KTHIMI I TË VERBËRVE- OPINION NGA FRROK ÇUPI

KTHIMI I TË VERBËRVE- OPINION NGA FRROK ÇUPI
Frrok Çupi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Të verbrit janë pjesa jonë njerëzore më e përkëdhelur. Shpesh herë, mes tyre, ka edhe gjeni, por nuk e kam fjalën për këta...

Të verbrit që i rrinë shoqërisë në zverk, janë një tjetër kategori. Këta janë aq symbyllur, mendjembyllur , sa edhe të admiruar nga udhëheqësi: të paditur, servilë, marifetçinj, sulmues, të pacipë. Qeveria i do dhe e pëson prej tyre, ndërsa individi i neverit.  Prandaj, këta janë të verbrit e tmerrshëm!

Ja ku janë tri kategori. Po e marrim sipas një kalendari historik:

Kategoria e parë: Më i lashti i tyre, Rasputini, i fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Gjenial për nga dinakëria dhe  e keqja. Ky ishte një bari siberian dhe u kthye në eminencë të Cartit të Rusisë, Nikolla II.

Kategoria e dytë, thuajse e paidentifikuar, por që ka portretin e një fshatari në Mirditë. Këtu i thanë kapedanit që t’i hiqte të ligjtë dhe budallenjtë nga rrethi i kuvendit, se ndryshe do të ishte për të keqen e kapedanit dhe të kuvendit. Kur ky nuk po bindej, burrat u ngritën e  i thanë: “Budalli (i padituri, d.m.th., i verbri) të bën gjithë shërbimin; por një ditë ta vret mizën në ballë”. Servilët kthehen në vrasësin tënd!- ja, kjo ishte filozofia.

Kategoria e tretë, si këta të verbrit që rrënojnë përditë politikën dhe qytetarinë tonë, duke u lëpirë dhe duke qenë të lëpirë nga udhëheqësit politikë. Veç tri ditë më parë, këshilltari i shtypit i Lulzim Bashës, iu sul kritikëve të kryetarit të vet. Budallallëku e çoi deri në pikën sa të godasë një grua në një televizion. “Jeni bërë si zonja Tefta”, - shau ky kundërshtarët e kryetarit. Por Tefta, me të drejtë, e bëri baltë këshilltarin dhe vetë kryetarin. “A me supën që gatuaj unë në televizion do ta bani opozitën?!”, - iu tha.

Nuk kemi pasur asnjë qeveri pa servilë të shpifur rrotull kryetarit.

Si e pësoi kryetari për shkak të këshilltarit

Këshilltari, kur është i verbër prek ose shkel aty ku pëlcet. Cili shpartallohet? I vetmi që nuk pëson gjë është ky që i lëpihet kryetarit, sepse ky për atë punë është. Ciflat e bombës së tij bien mbi padronin dhe mbi atë që përfaqëson padroni. PD-ja që qeveriset nga kryetari dhe këshilltari i tij, me rastin Tefta pësuan edhe një rënie tjetër në gropë. PD-ja ndërkaq është e rrënuar pas zgjedhjeve parlamentare dhe pas farsës brenda vetes; sikur i duhej edhe budallallëku i këshilltarit që të merrte edhe një rënie tjetër. Kështu bëjnë të verbrit në momentet më delikate. Të verbrit, d.m.th. të paditurit dhe të padenjët që mbajnë udhëheqësit rrotull, janë si bomba që pëlcasin papritur. Vetë Rasputini, i pari i kategorisë, u ndodh në zgripin e carizmit rus. Shumëkush e lidh rënien e carit, Nikolla II, për shkak të një katundari nga Siberia që u quajt Rasputin. Fillimisht, ky bënte thjesht humor, pastaj u bë i preferuar i gruas së Nikollës, dhe një ditë ikonë e Perandorisë. Perandoria ra atë ditë që u gjet i vdekur Rasputini, në prag të Revolucionit Rus.

Ja kështu bien perandoritë për shkak të të verbërve që zgjedh i pari i fisit që t’i bëjnë shërbimin e servilit. Në Partinë Demokratike janë kthyer furishëm servilët. Këta kanë marrë laps e letër, kompjuter dhe facebook e po sulmojnë çdo njeri kritik ndaj kryetarit Basha. Gjëja e vetme që mund të bënte kryetari pas katastrofës së PD-së, do të ishte ajo që bëjnë burrat e mençur në mortje. Këta largojnë budallenjtë dhe lapangjozët që të mos rrënojnë nderin e të vdekurit.

Por ja që nuk e ka as kaq ndriçim në mendje kryetari që rron me të verbër.

Një servil pa mend në kokë, ia hoqi kokën kapedanit në Mirditë. Servili, i zgjedhur i të parit të fisit, ndiqte mizën që vërtitej në odë, derisa iu ndal në ballë. Në momentin tragjik, servili qëlloi mbi mizë, por vrau padronin. Padituria e këtyre servilëve që zgjedhin shefat tanë, është tragjike. Këta janë eunukë kulturorë dhe moralë, prandaj janë edhe më të preferuarit e shefit.

Po pse, vallë, i do kaq shumë, shefi?!

Rasputinin ia donte gruaja shefit të Rusisë..., e lëmë këtë. Por edhe mes nesh, gratë e shefave e bëjnë shpesh përsheshin e shtetit. Tregojnë me dhjetëra fakte se grupi i deputetëve të PD-së është gatuar në kuzhinën e kryetarit Basha, bashkë ose kryesisht me gruan. Në këtë grup ka shumë “Rasputinë”. Njëra që është konservatore e PD-së, por pro martesave me të njëjtën gjini; tjetri që ngatërron Migjenin me Shilerin; nja njëzet të tjerë që i ka prurë universiteti i Soros në tendencë për t’iu kundërvënë presidentit Trump në Shqipëri, etj....

Pyetja, pse i do kaq shumë shefi të verbrit, d.m.th., servilët e sërës së ulët?

Sepse këta janë lepe-peqe, - sapo lëviz kryetari, sapo i ha hunda, sapo i vjen miza rrotull. Por vetëm kaq. Sulmojnë kundërshtarët, por kështu shembin kështjellën, thurin vjersha që ledhatojnë shefin si të ishte grua e bukur, pastaj i përqeshin në rrugë. Lavdërimi i tepërt rrëzon shefin, edhe kur shefi është vetë i pranueshëm nga turma...

Ou! Gati harrova! A e mbani mend si ra referendumi kushtetues i presidentit Berisha në vitin 1994? Sigurisht, po. Presidenti Berisha, atë vit, ishte në kulmin e autoritetit. Po, kush e rrëzoi? Servilët e Televizionit Shqiptar. I vetmi televizion që kishte vendi, me servilë rapsodikë që e mbanin presidentin natë e ditë në ekran... Kush i duron servilët? O zot, sa të neveritshëm! Ja kështu u neveritën votuesit në vitin 1994, dhe aty filloi rrëzimi i besimit mbi udhëheqësit e Partisë Demokratike.

... Kishte kohë që ishte harruar modeli “Rasputin” me mbretërinë. Por ishte shumë i afërt modeli i servilit që “ta vret mizën në lule të ballit”, sepse “i do të mirën” kapedanit.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: