është bërë performanca, pra, kërcimi po të themi, veshja, grimi, dukja bukur në skenë apo video klipe.

Ke publikuar shpesh, foto të hershme të kolegëve të tu. Së fundmi me Elvana Gjatën. Mos je nostalgjik për atë periudhë?

Sigurisht që jam nostalgjik, aq më tepër për atë periudhë, pasi s’kishte “vdekur” ende muzika e lehtë. Këndohej Whitney Houston, Marc Anthony, Lara Fabian, Celine Dion, Lucio Dalla dhe plot e plot emra me peshë dhe vlera të mëdha në art.

Nuk je një këngëtar i varur nga tendencat. Mban profilin tënd. Kjo të ka ndihmuar apo penalizuar?

Sigurisht që më ka penalizuar, megjithatë nuk është kurrë vonë për të bërë gjëra ndryshe. Për të dalë pak nga vetja, e për t’i treguar publikut se edhe unë di t’i bëj, por s’kam dashur.

Në këto kohë rrymash muzikore, a po e kryejnë artistët misionin e tyre të mbrojtjes së muzikës?

Nuk di ç’të them, pasi janë futur në Shqipëri aq shumë rryma, saqë ka humbur ajo jona.

A je një djalë me humor e pozitiv? Nga fotot duket të kesh shumë autoironi...

Jam plot energji, me  pak autorironi dhe mjaft humor. Mendoj se jam mjaftueshëm pozitiv.

Ku dhe si e kalove këtë verë?

Verë pushimesh, deri tani, s’kam kaluar gjë, sepse kam qenë dhe jam ende mjaft i angazhuar me “Maratonën e Këngës” organizuar nga TvKlan, gjithashtu edhe me promovimin e videos më të re, duetit me Blerina Matrakun nën titullin “Zemrat një herë falen” dhe gjithashtu promovimit të singel-it tim, “Po martojmë Malon”, parodinë e hershme të Estradës së Fierit, të cilën e kam rikthyer në këngë dhe risjellë në kohë.

Çfarë ka rezervuar vjeshta lidhur me pasionin për këngën?

Nuk e di, sepse siç ju thash pak më lart, sapo kam lançuar dy materiale, dhe jam ende duke promovuar ato. Vjeshta më pëlqen shumë, pasi aty më shijon muzika live dhe e lehtë, por për momentin kam prioritet “Malon” dhe duetin, në pritje të ndikimit dhe suksesit që do të sjellin këto materiale muzikore.

Je më shumë këngëtar apo njeri i letrave?

Edhe shkruaj ndonjëherë, kur jam i frymëzuar, por kënga dominon.

Je kursimtar?

Për fatin tim të keq, jo! Ha ha ha ha. Fitoj 5 dhe prish 10, ha ha ha ha.

Ka zëra të bukur mashkullorë në muzikën shqiptare, por ka pak promovim të tyre. Pse?

Çështje kontratash, interesash, biznesi... Nuk e di, të gjitha këto nga pak.

E ke menduar të jetosh jashtë atdheut?

Po, e kam menduar dhe po e mendoj edhe më shumë këto ditë. Ndoshta largohem për një “Aventurë” ose eksperiencë muzikore të re. Dua të provoj diçka jashtë, dua të jem vetvetja dhe të bëj atë që dua, jo që duan. Megjithatë, të shoh si do ma japë truri, ha ha ha ha.

Rrjetet sociale e kanë ndihmuar muzikën apo e kanë shpërbërë atë?

Ndihmuar dhe paralelisht dizorientuar.

Më tregoni diçka rreth familjes tuaj, sa vend ka zënë ajo në karrierën tuaj..

Unë jetoj me mamin. Kam dy motra që jetojnë me familjet e tyre jashtë vendit. Me motrat muhabet në whatsapp e skype, ndërsa me mamin kafe turke, kur jam në shtëpi.

Ke lexuar këtë verë e nëse po, çfarë?

Kam filluar të lexojë “Ishullin” e Victoria Hislop që në fillim të qershorit, dhe jam akoma tek faqja 5, ha ha ha. Ndonjë ditë kam qenë aq i lodhur, saqë kam fjetur edhe pa ngrënë.

Ke një këngë të preferuar, të cilën e fishkëllen?

“You sang to me”, nga Marc Anthony, “Po martojmë Malon” dhe “Zemrat një herë falen” nga unë dhe “Në çdo zemër një herë troket” e kompozitorit Kujtim Laro.

Do këndoje ndonjëherë “tallava”?

Nuk e besoj, sepse sikur s’e këndoj dot atë rrymë.

Ke ndonjë projekt jete ose arti që do ta ndash me Albanian Free Press?

Besoj se ju thash gjithçka lidhur mbi projektet e mia dhe si përmbyllje më mbetet t’u falënderoj për mbështetjen!

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: